Zhdukja e mistershme e avokatit, sendet e tij gjenden në traget

Publikuar më 15. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Xhentila Gjoshi / Llambi Kallço

Policia italiane në bashkëpunim me Policinë e Durrësit, po heton në disa pista për zhdukjen e avokatit Besnik Muço. Dyshimet e para janë për rrëmbimin e 52-vjeçarit, por nuk përjashtohet mundësia e vetëvrasjes

Kanë kaluar 12 ditë nga zhdukja e avokatit Besnik Muço dhe ende nuk ka ndonjë të dhënë konkrete mbi destinacionin e tij përfundimtar. Zhdukja misterioze e avokatit është denoncuar në Itali nga bashkëshortja e tij Rajmonda dhe në Durrës, nga vëllai i tij Viktor Muço. Gjatë hetimeve të kryera, burime nga policia bënë të ditur se orët e para të mëngjesit të djeshëm, në tragetin e linjës Durrës-Bari janë gjetur sende personale të avokatit Besnik Muço. Ato janë një çantë të cilën e mbante me vete, një xhup dhe një leje qëndrimi italiane. Menjëherë pas gjetjes së tyre, me urdhër të prokurorisë së Durrësit ato u dorëzuan tek autoritetet italiane. Kjo pasi në policinë italiane bashkëshortja e avokatit Rajmonda Muço ka bërë edhe denoncimin.

Ndërkaq duke qenë se një procedim është regjistruar edhe në prokurorinë e Durrësit, kjo e fundit mësohet se ka autorizuar policinë për të kryer disa veprime hetimore në interes të kësaj çështjeje. Hetimet e policisë italiane dhe asaj shqiptare po drejtohen në pistën e rrëmbimit dhe zhdukjes së personit. Muço jetonte mes Shqipërisë dhe Italisë. Në Shqipëri ai kalonte pjesën më të madhe të kohës për shkak se ushtronte profesionin e tij si avokat, ndërsa në Itali shkonte për të takuar familjen që kishte vite që jetonte aty. Nga ana tjetër, burime nga policia theksuan se pista e dytë për të cilën po hetohet është ajo e një vetëvrasjeje të mundshme, për shkak të problemeve që avokati mund të ketë pasur. Deri në vitin 1997, ai mësohet se kishte punuar si prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa më pas ka vijuar në profesion të lirë si avokat.

Sendet u gjetën nga punonjësit e tragetit

Sipas informacioneve nga uniformat blu, sendet personale të avokatit të zhdukur janë gjetur nga punonjësit e tragetit, ku ai ka hipur për të shkuar në Itali. Punonjësit e Tragetit ishin vënë në dijeni nga Policia e Durrësit për zhdukjen e avokatit, ndërsa gjatë kontrollit ata kanë mundur të gjejnë një çantë të braktisur. Avokati Muço e kishte lënë çantën në sallën ndenjëse të tragetit dhe është zhdukur pa lënë gjurmë. Nga këqyrja e sendeve personale, ka rezultuar se ato i përkisnin shtetasit shqiptar me nënshtetësi italiane Besnik Muço. Burimet thonë se pas denoncimit të vëllait të avokatit, Viktor Muço, nisën hetimet nga Policia e Durrësit dhe pritet të sekuestrohen pamjet filmike të Portit të Durrësit.

Nga këto pamje, pritet që të vërehet fakti se me kë ka hipur në traget Besnik Muço mbrëmjen e 2 nëntorit, duke u zhdukur pa lënë gjurmë pas. Analizimi i pamjeve filmike të portit të Durrësit, të pamjeve filmike të brendshme të tragetit por edhe të pamjeve të portit të Barit, pritet të hedhin dritë mbi zhdukjen e avokatit. Ndërkohë, Policia e Durrësit është duke pritur një letër-porosi nga autoritetet e prokurorisë italiane, ndërkohë që në vijim të hetimeve është kërkesa e policisë tek kompania telefonike celulare. Kompanisë celulare, policia tha se do t’i kërkohet të zbardhë tabulatet për të parë se më kë ka folur më datë 2 nëntor avokati Moço. Më tej, burimet thanë se gjasat që avokati të gjendet i gjallë janë të pakta, por po punohet për të gjetur ndonjë gjurmë të tij.

Hetimet për llogari të palës italiane

Meqenëse trageti kishte destinacion Italinë dhe avokati ishte nisur drejt Italisë, hetimet zhvillohen nga pala italiane. Pala shqiptare është ndihmëse e palës italiane. Avokati dyshohet se mund të jetë hedhur në det. Më datë 3 nëntor, bashkëshortja e avokatit, Rajmonda Muço mësohet se ka bërë denoncim në policinë italiane për zhdukjen e bashkëshortit të saj. Ajo është shprehur se e priste bashkëshortin në Itali, pasi ishte nisur nga Porti i Durrësit. Ai duhet të mbërrinte në Portin e Barit, por nuk doli asnjëherë nga trageti që mendohet të ketë hipur. E shqetësuar për të, Muço ka bërë denoncim. Deri më tani nuk ka shumë të dhëna mbi vendndodhjen e avokatit të zhdukur, ndërsa janë ngritur shumë pista hetimi. Si autoritetet italiane dhe ato shqiptare, kanë fokusuar hetimet e tyre në profesionin e 52-vjeçarit. Tashmë janë sekuestruar të gjitha dosjet që kishte marrë në shqyrtim avokati, për të zbuluar nëse kanë lidhje me zhdukjen e tij.

Denoncimi

Vëllai i avokatit Besnik Muço, që prej disa kohësh punonte në Tiranë si avokat i lirë, ka denoncuar në Policinë e Durrësit zhdukjen e tij që prej mbrëmjes së 2 nëntorit. Policia e Durrësit ka nisur menjëherë hetimet për këtë rast dhe po bën verifikimet e hyrje-daljeve në Portin e Durrësit. Sipas burimeve nga policia, në sistemin TIMS rezulton se avokati Muço ka bërë “check in” në Portin e Durrësit mbrëmjen e 2 nëntorit, por nuk dihet me saktësi ku dhe si mund të jetë zhdukur. Autoritetet shqiptare nuk e përjashtojnë mundësinë që ai të jetë zhdukur në tragetin e linjës Durrës-Bari, ashtu siç shkruajnë dhe mediat italiane. Ndërsa shtojnë se ka mundësi që edhe të mos ketë hipur fare në traget. Nga dëshmia e vëllait të tij, mësohet se Besnik Muço kishte dokumente të rregullta qëndrimi në Itali, ku prej vitesh jetonte me bashkëshorten dhe fëmijët.