Abdurrahim Ashiku: Universiteti i parë në Shqipëri dhe niveli shumë i lartë arsimor krahasuar me emigrantët e tjerë apo grekët
Shkas për atë debat, ose më mirë të themi “leksion” njohës të historisë së Shqipërisë së kohës sonë, u bë një fjalë e përdorimit të gjuhës greke, një pyetje, një habi me pasthirmë dhe një spjegim në gjërësi dhe thellësi.
Fjala është për ciklin “Dhelta” ose ciklin e lartë të njohjes së gjuhës, historisë dhe kulturës greke që zhvillohet nën kujdesin dhe financimin e Ministrisë së Arsimit dhe Besimeve Fetare të Greqisë. Në këtë kurs marrin pjesë të huaj nga vende të ndryshme të Lindjes e të Perendimit, kuptohet edhe nga Shqipëria, të angazhuar në punë.
Mësuesja, një filologe e përgatitur, i kërkoi një shqiptari që me fjalën e re të tregonte se kur është ngritur në Shqipëri Universiteti i Parë.
Shqiptari e ndërtoi në çast fjalinë dhe iu përgjigj pyetjes:
– Universiteti i parë në Shqipëri është krijuar në vitin 1957.
– Kur, kur ?! – pyeti e befasuar mësuesja
– Kur ? ! pyetën thuajse njëzëri të gjithë pjesmarrësit.
– Është krijuar në vitin 1957. – sqaroi studenti shqiptar duke i rrokëzuar fjalët.
Këtu nisi debati, një debat që shprehte habi. Secili nga studentët tregonte se kur është krijuar universiteti në vendin e vet. Duhet thënë se në këtë kurs ka studentë nga Rusia, Ukrahina, Bullgaria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, madje edhe nga Afrika e Jugut…
Shqipëria kishte universitetin më të ri në botë!
Këtu filloi “leksioni”. Shkas u bë një pyetje e dytë: “Si shpjegohet që emigrantët shqiptarë kanë nivel shumë të lartë arsimor krahasuar me emigrantët e tjerë, madje edhe me vendasit?
Shqiptarët hynë në historinë e tyre të re me një nivel arsimor më të ulëtin në Evropë dhe një nga më të ultit në botë. Në vitet 1946 – 1947 në shtypin e pakët të kohës ( Bashkimi, Zëri i Rinisë ) dhe në propagandën gojore qarkulloi parrulla “ Bukë dhe kulturë për popullin “ dy gjëra që përbënin legjendën e dhimbshme të popullit shqiptar. Kurset kundër analfabetizmit hodhën rrënjë edhe në kullat më të largëta të vendit. Mësues ishin ata që dinin të tridhjetë e gjashtë gërmat e alfabetit, që dinin të gërmëzonin fjalët e të formonin fjali. Për fletore u përdorën pllaka guri dhe lapsa guri. Shqipëria, për disa vite radhazi përjetoi shkollimin më masiv që njihej për të gjitha kohët. Lufta klundër analfabetizmit u bë një betejë për dije e kulturë…
Shkollat fillore u shtuan shpejt në numër duke u shtrirë në formën e “shkollave dimërore” dhe “shkollave verore” në të gjithë vendin. Mësues u bënë ata që i mbaronin ato me rezultate të mira. Kështu ndodhi që ai që mbaroi filloren të mbahej mësues për filloren ashtu siç ndodhi edhe për tetvjeçaren dhe të mesmen…
Kështu do të ecej në vitet e para derisa do të krijoheshin institutet e profileve të ndryshme, kryesisht të profilit pedagogjik, historik, bujqësor, politeknik, etj.
Kështu do të vazhdohej deri në vitin 1957 kur institutet e larta që ndodheshin në Tiranë do të bashkoheshin e do të formonin Universitetin e Parë Shqiptar, Universitetin e Tiranës.
Universiteti i Tiranës si dhe institutet e tjera të larta të hapura në Shkodër, Gjirokastër, Korçë etj. do të krijonin kushte dhe kuadrin e nevojshëm që jo më arsimi tetëvjeçar, por edhe ai i mesëm të shtriheshin në çdo fshat e qendër fshatrash duke bërë që në vitet tetëdhjetë shqiptarët të arrinin në një nivel të përgjithshëm arsimor që qëndronte përkrah vendeve më të zhvilluara të kohës.
Ajo ditë mësimi në “Stratigu Dhanli 53” në “Kato Patisia” u shndërrua nga një ditë e mësimit të gjuhës greke në një ditë të mësimit të historisë dhe kulturës të një vendi që ka numrin më të madh të emigrantëve në Greqi, të një vendi që i ka përcjellë botës emigracionin më të shkolluar të të gjitha kohërave.
Kjo temë, ajo e dijeve dhe kulturës të emigrantëve shqiptarë, që shpesh befason grekët kur përballen me punën praktike të tyre, pak (për mos me thënë fare) është lakuar. U desh një pyetje e filologes greke, një “leksion” i studentit shqiptar, që auditori i vockël i një klase të mësojë se si një vend i vogël, me universitetin dhe institucionet shkencore më të reja në botë, ka krijuar një dinjitet dhe autoritet që të habit…
Sot në Shqipëri ka shumë universitete, shtetërorë dhe privatë, ndoshta më shumë se çdo vend tjetër në botë, krahasuar me numrin e popullsisë dhe sipërfaqen e vendit.
Leave a Reply