ZGJIDHJA ka si mision Çështjen Kombëtare

Publikuar më 09. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Skënder S. Kapiti

Nuk do të ndalem këtu për të argumentuar me fakte historike të së shkuarës se përse gjithmonë e më shumë politikanët në Shqipëri kanë qenë dhe janë edhe sot demqarët, haramzadet dhe hajdutët e popullit të vët dhe se shumë prej tyre kanë qenë edhe antiamerikanë, pasi këtë e dinë tashmë pjesa më e madhe e opinionit shqiptar. Çështjen se pse SHBA janë aleati më i madh strategjik dhe jetik për shqiptarët e kam shkruar në një kapitull të veçantë te Libri “TRIUMFI I KOMBIT”. Dalja në skenën politike shqiptare e ZGJIDHJA si dhe miratimi dhe fillimi nga funksioni i VETTING-ut janë arsyet të cilat më shtynë për ta shkruar këtë shkrim.

Pra, nuk ka nevojë të shkojmë larg në kohë, por mjaftojnë të sjellim në kujtesë disa fakte të politikës dhe të politikanëve shqiptarë të këtyre 27 viteve të fundit si fakte, ngjarje, veprime dhe sjellje të politikanëve shqiptarë për të konstatuar antikombëtarizmin dhe antimerikanizmin e tyre.

Rezulton se politika dhe politikanët në Shqipëri janë vazhdimësia e atyre të ish-komunizmit sllavo-ortodoks antipernëdimorë, por që pas vetërënies së komunizmit, ish-komunistët më të zellshëm dhe servilë u konvertuan në demokratë të rrejshëm maskuar me hipokrizira patriotike dhe të proamerikano-europianizmit fals. Të jesh antikombëtar rezulton njëkohësisjht se je edhe antiamerikan, pasi gjithmonë prej 100 vitesh në momentet më të vështira dhe sa herë që është rrezikuar mbijetesa e shtetit shqiptar të Shqipërisë si dhe fakti se Shteti i sotëmi i pavarur i Kosovës pa rolin vendimtar të SHBA-së mos t’i shkojë ndokujt në mendje se do kishim sot Shtetin e lirë e të pavarur, Kosovën.

Sa për Tiranën politike kurrë nuk do të ishte çliruar Kosova, dhe politika e Tiranës kurrë nuk është interesuar seriozisht për çështjen kombëtare, dhe as nuk e ka kërkuar kurrë Bashkimin Kombëtar. Edhe gjatë Luftës më të fundit që çoi në Çlirimin e Kosovës ata që kërkuan dhe bënë maksimumin dhe të pamundurën për dëbimin e ushtrisë serbe nga Kosova janë SHBA-të. Alternativa politike ZGJIDHJA lindi si një domosdoshmëri, si antitezë ndaj politikës së partive politike shqiptare, kundër establishmentit politik dështak, korruptiv, antikombëtar, anti-integrues në Shqipëri.

Lindi si nevojë për ta vënë në lëvizje dhe në funksion proceduralizmin demokratik dhe konstitucionalizmin ligjor, pra për konsolidimin real të dmokracisë dhe të ndërtimit të shtetit ligjor. Kjo parti nisi si një lëvizje si ajo e presidentit amerikan D.Trump dhe ajo e Emanuel Makron në Francë. E veçanta e ZGJIDHJA është vizioni i themeluesit të saj z. Kokëdhima për zgjidhjen e problemit akoma të pazgjidhur shqiptar, ai i Bashkimit Kombëtar, ku për herë të parë ZGJIDHJA e drejtuar prej tij paraqet një program dhe strategji kombëtare dhe për këtë qëllim është ngritur edhe Departamenti pare shqiptar për Çështjen Kombëtare.

Nga politika shqiptare e Tiranës gjatë këtij tranzicioni për herë të parë seriozisht, me devocion dhe me program real për në favor të interesit kombëtar, me projekt konkret për Bashkimin Kombëtar është ZGJIDHJA. Kryetari i saj z. Kokëdhima konstatoi sidomos gjatë periudhës kur ai ishte deputet i Partisë Socialiste në Parlamentin shqiptar se: politika shqiptare dhe politikanët e saj si majtas dhe djathtas nuk kishin ndjesi sociale dhe aspak disponim për Çështjen Kombëtare.

Prandaj ai formoi edhe ZGJIDHJA-n. Vetë gjetja e këtij emërtimi të kësaj partie ka domethënien kuptimplotë të asaj që siç deklaron z. Kokëdhima se misioni i saj ka zgjidhjen e shumë problematikave demokratike, politike, ekonomike, kulturore e arsimore, të punësimit, të mirëqënies, të ndëtimit të shtetit ligjor, integrimit etj, por si kryeproblem ZGJIDHJA ka integrimin gjithshqiptar.

Së pari, ka zgjidhjen e problemit kryesor dhe të madh kombëtar: atë të Bashkimit Kombëtar. Ky vizion i Kokëdhimës vjen konform edhe asaj që edhe aleati i madh dhe i pazëvendësueshëm i shqiptarëve, SHBA-të, të cilat janë shprehur dhe kanë deklaruar shpeshherë se Ballkani është akoma problem i pazgjidhur, ku këtu ata kanë parasysh se duhet të zgjidhet problem kombëtar i pazgjidhur akoma i shqiptarëve. Kokëdhima kërkon integrim të tillë ku si Shqipëria dhe Kosova të kenë urgjentisht një sistem arsimor me tekste të njëjtë, të kenë një ministri arsimi e kulture, një diplomaci, përfaqësi diplomatike të përbashkëta nëpër botë për të dyja shtetet, qarkullim mallrash pa doganë, pra një treg panshqiptar.

Kokëdhima nuk ka as si vizion dhe as si praktikë deklarative mashtrimet dhe formalizmat e retorikave patriotike shterpë dhe false siç kanë bërë gjithnjë politikanët shqiptarë për vetëm interesa personale, ku si paraardhësit ashtu dhe së fundmi edhe kryeministri aktual me fasadën patriotike të mbledhjeve të të dy qeverive, të cilat nuk kanë prodhuar asgjë, por nga ana tjetër ai edhe proklamohet hapur duke promovuar edhe një farë tregu të përbashkët ekonomik për Ballkanin Perëndimor, i cili është një përpjekje e një rikonfigurimi tipik titisto-ish-jugosllav, ku në ish-Jugosllavinë e re të futet edhe Shqipëria. Kjo është në përputhje me plaformën serbe e përkrahur nga aleatët e saj historikë francezët dhe rusët. Pra, kjo përbën një kërcënim kombëtar dhe një antiamerikanizëm të një neoJugosllavizmi. Kokëdhima shprehet edhe thjeshtë, kur shqetësohet me të drejtë se si ka mundësi që shqiptarët nuk e sigurojnë akoma dot vetë ushqimin, pra nuk i plotësojnë vetë nevojat bazë ushqimore por importojnë drithëra, pra bukën, mishin dhe gjithçka tjetër.

Pra si është e mundur që në treg nuk ka produkte dhe mallra “Made in Albania”. Dhe kur të huajt vizitojnë Shqipërinë dhe i shohin dhe prekin nga afër realitetet si: keqfunksionimin e shtetit, të demokracisë dhe të drejtësisë, papunësinë, krimin, varfërinë, drogën si dhe kur mësojnë dhe historikun e Shqipërisë pyesin se: si ka mundësi që Shqipëria mbijetoi si shtet. Pra, a nuk është e vërtetë se shkaktarët e kësaj janë politikanët e mbrapshtë dhe partitë politike shqiptare dhe se për mbijetesën e shtetit shqiptar Shqipërinë si dhe për shtetin e ri shqiptar të Kosovës rolin vendimtar e kanë luajtur SHBA-të. Dihet tashmë roli i SHBA-së për demokracinë në Shqipëri, por dihet se shumë shpejt shpërtheu në Partinë Demokratike, nga regjimi berishist antikombëtarizmi dhe antiamerikanizmi i tij. Së pari regjimi i PD-së nuk ndërtoi dhe nuk punoi për demokracinë, por për një regjim autokratik personal të kryetarit të saj, duke i kapur të gjitha pushtetet dhe drejtësinë, pasojat e tij janë ato që për 27 vite e katandisën në këtë farë derexheje sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Berisha ishte edhe autori i rrënimit të ushtrisë shqiptare. Të dyja këto si autoritarizmi dhe shkatërrimi i ushtrisë ishin shumë të dëmshme kombëtarisht si dhe në kundërshtim edhe me politikën dhe diplomacinë e SHBA-së.

Në kohën kur rrezikohej gjysma e kombit shqiptar në Kosovë dhe kur SHBA dhe aleatët e saj kishin vendosur embargo kundër ish-Jugosllavisë së Millosheviçit, Shqipëria e regjimit berishist shkeli embargon ndaj Serbisë. Pra a nuk ishte kjo një politikë dhe sjellje antikombëtare dhe antiamerikane? Po tjetra edhe më e rëndë akoma, a nuk ishte tradhëti dhe antikombëtare marrëveshja e detit me Greqinë po nga Berisha, ku tinëzisht u anashkaluan edhe SHBA-të duke qenë kështu një marrëveshje komplotuese antishqiptare dhe antiamerikane? Për politikën e Tiranës nuk ka pasur asnjëherë interesim të duhur dhe serioz as për Çamërinë shqiptare, por heshtje dhe mosinteresim po.

Ndërsa Greqia mban të pushtuar Çamërinë dhe për ta ligjësuar dhe përjetësuar greqizimin e Çamërisë, shovinizmi grek shpiku dhe përdor kartën e Vorio-Epirit, për ta gllabëruar edhe Jugun e Shqipërisë, ajo mban akoma në fuqi edhe Ligjin e luftës me Shqipërinë. Për Shqipërinë dhe për politikanët e saj, çështja çame asnjëherë nuk ka për t’u zgjidhur. Atë do ta zgjidhin po SHBA-të, te të cilët besoj dhe shpresoj shumë, përderisa politika dhe diplomacia amerikane Ballkanin e shohin si një problem të pazgjidhur akoma.

Kjo është e vërtetë pasi edhe Shqipëria, edhe Kosova kufizohen rreth përqark me troje shqiptare. Vetëm politikanët shqiptarë kanë bërë tradhëtira dhe marrëzira kombetare, ku per interesa personale pushteti janë mbeshtetur dhe kanë kërkuar perkrahje te armiqtë e Shqipërisë, te serbët dhe grekët ne favor të rivalitetit politik ndërvite, por serbo-grekët nuk e bëjnë kurrë një gjë të tillë me shqiptarët per t’u kerkuar atyre ndihmë.

Politikanët shqiptarë për interesa personale pushteti e politike edhe u kanë falur territore tokësore dhe detare serbëve dhe grekëve. Tani le ta shohim, ta kujtojmë dhe të mos e harrojmë antiamerikanizmin me pasoja e dëme të mëdha që të dy politikat e mbrapshta e opozitës së Partisë Demokratike dhe të pushtetit të Partisë Socialiste si dhe shoqëria civile e manipuluar prej tyre refuzuan propozimin e SHBA-së për demontimin e armëve kimike të Sirisë, ku prej kësaj farë politike antiamerikane humbësi më i madh ishte interesi ekonomik, integrues, imazhi dhe prestigji ndërkombëtar i Shqipërisë, për rritjen e imazhit dhe të integrimit të Shqipërisë aq shumë energji politike e diplomatike konsumuan me këtë strategji SHBA, për të mirën kombëtare dhe integrimin e Shqipërisë.

Po kështu si shpjegohet ndryshe edhe “ndërhyrja” politike dhe mediatike e Kryeminstrit të Shqipërisë, Edi Rama, në prag të zgjedhjeve Presidenciale të SHBA-ve e për ta deklaruar hapur dëshirën e tij dhe t’u bëjë thirrje se cilin kandidat për President të SHBA-ve duhet ta votojnë dhe cilin mos ta votojnë votuesit amerikanë. Një gjë të tillë nuk e bënë asnjë kryetar shteti perëndimor dhe e bëri kryeministri shqiptar. Pra, për pushtetin e tij personal duke pasur besim të tepruar se do të fitonte kundërshtari dhe rivali i Donald Trump, dhe vetëm një servil dhe një miop politik e bën një gjë të tillë.

Arsye që më shtyu për ta shkruar këtë shkrim është edhe Miratimi i Reformës në Drejtësi, VETTING-u, i cili ma ngacmoi kujtesën dhe më solli në mendje për ato raste të cilat i preka shkurtimisht më lart, pasi edhe pengesat e mëdha dhe mosvullneti i paimagjinueshëm i politikës dhe i politikanëve shqiptarë shpalosi antikombëtarizmin dhe antiamerikanizmin e tyre. Politikanëve antikombëtarë dhe antiamerikanë tashmë u ka dalë boja. Ata retorikën patriotike dhe hipokrizinë proamerikane e kanë vetëm maskë politike mashtrimi në sipërfaqe dhe në dukje, por tinzisht dhe me tradhti të kamufluar, veprojnë për interesa të ngushta personale të tyre, si dhe për interesa të atyre që nuk ua duan të mirën shqiptarëve.

Armiqtë e Shqipërisë dhe të Kosovës nuk e duan konsolidimin e dy shteteve shqiptare dhe as integrimin e tyre në BE. Këtij synimi të tyre a nuk i shërben politika e Tiranës, ku prej saj në Shqipëri sundon padrejtësia, krimi, trafikimi i qënieve njerëzore, eksodi dhe droga. SHBA- përpiqen me çdo kusht që Shqipëria të ndërtojë shtetin ligjor, të luftojë krimin dhe korrupsionin. SHBA-të bënë të mundur miratimin e ligjit të VETTINGUT ndërsa politika dhe gjyqësori shqiptar sabotonin dhe punonin kundër.

Pra, politika antiReformë dhe antiVETTING a nuk ishte veprimtari e dëmshme kombëtarisht dhe njëkohësisht edhe antiamerikane? Populli shqiptar aspiron për progresin, për përparimin kunder korrupsionit dhe varfërisë. Shqiptarët aspirojnë integrimin dhe për këto aspirate ata kanë mbështetjen e madhe nga SHBA, ndersa politikanët shqiptarë me korrupsionin, me drogën, me krimin, me tradhëtinë bëjnë të mundur moszhvillimin, papunësinë, varfërimin e shqiptarëve dhe mosintegrimin e Shqipërisë. Pra zgjidhjen e këtyre problematikave kërkon Partia “Zgjidhja” si një domosdoshmëri imperative urgjente të cilat i paraprijnë Bashkimit Kombëtar.

*Autori është Drejtor i Departamentit për Çështjen Kombëtare pranë ZGJIDHJA-s. Është diplomuar për Agronomi, Jurisprudencë dhe nga Akademia Diplomatike “Për Marëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci”. Është studiues i politikës, filozofisë, fesë, historisë dhe të drejtës romake, bizantine, osmane, britanike, amerikane dhe franceze.ka botuar disa libra ku më kryesorët janë: “TRIUMFI I KOMBIT”, “MORALOKRACIA”, “NJERIU FILOZOF, ETIK DHE POLITIK”, “SHQIPTARËT, GREKËT, SLLAVËT,TURQIT DHE BALLKANI”.Ka në përfundim një libër voluminoz “ MBI TRANZICIONIN NË SHQIPËRI”. Ka shkruar dhe botuar dhjetra esse politike, filozofike dhe historike. Ai dhe familja e tij shquhen për tradita të mëdha fisnike dhe kombëtare, të cilët kanë dhënë  kontribut të jashtëzakonshëm për Çështjen Kombëtare sidomos për Çlirimin e Kosovës. Është pasardhës i pjesëmarrësit të Luftës Antifashiste Sadri Kapiti si dhe veteran i UÇK-së.