Zonat rurale në Amerikë dhe qasja në internet

Publikuar më 04. 01. 2018 nga Dionis Xhafa

Më shumë se 19 milion amerikanë ende nuk kanë qasje në internet në shtëpitë e tyre, sipas Komisionit Federal të Komunikacionit. Në komunën Garret në shtetin Meriland, udhëheqësit lokalë dolën me një plan novator për të sjellë internet tek komuniteti i tyre. Materiali në vazhdim na njeh me këtë plan interesant që edhe shtëpitë më të largëta të mund të kenë internet.

Banorët e kësaj pjese të largët të Merilandit e mbajnë mend ditën që u futën në internet për herë të parë.

“Ishte një bekim që të kisha internet në shtëpi.”

“Interneti që kemi tani është shumë më i mirë nga ai që kishim më parë.”

Është e vështirë të kesh internet në disa zona rurale në Shtetet e Bashkuara. Kompanitë qëndrojnë larg këtyre zonave. Cheryl Deberry është specialiste me Departamentin e Zhvillimit Ekonomik në komunën Garret.

“Fibrat optike për një kilometër mund të kushtojë nga 10 deri 20 mijë dollarë. Varet po të gërmosh në zona shkëmbore apo shtresa argjilore, gjërat vështirësohen.”

Interneti celular apo satelitor ishte e vetmja mundësi për disa. Por sinjali ishte ende i dobët dhe fatura tejet e lartë. Drejtuesit lokalë kërkuan të gjenin zgjidhje.

“Morëm një firmë konsulente për të parë mundësitë për ne në male. Ata dolën me një plan për të dërguar internet përmes sinjaleve të vjetra televizive”, thotë zonja Deberry.

Një sistem i komplikuar që përdor kanalet e pashfrytëzuara televizive dhe antenat. Një nga përfituesit është sipërmarrësi Steve Kauffman. Tani biznesi i tij po korr sukses.

‘Koha është flori, ndaj kur e bëjmë punën më shpejt dhe më me efikasitet, kjo do të thotë më shumë para.”

Kompania e tij jo vetëm që merr sinjalin, por e përçon tek shkolla duke sjell buzqeshje tek mësuesit dhe nxënësit. Arlene Lants është mësuese.

“Më duhej që të shkoja në shtëpi për të bërë vlerësimin e nxënësve pasi interneti në shkollë ishte shumë i ngadaltë. Kjo ishte pengesë si për mësuesit asthtu edhe për nxënësit.”

Një vit më parë 200 shtëpi u lidhën në internet. Rreth 3 mijë klientë po presin të regjistrohen. Banorët lokalë shpresojnë që kjo do të përshpejtojë ritmin e zhvillimit ekonomik në komunë. /Zëri i Amerikës/