Zhdukja e avokatit/ Detaje të reja nga hetimet, mister kufoma e gjetur në det

Publikuar më 07. 12. 2017 nga Xhentila Gjoshi

Zhdukja e papritur e avokatit Besnik Muço teksa udhëtonte me traget për në Itali, mbetet ende mister. Ngjarja ka ndodhur muajin e kaluar, ndërsa ende nuk ka dalë ndonjë e dhënë konkrete nga autoritetet italiane dhe shqiptare. Mësohet se kufoma e gjetur në ujërat e Leçes në Itali, për të cilën u hodh hipoteza se i përkiste avokatit shqiptar, nuk ka ende një emër.
Prokurorët Italinë në Macerata u kanë nisur një letër-porosi kolegëve të Durrësit, ku kërkojnë bashkëpunim për zbardhjen e misterit që rrethon fatin e avokatit Muço. 54-vjeçari rezulton i zhdukur që nga 2 nëntori, ditën që sipas deklaratave të familjarëve e të afërme, ai ishte duhet të linte Durrësin për të takuar familjen e tij, që jeton në Macerata. Bileta e tragetit për të shkuar në Itali u gjet “e shënjuar”, që do të thotë se personeli i tragetit e ka kontrolluar. Por, askush nuk mban mend ta ketë parë avokatin në mjetin lundrues. As pasagjerët e as personeli i tragetit. Në tragetin që u nis nga Durrësi me destinacion Barin, karabinierët kanë gjetur disa sende personale të avokatit. Ndërkohë, Prokuroria në Macerata ka hapur një fashikull për vrasje.
Denoncimet për zhdukje
Pasi humbi kontaktet me bashkëshortin, Rajmonda, e cila jeton në Itali, bëri denoncim për zhdukjen e të shoqit. Ajo tha se i shoqi duhet të kthehej me udhëtimin e 2 nëntorit në Macerata, ku çifti u transferua që prej fillimit të viteve ‘90 bashkë me fëmijën e parë. Ndërsa në Itali lindën edhe vajzën e dytë. Ndërsa në Policinë e Durrësit ka bërë kallëzim për zhdukjen e avokatit më 10 nëntor, vëllai i 54-vjeçarit. Kohët e fundit, Muço u kthye në Shqipëri për të ushtruar profesion si avokat për shkak se humbi punën në Itali në vrazhdën e krizës ekonomike, raportojnë mediat italiane. Ndërsa familja e tij vijoi të jetonte në Macerata. Avokati e vizitonte familjen disa herë në muaj. Besnik Muço ka punuar për një kohë të gjatë si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, dhe më pas ai u emërua në Prokurorinë e Përgjithshme deri në vitin 1997. Pas lënies në këtë vit të detyrës si prokuror në organin qendror të akuzës, sipas familjarëve, Besnik Muço ka kërkuar azil politik në Itali.
Kufoma e gjetur në Leçe
Më 5 nëntor në Castro, në krahinën e Leçes, u gjet në det trupi i një burri. Mediat italiane raportuan se kufoma mund t’i përkiste avokatit të zhdukur. Por, prokuroria italiane që po heton çështjen nuk ka marrë ende një përgjigje nga ekspertiza lidhur me faktin nëse kufoma e gjetur në det i përket avokatit.