Zyrtari çeçen ka kundërshtuar raportin e gazetës ruse për ekzekutime

August 1, 2017

Zyrtari çeçen, Dzhambulat Umarov, e ka hedhur poshtë një raport të gazetës së respektuar ruse, Novaya Gazeta, se 27 çeçenë ishin ekzekutuar pa proces gjyqësor. Zoti Umarov, minister për shtyp dhe informacion në Çeçeni, që është rajon në Kaukazin Verior të Rusisë, tha mbrëmë se autoritetet e Çeçenisë rregullisht i arrestojnë njerëzit e dyshuar për aktivitete terroriste dhe raportet e gazetës nuk kanë dëshmuar se ndonjë individ është ekzekutuar.

Këto komente Umarov i ka bërë disa orë pasi është publikuar raporti në Novaya Gazeta. Tregimi i kësaj gazete, është i bazuar në një raport të publikuar më herët në muajin korrik për 27 individë, që dyshohet se janë ekzekutuar pa proces gjyqësor, pasi ata ishin implikuar në të shtëna me policinë më 17 dhjetor, në kryeqytetin Grozni të Çeçenisë. Në raportin e dytë janë përfshirë më tepër detaje dhe fotografitë e 24 personave, në bazë të materialeve që ishin marrë nga policia në Çeçeni. Lideri i fuqishëm i Çeçenisë për një dekadë është Ramzan Kadyrov, i mbështetur nga Kremlini. Në raport, po ashtu, ka dyshime se të afërmit e çeçenëve të zhdukur ishin detyruar t’i nënshkruajnë dokumentet duke thënë se individët ishin larguar nga Çeçenia dhe se ata nuk kanë bazë për paraqitjen e raporteve për personat e zhdukur. Novaya Gazeta e ka zemëruar pa masë Kadyrovin me një seri të raporteve për abuzime të rënda të dyshuara, përfshirë torturë dhe ekzekutime, nga agjencitë për zbatimin e ligjit dhe forcat paraushtarake, të cilat janë nën mbikëqyrjen e Kadyrovit.

Në abuzimet e fundit përfshihet edhe raporti aktual për një fushatë të dyshuar të dhunës kundër homoseksualëve në Çeçeni. Kadyrov dhe zyrtarët e tjerë të lartë të Çeçenisë disa herë i kanë hedhur poshtë këto raporte duke i cilësuar si të pavërteta. /Rel/

/D.Xh/