
Pirro Naçi
Nga fillimi i këtij viti, Ministria e Turizmit, lajmëronte nga Saranda se sezoni turistik do të ‘’çelet’’ më 1 maj. Shumë bukur. Nuk e di se si mendonte apo se çfarë planesh kishte Ministria apo Bashkia e Sarandës për këtë eveniment që ‘’përcaktonte’’ datën,( orën jo). Një ‘’përcaktim’’ pak si t’i biesh murit me kokë, se sezoni në këtë qytet vjen shumë më herët. ‘’Çelja’’ është kthyer në një traditë që ka si pikësynim promovimin e turizmit, por pse jo edhe plotësimin dhe akomodimin e hoteleve dhe restoranteve me frekuentues nga Shqipëria dhe më gjerë.
Një ndihmë e madhe ekonomike për vendasit…
Format dhe mëmyrat kanë qënë nga më të ndryshmet. Të gjitha kanë pasur veçantitë e tyre. Këtë vit do të doja të ishte disi më interesante, që t’i ngjante pak Korfuzit. Për pashkët, ky ishull zinte vendin e parë për kërkesen e ofertës, nuk gjeje dhomë të lirë. Një traditë dhe përvojë që e kemi tek dera e shtëpisë, por nuk e ‘’shohim’’ dot. Nuk e bëjmë dot me pashkët dhe as me festat e tjera lokale, hajde ta bëjmë me më 1 maj. Jo më shumë për festën se sa për ditët që ke në dispozicion.
1maji do të festohet më 2 maj, të hënën. Kjo do të thotë një ditë më shumë në Sarandë do të thotë më shumë të ardhura për hotelerinë dhe restorantet, për qytetarët e saj. Një mundësi për të menduar dhe vepruar për një ujkend shumë të bukur për në Sarandë. Muaj dhe ditë të tëra në dispozicion…Ja ku po afron edhe dita…Rezultati?….1maji njësoj si 1 prilli!!! ‘’Të zgjasim sezonin turistik’’- një slogan që e dëgjojmë çdo vit. Por si do ta bëjmë…? Jo çdo gjë ta presim dhe ta matim vetëm me vizitorin e huaj. Ministria e Turizmit në bashkëpunin me pushtetin lokal duhet të nxisë, të promovojë dhe të ndihmojë krijimin e një kulture të re në të bërit turizëm… Nuk mund të lëshë asnjë ditë të ikë bosh, pa vizitorë. Nuk them që Ministria apo Bashkia të bëjë punën e operatorit turistik, por as të merret përditë me heqjen e mbeturinave apo me grafikët e koshave të plehrave… Duhet më shumë fantazi për të punuar me turizmin. Format dhe mënyrat janë të shumta
Për shembull, binjakëzimin me Korfuzin përse e kemi? Nga 18 orkestrat Filarmonike që ka Korfuzi, 5-6 nga to mund të vijnë në Sarandë dhe 10-12 të tjerat nga e gjithë Shqipëria qoftë edhe nga Kosova, Mali i Zi, apo Opatija do të krijonin orkestrën më të madhe që mund t’i thoshte ‘’MIRESEARDHJEN’’ sezonit turistik jo vetëm në brigjet e Sarandës, por të ‘’dëgjohej’’ në gjithë Jonin dhe Adriatikun. Mund të vazhdoja edhe me bashkëpunimin me shoqatat e lundrimit të Korfuzit apo përtej Adriatikut, që mund ta mbushnin gjirin me një pamje që do t’i shtonin vlerat qytetit, por edhe një farë kënaqësie për vizitorin…Nuk do të doja të zgjatesha me shumë në ‘’fantazitë’’ se si mund të bëhet çelja e sezonit turistik. Kjo nuk është puna ime, as t’i jap mendje askujt, por njëfarë ‘’xhelozie’’ e kam…Atë djalin e vogël që shkelmonte topin nga stadiumi i ri ‘’Kukës Arena’’ do të doja ta shikoja edhe në Sarandë, ndoshta edhe në çeljen e sezonit turistik me nënën dhe babën e tij, thjesht dhe vetëm për të pushuar dhe jo për ta bërë ‘’maskot’’ në faqet e fb-së…11 000 like nuk ishin pak! Nga dita më ditë ‘’parcela’’ e Facebook-ut po mbushet gjithnjë e më shumë me një farë ‘’bimë’’ që quhet ‘’like’’. Nuk e di se sa efekte kurative apo impulse pozitive sjell edhe për ‘’shëndetin’’?. “Gjella me kripë dhe kripa me karar”.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply