“Zhizel”, Enada Hoxha: Po çojmë përpara ëndrrën e maestros, Agron Alisë!

Foto 1 nga 5 Pas Para

Rikthehet në skenë vepra e parë e huaj, që mjeshtri i koreografisë, Agron Aliaj, vendosi në skenë. Enada Hoxha vendosë të ruajë koncept-idenë që koreografi la në partiturën e tij të shënimeve. Ajo rrëfen variantin e ri të “Zhizel” dhe  punën me Alinë

 Anila Dedaj

“Zhizel” vepra e parë botërore që mjeshtri i baletit Agron Aliaj vuri në skenën shqiptare rikthehet në nder të tij. Ky vit do të shënonte 85-vjetorin e lindjes për koreografin, që mundi t’i dhurojë publikut shqiptar emocionet e paimagjinueshme të artit të kërcimit.  Dhe ja, 3 dekada pas vënies në skenë për herë të parë të këtij baleti, trupa e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit e risjell si homazh për “Mjeshtrin e Madh” në 9, 10 dhe 11 nëntor në skenën e ArTurbinës. Është kjo edhe një mënyrë për shpënë përpara amanetin, ëndrrën që  brezi i ardhshëm të çonte baletin përpara… E pohon këtë,  Enada Hoxha, drejtore baleti e TKOB dhe njëkohësisht baletmaestër e “Zhizel”.  Por a do të vijë kësaj here ndryshe kjo pjesë? Enada rrëfen se nuk mund ta imagjinonte “Zhizel” të konceptuar ndryshe, pasi pavarësisht prurjeve moderne që i është bërë kësaj vepre në skenat botërore deri në lakuriqësi, bukuria e saj qëndron pikërisht në elementët e thjeshtë. Kështu që, edhe pse një produksion i ri në skenografi, kostume apo ndriçim, kjo vepër do të realizohet mbi idenë që konceptoi, realizoi dhe la në partiturën e tij të shënimeve mjeshtri Agron Aliaj. Skenografia e realizuar nga Renold Sula, sjell një pamje të qetë të një fshati me natyrë ndjellëse, duke iu përshtatur subjektit dhe duke të dhënë mundësinë për të shijuar baletin, ndërsa përsa i përket kostumografisë, së realizuar nga Ardi Asllani janë avancuar idetë bazike të kostumografit Shaban Hysa, duke e sjellë në kohë. Kjo shfaqje që shënon një gjest vlerësimi ndaj punës së paçmuar që Aliaj i ka lënë skenës shqiptare dhe në vijim të kalendarit artistik 2019 do të pasohet nga të tjera. Enada Hoxha rrëfen më gjatë koreografin dhe njeriun që e udhëhoqi drejt skenës së madhe…

Si është të ecësh në gjurmët e Agron Alisë?

Unë nëse flas për profesorin, emocionohem dhe përlotem nuk i shpëtoj dot. Më mungon shumë edhe është një figurë që unë jam rritur, e që jetoj me të përditë. Unë në çdo moment të punës sime, qoftë kur punoj vetë apo qoftë kur punoj me trupën, unë Kam fjalët e tij. “Enada puno, Enada dua të të shikoj në skenë. Dua të shikoj të rinjtë që vazhdojnë këtë art të bukur”, kështu që unë e kam shumë të fortë mesazhin e tij. Edhe sigurisht që për mua është nder dhe përgjegjësi e madhe që të jem sot të rivendos në skenë “Zhizel”, që ishte vepra e tij e parë botërore që vendosi në skenë, pasi viheshin vetëm vepra shqiptare.  Kështu që nuk është e thjesht, pasi punon me breza të ndryshëm, me kolegë që më kanë shoqëruar për vite, me balerinë të rinj. Ndaj për mua përgjegjësia është komplekse, krahas faktit që më duhet të çoj përpara punën e një koreografi që më ka mbështetur gjithë jetën. Mirëpo kam fatin, që të kem mbështetje nga stafi i përgjithshëm e mandej edhe nga kolegët, të cilët me shumë dashamirësi kanë pranuar prezencën time dhe ndihmën time njëkohësisht.

20 vite me Agron Alinë çfarë do të evidentoje gjatë këtij rrugëtimi?

Unë gjatë këtij rrugëtimi me maestron kam parë një pasion të madh nga ana e tij, edhe nga ana ime dhe kjo ishte që na bënte bashkë të dyve, sepse gjenim gjuhën e përbashkët pikërisht prej pasionit që kishim për këtë profesion. Puna mandej është një pikë tjetër. Pasi gjatë gjithë kohës përsëriste: “Punë, punë!” e shikonte se unë punoja fort. Ajo që më kujtohet janë orët e pafundme që punonim së bashku, dedikimi i tij shpirtëror, sepse kur punonim së bashku ai dilte jashtë kornizave dhe shikoja një Agron tjetër në shumë dimensione. Mbaj mend fjalët e tij të ngrohta përsa i përket punës. Maestro më thoshte gjithmonë: “Mos e lërë kurrë skenën, vazhdo të punosh dhe këtë unë mundohem ta përçoj tek brezi i riË.

A vjen “Zhizel” në një formë ndryshe?

Unë nuk mund ta imagjinoj dot “Zhizel” të sjellë në një formë ndryshe. Është e vërtetë që jashtë në botë është dhënë në formën më moderne të ndryshme, deri në lakuriqësi, por unë mendoj që kjo është një vepër kaq e bukur. Le të themi nga veprat koreografike të para të baletit botëror, kështu që unë mendoj, se më bukur që vjen në origjinal dhe në formën më klasike,mendoj se është e paimagjinueshme ndryshe. Ju e shikoni dhe vetë që një skenografi, e cila i përshtatet kaq bukur legjendës, edhe mandej kostumet dhe vetë koreografia që vjen puro-klasike.

Si e kujton momentin e bashkëpunimit me Agronë Alinë për këtë pjesë?

Me shumë emocion edhe për faktin se ka qenë baleti i parë që maestro ka besuar tek unë. Vazhdoj të shpreh dëshirën time, se unë do të doja që ta mbyllja karrierën po me këtë balet. Sigurisht në këtë moment nuk e kam të mundur daljen time në skenë edhe pse do të doja shumë të isha prezent në 85-vjetorin e tij të lindjes. Mirëpo unë respektoj kontratën që kam dhe jam i lumtur që sot gjendem në pozicionin e tij. Edhe them se edhe ky është nder!

Një balet më i thjeshtë në lëvizje po që kërkon interpretim…

Është e vërtetë se përsa i përket lëvizjeve është shumë më pak i komplikuar se sa baletet e tjera, mirëpo le të themi se në një vepër me elementë të thjeshtë, puna bëhet edhe më e vështirë! Sigurisht që ajo që bie në sy është interpretimi, sepse kjo është një vepër e fortë nga ana emocionale, sepse shkon deri në tragjedi. Protagonistja është një vajzë 18-vjeçare dhe solistët janë me të vërtetë të rinj për t’iu përshtatur moshës, por që sigurisht do një pjekuri, një studim të rolit. Unë jam munduar t’ua zbërthej në detaje duke dhënë edhe nga vetja, por sigurisht që secili nga ne ka individualitetin e vet edhe puna në tërësi varet nga ajo që jep secili prej tyre. Unë gjatë kohës që punoj me ta përfshihem tërësisht.

Përsa i përket përzgjedhjes së kastit për secilën nga netët?

Do të doja të mos gjendesha kurrë në këtë pozicion. Unë jam shumë e drejtë në përzgjedhjet e mia, por duke ditur se çdo balerin dhe çdo artist është shumë i prekshëm nga natyra, kanë problematikat e tyre dhe unë duhet të sillem me ta edhe si koreografe, edhe si kolege, edhe si nënë, pra ndaj një kompleks emocionesh me ta. Nuk është e thjeshtë zgjedhja e tyre, por unë jam fokusuar tek solistët aktual, të cilët kanë një status, si solistë të parë, të dytë etj., mirëpo natyrisht që ka pretendime edhe nga balerinët e tjerë dhe ne kemi qenë të hapur. Ne ndjekim një politikë tonën, ku çdo balerin është i lirë të dalë në audicion dhe të interpretojë rolin për t’u ballafaquar.

I keni mëshuar anës interpretative për përzgjedhjen e tyre apo lëvizjeve?

Të dyjave, sepse nuk është e thjeshtë. “Zhizel” kërkon një pjekuri artistike për të goditur nga ana interpretative, kështu që këto janë një kompleks gjërash dhe unë kam gjetur të mesmen e tyre. Unë akoma vazhdoj të them se është ende herët për të thënë se ka “Zhizel”. “Zhizel” vjen duke u pjekur sa më shumë të kërcehet, aq më tepër arrin ta pasurosh figurën e Zhizel-ës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Tradhtia e patriotizmit

Nga Koço Kokëdhima Në të njëjtën ditë që Rama përmbysi shqiponjën “korb” në hyrje të Tiranës, Macron në Paris fliste…

Abissnet