“45 mijë euro ia dhashë dikujt me pushtet”, si mashtronte 33-vjeçarja

Zbardhet dosja e Prokurorisë së Tiranës ndaj shtetases Amarilda Leka, e akuzuar tashmë për mashtrim. Nga “fejesa” në Facebook deri tek planet për të marrë 60 mijë euro të dënuarit nga Tepelena. Dëshmitë dhe kallëzimet ndaj saj

Xhentila Gjoshi

Gjykata e Tiranës ka lënë në “arrest me burg” për Amarilda Lekën, e cila akuzohet për mashtrim se i ka marrë një personi shumë e 60 mijë eurove duke u hequr si gjyqtare dhe i kishte premtuar se do i nxirrte nga burgu kunatin. Sipas dosjes së Prokurorisë që e disponon edhe “Shekulli”, thuhet se shtetasi Bajazit Zeneli, ka kallëzuar se para rreth tre vitesh ai është mashtruar duke i marrë një shumë rreth 60 mijë euro, nga shtetasit Amarilda Leka dhe Julis Guri që jetojnë në Tiranë. Sipas prokurorisë, Julis dhe Amarilda i janë prezantuar si të fejuar. Julis Guri ndërkohë, ka deklaruar para oficerëve të policisë gjyqësore se, është njohur me shtetasen Amarilda Leka me anë të rrjeteve sociale dhe konkretisht Facebook. Amarilda është shprehur ai, është prezantuar si gjyqtare pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda. Ajo i ka thënë që “kam mbaruar shkollë në Amerikë dhe kur u ktheva në Shqipëri kam punuar si sekretare pranë një ish-ministreje, të cilën nuk ja mbaj mend emrin”. Një ditë ai ka qenë në një kafe së bashku me shtetasen Amarilda Leka dhe shtetasin Armand Mali. Armandi i ka thënë Amarildës në muhabet e sipër se “kam një mikun e babait që ka një hall, të lutem bisedo ta ndihmosh”. Amarilda i tha që “do shoh çfarë do të bëj, por ma sill ta takoj”.

Denoncimi

Ngjarja në fjalë, është regjistruar në Prokurorinë e tiranës më datë 21.09.2018, për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit” në bashkëpunim, me pasoja të rënda. Nga hetimet paraprake për këtë procedim penal ka rezultuar se shtetasi Bajazit Zeneli, ka kallëzuar se rreth tre vite më parë ai është mashtruar duke i marrë një shumë rreth 60 000 Euro, nga shtetasit Amarilda Leka dhe Julis Guri që jetojnë në Tiranë. Këta dy shtetas i kanë premtuar se do ta ndihmonin në shkallë të ndryshme të gjyqësorit për një të afërm të tij, që ishte duke u gjykuar për veprën penale të vrasjes. Shtetasi Bajazit Zeneli deklaron se ai fillimisht nëpërmjet një të njohuri të tij të quajtur Arben Prastaj është takuar me shtetasin Muhamet Mali, i cili quhet edhe Armand Mali. Ky i fundit njihej me shtetasin Julis Guri i cili ishte i fejuari i shtetases Amarilda Leka. Kallëzuesi është takuar me këta persona te lokal “U****” ku Julis i ka thënë se për të nxjerrë kunatin e tij nga burgu mund ta ndihmonte Amarilda. Të nesërmen atë e ka marrë në telefon shtetasi Julis Guri i cili i ka nxjerrë në telefon Amarlidën. Kjo e fundit i ka thënë që “punoj si gjyqtare në Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe do të ndihmoj për problemin që ke”. Në kallëzimin e tij, shtetasi Bajazit Zeneli sqaron se këta dy shtetas në kohë, gjatë vitit 2015 dhe vende të ndryshme i kanë marrë shuma të ndryshme monetare, e cila në total arrin në shumën 60 000 euro. Shtetasi Bajazit Zeneli, shpjegon se shtetasi Julis Guri, e ka prezantuar shtetasen Amarilda Leka si të fejuarën e tij dhe kjo e fundit i ka thënë se “punoj në Gjykatën e Krimeve të Rënda si gjyqtare dhe do të ndihmoj për problemin, që ke”.

Dhënia e 60 mijë euro

Shtetasi Bajazit Zeneli i ka besuar dhe u ka dhënë shumën e parave por përsëri shtetasi Ali Mane i cili është kunati i tij, është dënuar me burgim nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda. Shtetasja Amarilda Leka i ka kërkuar shumën prej 50.000 euro duke pretenduar se do ta nxirrte nga burgu, pasi njihte dy gjyqtare në Gjykatë të Lartë. Kallëzuesi ja ka dhënë këto para por më vonë duke parë që nuk po zhvillohej gjykimi ka dyshuar se po mashtrohej nga këta persona. Më pas ajo ka marrë 5000 euro për të ulur çështjen për gjykim sipas saj në Gjykatën e Lartë dhe 5000 euro të tjera si hak pune. Më vonë ai ka marrë vesh se Amarilda ishte arrestuar për mashtrim. Ai ka takuar shtetasin Julis Guri, i cili ka thënë që “Amarilda ka rënë në burg dhe paratë do t’i ktheheshin pasi ajo të dilte nga burgu”. Pas kësaj duke parë që shtetasit Amarilda Leka dhe Julis Guri, i shmangeshin takimit dhe ballafaqimit me të si dhe duke mos marrë shumën e parave të dhëna atyre është paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore për të dhënë kallëzim.

“I fejuari” i Amarildës

Nga deklarimet e shtetasit Julius Guri rezulton se: Ai është njohur me shtetasen Amarilda Leka me anë të rrjeteve sociale dhe konkretisht Facebook. Amarilda i është prezantuar si gjyqtare pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda. Ajo i ka thënë që “kam mbaruar shkollën në Amerikë dhe kur u ktheva në Shqipëri kam punuar si sekretare pranë një ish-ministreje, të cilën nuk ja mbaj mend emrin”. Një ditë ai ka qenë në një kafe së bashku me shtetasen Amarilda Leka dhe shtetasin Armand Mali. Armandi i ka thënë Amarildës në muhabet e sipër se “kam një mikun e babait që ka një hall, të lutem bisedo ta ndihmosh”. Amarilda i tha që “do shoh çfarë do bëj, por ma sill ta takoj”. Pas disa kohësh ata janë takuar të tre me shtetasin Bajazit Zeneli nga Tepelena dhe u ulëm në kafe afër “Myslym Shyrit”. Amarilda u ka thënë që “dua të bisedoj me Bajazitin”. Ata u larguan nga tavolina dhe kur kanë dalë përjashta, Armandi i ka thënë që “Amarilda e mori përsipër Bajazit, t’i mbarojë punë”. Herën e dytë janë takuar tek i njëjti lokal përsëri të katërt dhe pasi pinë kafe, ai me Armandin janë çuar për të dalë, ndërsa Bajaziti ka thënë “një minutë” dhe ka biseduar me Amarildën dhe i ka dhënë diçka. Pas rreth dy-tre ditësh, Julisi është takuar me Amarildën dhe ajo i ka thënë që “do t’ia kryej porosinë Bajazitit, pasi në lokal kur pimë kafe herën e fundit, Bajaziti më ka dhënë 45.000 euro dhe këto euro ja dhashë dikujt, një personi me pushtet”, emrin e të cilit ma tha, por nuk e mban mend.

Takimet

Përveç këtij rasti ata janë ulur edhe dy ose tre herë për kafe me Bajazitin. Në këto raste Amarilda i thoshte Bajazitit që “Çdo gjë është ok, është e mbaruar, është në rregull”, dhe ai pasi e dëgjonte gëzohej. Ai shpjegon se e ka çuar Amarildën dy ose tre herë për takim me Bajazitin afër “Komunës së Parisit”. Janë ulur të tre në kafe dhe një herë e ka pritur në makinë. Ai ka folur më pas me Bajazitin i cili i ka thënë që Aamrilda i ka marrë 60.000 euro me preteksin se do t’i mbaronte punë në gjykatë. Disa kohë më pas ai ka marrë vesh që Amarilda është arrestuar për mashtrim dhe që nga ai moment nuk ka patur kontakt me të.

Akuza

Seancën e zhvilluar ditën e djeshme në Gjykatën e Tiranës, prokurori u shpreh se për këtë dosje janë administruar vendimet e dënimit të shtetasit Ali Manaj nga Gjykata e Shkallës së parë për Krime të Rënda nga ku ka rezultuar se ai është dënuar për veprat penale të “Vrasjes për gjakmarrje” në bashkëpunim mbetur në tentativë dhe “Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër” si dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 78/a 22- 25 , 77 dhe 278/2 te K. penal. Nga sa më sipër, ka dyshime që shtetasja Amarilda Leka ka kryer veprën penale të “Mashtrimit, me pasoja të rënda”, parashikuar nga neni 143/3 i K. Penal. Ekzistojnë kushtet që ndaj shtetases Amarilda Leka, duke marrë në konsideratë që ajo i fshihet hetimit të caktohet një masë. Prokurori i çështjes i tha gjykatës se ekzistojnë nevoja të rëndësishme sigurimi për vendosjen e një mase sigurimi, pasi e dyshuara është larguar dhe i është shmangur hetimit. Ndaj në përfundim, ndaj saj u kërkua dhe vendos masa e sigurimit personal, “Arrest me burg”.

Kush është Amarilda Leka

Amarilda Leka, 33-vjeçarja është një emër mjaft i njohur për Policinë e Shtetit. Ish-asistentja e ish-ministres Milena Harito, shtirej si juriste dhe është arrestuar edhe herë të tjera, për të njëjtat arsye teksa ka zhvatur para nga të arrestuar, duke u premtuar se do të ndërhynte tek gjyqtarët dhe do t’u mundësonte atyre lirinë. Por ëndrra e 33-vjeçares është ndërprerë nga blutë e kryeqytetit që e pikasën sërish Lekën, të përfshirë në një mashtrim.  Amarilda Leka u arrestua në vitin 2015 pas denoncimeve të shumta ndaj saj dhe është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burg nga Gjykata e Tiranës për veprën penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm të personave që kryejnë funksione publike dhe akuzën e kallëzimit të rremë”.

 

 

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet