‘Amnezia’ për krimet zgjedhore

Arben Rrozhani

 

Drejtuesja e misionit të OSBE/ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit në Shqipëri, Audrey Glover, shmangu retorikën politike ndërsa fliste për zgjedhjet si një punë e mbaruar që tashmë paska nevojën vetëm të vëzhgimit nga të huajt dhe vendasit që të jenë në përputhje me normat demokratike. Ambasadorja me më shumë përvojë në zyrën e ODIHR-it dhe mjaft e njohur për politikën shqiptare prej 23 vjetësh, i shmangu paralelizmat me zgjedhjet e 26 majit 1996, raportimi për të cilat e bëri armike të Sali Berishës, asokohe president.

‘Amnezia’ politike e zonjës Glover se: “Nga ’96-ta ka kaluar shumë kohë dhe kam frikë se nuk më kujtohen të gjitha detajet” nuk duket dhe aq bindëse për një grua që në 14 zgjedhjet e Shqipërisë, ku ka marrë pjesë OSBE/ODIHR-i, ka folur me shifra dhe fakte. Shprehja se: ‘Është e nevojshme të shohim nga e ardhmja pasi janë më të rëndësishme se ajo që ka kaluar’, mund të vlejë për çdo vend tjetër demokratik, por jo për Shqipërinë.

Nga zgjedhjet e Libofshës në vitin 1994, te kulmimi më 26 maj 1996 dhe më pas te të gjitha sfidat zgjedhore në Shqipëri, manipulimi, vjedhja dhe blerja e votave, kanë qenë tiparet kryesore të të dielave që në vend që ishin festa për elektoratin, u kthyen në drama me pasoja të rënda mbi vendin. Shumë pak ka ndryshuar nga masakra publike zgjedhore e vitit 1996 me vjedhjet e kamufluara çdo palë zgjedhje në Shqipëri. Raporti i OSBE/ODIHR-it i 23 viteve më parë deklaronte se: “procesi i numërimit nuk u bë në mënyrë të rregullt dhe të besueshme, ose sipas ligjit të zgjedhjeve. Në disa raste vëzhguesit vunë re manipulimin e rezultateve dhe vendimet u morën në mënyrë arbitrare nga kryetari i caktuar nga qeveria”…në Berat pjesëmarrja ishte 105%; në Lushnjë megjithëse kishte 940 vota në kuti, në listën e votuesve kishte vetëm 880 firma; në Gjirokastër votat e një partie të opozitës u llogaritën për PD…’.

13 vite më vonë po misioni i OSBE/ODIHR-it, kryesuar nga zonja Glover, deklaronte për zgjedhjet e qershorit 2009 se: “në 1/3 e qendrave të votimit, votat u numëruan keq ose shumë keq’, mjaftueshëm që të tjetërsonte rezultatin. E megjithatë, sipas vëzhguesve “zgjedhjet përmbushën shumicën e angazhimeve ndaj OSBE, por s’iu përmbajtën plotësisht standardeve për zgjedhje demokratike”. E njëjta panoramë mashtrimesh zgjedhore edhe në zgjedhjet e 25 qershorit 2017, për të cilat po bëhet prej tre muajsh lufta e egër politike mes PS, PD dhe LSI-së. Vetëm një rinumërim fare i papërfillshëm në Tiranë tregoi se si ishin trafikuar votat mes partive që kishin komisionerë. “Në 64 kuti votimi të hapura dhe të rinumëruara, vetëm 7 kuti rezultuan me të dhëna të sakta, ndërsa në 57 të tjera, gjithçka ishte manipuluar.

Nga rinumërimi rezultoi se Partia Socialiste kishte përfituar 85 vota, Partia Demokratike 77 vota, LSI 80 vota, PDIU-ja 52 vota etj”. Kjo u përfshi në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it, në shtator 2017 me paragrafin e mëposhtëm, por që sipas vëzhguesve nuk ndryshonte asgjë nga rezultati: ‘Tre KZAZ u apeluan kundër vendimeve për miratimin e rezultateve të distriktit. PDIU dhe PS sfiduan rezultatet në Tiranë, ndërsa PD-ja apeloi kundër rezultateve në Berat. Të tre ankesat u referoheshin parregullsive gjatë procesit të numërimit. PDIU kërkoi rinumërimin e rezultateve nga 41 qendra votimi, ndërsa PS kërkoi rinumërime në 23 qendra votimi dhe PD në një tjetër. Këto kërkesa u dhanë dhe më 13 dhe 14 korrik KQZ tregoi rezultatet e 68 qendrave të votimit. Rrëfimet nuk zbuluan mospërputhje që ndikonin në ndarjen e mandateve.

Asnjë vendim i KQZ-së nuk u apelua në Kolegjin Zgjedhor pas zgjedhjeve’. Me këtë bilanc tragjik, kur votat e të gjitha partive i numërojnë dy partitë e mëdha, ku mashtrimi zgjedhor vdes çdo parti të re duke ia rrëmbyer votat në mes të Tiranës, pale më jashtë saj, OSBE/ODIHR-i kërkon që të bëhen zgjedhjet e 30 qershorit, thjesht si procedurë e radhës. Pastaj do të bëjë raportin, që në fakt nuk ka ndryshuar asgjë nga pushteti i prodhuar prej zgjedhjeve që administrohen nga dy-tre parti dhe trafikohen nga ushtria e komisionerëve partiakë. “Ne do të vëzhgojmë gjithë procesin zgjedhor dhe nuk mund të flasim gjatë procesit. Mënyra se si ne operojmë është se nuk i përmendim parregullsitë në momentin që i konstatojmë, përgatitet një raport dhe pastaj deklarohen të gjitha ato që kemi parë nga vëzhgimet’-tha zonja Glover. Duke mos mësuar asgjë nga historia tragjike e zgjedhjeve shqiptare, që nuk janë as të lira, as të barabarta dhe ku populli nuk vendos për asgjë, si në asnjë vend tjetër demokratik. *Sekretar i PR i partisë ‘Zgjidhja’

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet