“Zjarri i natës”, infeksioni që çon deri në verbim

Nga Entela Ramosaço (Kolovani), mjeke infeksioniste në QSUT

Herpes zoster apo “Zjarri i natës”, siç njihet nga njerëzit, është një sëmundje infektive e shkaktuar nga i njëjti virus që shkakton edhe variçelën apo linë e dhenve, i cili bën pjesë në familjen e “Herpesviridaeve”, familje në të cilën bëjnë pjesë edhe viruse të tjerë herpetikë, shkaktarë të sëmundjeve të tilla si herpes labial apo genital, mononukleoza infektive, CMV, etj. Variçela është një sëmundje e cila kalohet kryesisht në fëmijëri me temperaturë dhe vezikula të përhapura në të gjithë trupin, ndërsa Herpes Zoster shfaqet nga riaktivizimi i këtij virusi, i cili është prezent në organizëm në gjendje latente (të fjetur), dhe që manifestohet me erupsione vezikulare, të cilat vendosen nga njëra anë e trupit, që janë të dhimbshme e që kufizohen në një apo disa dermatomerë.

Në pjesën më të madhe të rasteve sëmundja shfaqet si pasojë e riaktivizimit endogen të virusit, i cili qëndron prezent në organizëm për vite të tëra në gjendje latente, pas infeksionit me variçelë që konsiderohet edhe infeksion primar në këtë rast. Gjatë infeksionit primar (variçelës), viruset kalojnë nga vezikulat kutane, nëpërmjet fijeve nervore, për t’u “strehuar” në ganglionet spinale dhe kraniale, ku edhe ruajnë infeksiozitetin e tyre. Janë pikërisht antikorpet qarkulluese që e mbajnë virusin joaktiv për vite të tëra. Në momentin kur ulet imuniteti i organizmit, virusi shumëzohet me shpejtësi në ganglionet nervore sensore dhe po nëpërmjet rrugës nervore, arrin në lëkurë, ku edhe nxit formimin e vezikulave karakteristike të këtij infeksioni, të lokalizuar siç u përmend më sipër.

Shenjat dhe simptomat e hershme të HZ 

Shenjat e para të simptomave të zosterit janë djegia apo dhimbja bezdisëse dhe ndonjëherë mpirja e lëkurës apo nën të, në zonën e prekur. Pacienti mund të ketë ethe, dhimbje koke apo edhe të përziera. Dhimbja e HZ mund të jetë mesatare deri në intense, shpesh njerëzit e përshkruajnë si mjaft rebele. Pacientët me zoster të trungut mund ta ndjejnë në formë spazmash edhe në prekjen apo ngacmimin më të lehtë.

Shfaqja në lëkurë

Pas 48-72 orë nga këto shenja dhe simptoma, në lëkurë fillojnë e shfaqen disa fshika (vezikula) të vogla, të mbushura me likid, të ngjashme me linë, në zonën më të skuqur të lëkurës. Ato shfaqen me intervale, për një periudhë prej 3-5 ditësh. Vendi ku ato shfaqen (gjithmonë uni-laterale, në fytyrë, trung, zonën lumbare, në kofshë) na jep njëkohësisht të dhëna për lokalizimin e deritanishëm të virusit, që i korrespondon dermatomerit të inervuar nga një nerv specifik sensor që e merr zanafillën nga truri apo korda spinale. Pas daljes, vezikulave do t’u duhet një deri në dy javë për t’u krustëzuar. Krustat, nga ana e tyre, kërkojnë një periudhë tjetër dyjavore për t’u përtharë. Dhimbja ndërkohë vjen duke u pakësuar, por ajo shpesh vazhdon me muaj, deri edhe vite.

Komplikacionet: 

Në mjaft raste ndodh që dekursi klinik i HZ të komplikohet. Komplikacionet përfshijnë:
• Herpes zoster oftalmik (i syrit)
• Herpes zoster otik (i veshit)
• Zosteri sacral
• Neuralgjia postherpetike
• Encefaliti
HZ oftalmik apo i syrit ndodh kur në infeksion përfshihet nervi që shkon në sy, i njohur edhe si nervi oftalmik, ku problemi më i shpeshtë është uveiti anterior, që është inflamacioni i irisit (pjesa e koloruar e syrit). Kjo mund të shoqërohet me skuqje të syrit, apo ulje të shikimit. Në disa raste ky komplikacion mund të çojë në verbim të përkohshëm apo edhe të përhershëm. HZ i veshit apo sindromi Ramsay Hunt tip II, është një komplikacion i shpeshtë. Shkaktohet nga përhapja e virusit në nervat facialë (të fytyrës).

Karakterizohet nga dhimbje intense të veshit, rash rreth veshit, gojës, qafës, faqes dhe paralizë të nervave facialë. Po ashtu mund të shoqërohet edhe me probleme me shqisat, si të shijes në pjesën e përparme të gojës dhe humbje të dëgjimit, si dhe marrje mendsh. Komplikacioni më i shpeshtë i HZ është neuralgjia postherpetike. Kjo i referohet dhimbjes së zonës së prekur për muaj të tërë apo edhe vite, pasi rashi në lëkurë të jetë shëruar. Trajtohet me vështirësi dhe mund të jetë invalidizuese. Zosteri sakral shfaqet kur virusi prek nervat që kontrollojnë funksionin e fshikëzës së urinës. Simptomat janë paaftësi për të urinuar, ndjenja e urgjencës për të urinuar, por e pamundur për t’u realizuar, apo urinim me pika.

Të tjera

Abissnet