‘Zgjidhja’ garanton të ardhmen e vendit

Gylsen Zhllima

Anëtar i kryesisë së partisë ‘Zgjidhja’

Situata aktuale tregon qartë arrogancën dhe amoralitetin që ka zaptuar qeverinë, subjektin informal të quajtur ‘’Rilindje’’. Nga aty prej 6 vitesh kanë lulëzuar skandale të panumërt. Pandërshkueshmëria ndaj pushtetarëve të korruptuar, e bëri edhe qeverinë ‘Rama’ copy paste të keqqeverisjeve të viteve të shkuara, që u mbështet dhe bashkëpunoi me të ‘’fortët e lagjeve’ të Shqipërisë.

Qeverisja e sotme është përmbledhur te arroganca e një personi, që ka vënë nën kontroll të gjitha pushtetet, i rrethuar nga këshilltarë të këqij dhe servilë që po e shtyjnë drejt humnerës politike.

Kriza lindi nga arroganca dhe papjekuria politike e partive të vjetra që synojnë dëmtimin e Reformës në Drejtësi. Dëmtimi, kapja apo shkatërrimi me çdo formë e kësaj reforme, ka një përgjegjës me prova dhe fakte. Ajo quhet qeveria e Rilindjes ku kanë lindur dhe lulëzuar të gjitha skandalet. Kryeorganizatori është kryeministri me ortakët e tij, nga çdo fushë.

Na ndajnë pak ditë përpara se Shqipëria të diskreditohet faqe botës nga partitë e vjetra politike. Elita që na ka varfëruar, demek kërkon të na integrojë edhe në BE. Keqqeverisja po krijon azilkërkuesit politikë të brezit të dytë, që janë më të mbrojtur se ata të brezit të parë. Kjo qeveri nuk e ka kuptuar apo lexuar mirë Konventën e të Drejtave të Njeriut, ku të drejtat politike garantohen nga Kushtetuta e një vendi demokratik, nëse Shqipëria do të quhet vend demokratik edhe pas 30 qershorit.

Sot, përveç krizës politike, kemi krizën akoma më të thellë, atë juridike dhe institucionale, dhe rrezikshmëria e saj është më e madhe se kriza politike.

Partia ‘Zgjidhja’, si një forcë e re politike, pavarësisht këtyre rrethanave u ka kërkuar palëve në konflikt që të reflektojnë për të mirën e vendit. Ka kërkuar që kjo krizë e thellë politike duhet të kalojë nëpërmjet një Pakti Kombëtar dhe gjithëpërfshirës, me qëllim që kjo krizë të jetë e fundit.

Partia ‘Zgjidhja’ nuk merr rolin e policisë e as të drejtësisë, por në platformën e saj ka vendosur që nesër në qeveri të zbatojë ligjet në fuqi, duke pasur vullnetin politik dhe moral për të mirën e vendit dhe qytetarëve.

Partia ‘Zgjidhja’ flet me platformë dhe vizion për të ardhmen e vendit, në krahasim me të keqen që i kanë shkaktuar partitë e vjetra. Ajo, me përkushtim për të mirën e vendit, ka propozuar nisma konkrete për të shmangur krizat.

‘Zgjidhja’ bën betejë politike me kundërshtarët politikë, jo me individët që punojnë me ‘’të fortët ‘’ apo ‘’çunat’’ e tyre. Ajo punon për të ardhmen e vendit, për të patur një shtet dhe qytetarë të pasur ekonomikisht dhe moralisht, sistem drejtësie të pavarur dhe të paanshëm, punësim për të gjithë dhe me standarde.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet