“Zgjidhja” dhe “paria” e zgjedhjeve

Publikuar më 06. 01. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Feti Zeneli

Giovanni Sartori, një nga hulumtuesit më të spikatur të shoqërisë së hapur, i ka përcaktuar partitë si: “… grupim politik i identifikuar me një emërtim zyrtar, i cili paraqitet gjatë zgjedhjeve dhe ka aftësi, që nëpërmjet zgjedhjeve, të vendos kandidatët për zyrën publike.” Siç dihet, partitë politike janë një komponent mjaft i rëndësishëm i demokracisë. Me pjesëmarrjen në zgjedhje, përmes punës së tyre në legjislativ dhe ekzekutiv, si dhe me mobilizimin e qytetarëve rreth koncepteve të veçanta politike, partitë u ofrojnë zgjedhësve të tyre platforma të rëndësishme për qeverisjen, si dhe mundësi për pjesëmarrjen e tyre lidhur me ndryshimin e së ardhmes së vendit.

Pra, në një farë mënyre, pjesmarrja e partive në zgjedhjet elektorale duket se përbën objektin e veprimtarisë së tyre si organizma politik. Fjala këtu është për një pjesmarrje politike me programe dhe platforma të besueshme qeverisëse, dhe jo “me lugë në brez”, pas 3-4 partive të vjetra, që kanë sunduar jetën parlamentare të vendit tonë në 28 vite tranzicion, apo parti, që siç tha para pak ditësh në një emision televiziv, kreu i “Zgjidhja”-s, z. Kokëdhima, “…shkojnë në zgjedhje dhe 60 ditë pas tyre nuk ekzistojnë më”.

Sipas të dhënave të Gjykatës së Tiranës, nga viti ‘90 e deri më sot janë regjistruar mbi 115 parti, duke shënuar kështu shifrat më të larta se në çdo vend tjetër të Evropës. Madje, sipas statistikave të zgjedhjeve të 2011-ës rezulton, se çdo partie legale i takonin 28 mijë votues, që si shifër përkon me sipërfaqen territorale të vendit tonë. Nga ana tjetër, po të kemi parasysh numrin e ligjvënësve shqiptarë në Parlament, rezulton që çdo deputeti, i përket afërsisht një parti politike (115 në raport me 140). Ajo që bie në sy në listën e partive të regjistruara është fakti se përveç emrave të pa dëgjuar të disa partive, midis tyre ka edhe shumë emra të çuditshëm.

Faktet tregojnë, se të gjitha këto parti janë krijuar për interesa personale dhe jo si pasuri kombëtare. Në rast të kundërt do të ishim shkëputur nga pengu i deritanishëm i qeverisjeve të paafta dhe të papërgjegjshme. Parë në këtë këndvështrim, ka ardhur koha që të shihet me skepticizëm çdo lloj programi qeverisës i tipit “made in Albania”, i cili bazohet kryesisht mbi batuta apo premtim-mashtrime elektorale, duke shfrytëzuar tinëzisht indoktrinimin dhe mungesën e kulturës qytetare të njerëzve tanë, siç ka ndodhur në mjaft raste deri tani, ku më i freskëti është ai i zgjedhjeve më të fundit parlamentare në Shqipëri me “timon e tepsi”.

Vetëm në këtë mënyrë nuk do të tentohet më për aleanca imorale, që synojnë marrjen e pushtetit me çdo kusht e më çdo çmim, por do të reflektohet në thënien e njohur të James Clack, sipas të cilit, më shumë se për zgjedhjet e ardhshme, do menduar për brezin e ardhshëm, duke instaluar zgjedhjet e lira e të ndershme në vend.

“Zgjidhja” është grupimi më i ri që i është shtuar spektrit të partive politike në vendin tonë. Mjafton të kujtojmë se në 23 janar të këtij viti; pra pas pak ditësh, ajo mbush veç 8 muaj nga dita e shndërrimit të saj në parti politike. E vërteta është se Zgjidhja nisi si një lëvizje për reformimin e Partisë Socialiste, dhe më tej, të të gjithë sistemit politik në Shqipëri, sipas mendimit dhe vizionit të ish-deputetit socialist, z. Koço Kokëdhima, por mbyllja e hapësirave për mendimin ndryshe në PS, solli në skenë këtë forcë të re.

Përpjekjet e fundit për shtrimin dhe materializimin e këtyre pikpamjeve progresive në gjirin e familjes socialiste, ka qënë 2 prilli i vitit të kaluar, kur z. Kokëdhima i drejtoi një letër Asamblesë së PS-së, e cila do të mblidhej pas pak ditësh, për të marrë në konsideratë këtë platformë reformuese, por edhe kjo tentativë dështoi, për shkak se Rilindja ishte futur në një rrugë pa krye, e dominuar nga veset dhe mëkatet e kreut të saj. Deklaratat dhe veprimtaritë e deritanishme publike të Zgjidhjes tregojnë se platforma e saj politike, të krijon përshtypjen e një alternative antisistem, që ka si synim të përmbysë pushtetin e partive të vjetra, ku siç shprehet kreu i saj, z. Koço Kokëdhima, “…institucionet e shtetit janë të korruptuara, partitë janë të kapura nga mafia e partive, qeveria është e kapur nga kjo mafie partish dhe shteti është kthyer i gjithi në funksion të pushtetit të 3-4 njerëzve që kanë sot në dorë qeverinë, ekonominë, institucionet, drejtësinë, mediat dhe gjithçka”.

Sipas kreut të “Zgjidhja”s, situata politike është e ngjashme me atë të fillimviteve ’90, ndaj ai fton të gjithë inteligjencën e kualifikuar shqiptare, që të ushtrojë përgjegjësitë e saj qytetare ndaj popullit dhe vendit të vet, për t’u shpjeguar njerëzve faktin, se asnjë reformë nuk mund të japë rezultate pa reformuar më parë sistemin politik, për të çliruar zgjedhjet dhe parlamentin nga pengmarrja autokratike e kryetarëve të partive që kanë dominuar skenën politike tek ne. Nuk duhet vazhduar më me kryetarë që vënë partinë mbi Shqipërinë, sepse po kalojnë afro tri dekada demokraci dhe Shqipëria jonë e dashur vazhdon të jetë ende i mbërthyer nga një tranzicion i pafund, ndryshe nga sa ka ndodhur me të gjithë vendet e tjera të ish-kampit socialist. Ky tranzicion unik po të sjell përshtjellime të shumta politike, sociale dhe ekonomike në jetën e vendit tonë. Varfëria, papunësia, dhe mbi të gjitha mungesa e shpresës janë shtruar këmbëkryq në shumicën e familjeve shqiptare edhe për shkak të përkeqsimit të qeverisjes së vendit gjatë këtyre viteve të fundit. Ekonomia shqiptare është momentalisht në zgrip. Duke filluar nga tremujori i fundit i vitit të kaluar, për shkak të mungesës së investimeve të huaja, ecuria e saj pozitive është ndalur përfundimisht. Dikush e krahasonte atë në mënyrë figurative me një “mumje egjyptiane”, të cilës “…i është tharë lëkura dhe i ka ndalur zemra”. Situata tejet e vështirë që po kalon sipërmarrja private, mungesa e investimeve, kreditimi në rënie i ekonomisë, kanabizimi i bujqësisë, pakësimi i remitancave, tendenca e forcave aktive të punës për të emigruar dhe reduktimi i kërkesës së brendshme e kanë dhënë të plotë efektin e tyre negativ në situatën e krijuar. Por cilësia e jetës dhe zhvillimi i qendrueshëm tek ne, kanë kohë që janë vënë në pikëpyetje, kryesisht për shkak se pikëpamjet për ekonominë në përgjithësi, dhe ato për modelin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në veçanti nuk janë bërë pjesë integrale e programeve po platformave qeverisëse gjatë zgjedhjeve elektorale.

Që nga thirrja e parë, “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa!” dhe deri në 25 qershor 2017 janë zhvilluar 8 palë zgjedhje të përgjithshme, 7 lokale, si dhe 2 referendume për Kushtetutën, që si moto verbale të fushatës së tyre elektorale kanë patur këtë objektiv për fatet e vendit dhe kombit tonë. Por në fund të çdo mandati qeverisës, me pak ndryshime midis tyre, jemi përballur me zhgënjimin që përshkruan Koliqi te “Tregtar flamujsh”: “Posi… u ba Shqipnija. Dalin të marrët e vikasin rrnoftë Shqipëria! Ti i mençëm përgjigje tue bërtit në kupë të qiellës: rrnoftë, po, e shpejt me porositë flamuj. Na shkyeju rrnoftë, e ti shit, ban pare tue tregtue mbi ndiesitë tona…”. Zgjedhjet më të fundit parlamentare e shtuan edhe më shumë zhgënjimin, e vranë edhe më shumë shpresën, e mbrojtën dhe njëherë tjetër pushtetin e korruptuar të votës së pamerituar. “Deri kur kështu ma?”, do oshëtinte në veshët tanë thirrja Migjeniane për një situatë të tillë dëshpëruese. Dhe përgjigjia e menjëhershme: -Deri kur të arrihet të bëhen zgjedhje të lira e të ndershmme në vend. Analistë të ndryshëm mendojnë, se duke përjashtuar zgjedhjet parlamentare të 22 marsit 1992, të cilat u certifikuan nga ndërkombëtarët si “të lira dhe të ndershme”, Shqipëria e mbylli këtu kapitullin e zgjedhjeve me standarde demokratike. Gjithë të tjerat, pastaj, kanë synuar devijimin e vullnetit të votuesve në interes të konsolidimit të partisë dhe jo të ekonomisë së Shqipërisë. Zgjedhjet e radhës po mbërrijnë, jo më larg se një vit e gjysëm kohë nga ky moment, por reforma zgjedhore po rënkon në duart e partive mëkatare për to. OSBE dhe përfaqësitë diplomatike të vendeve partnere në Shqipëri kanë përgjegjësi për situatën e zgjedhjeve problematike dhe gjendjen e vështirë ekonomike në të cilën ndodhet Shqipëria, për shkak të masakrimit elektoral që ka ndodhur në këto 28 vite. Ndaj, ata duhet të ndryshojnë sa më shpejt qëndrim dhe të këmbëngulin në kryerjen e reformës elektorale, por aq fort sa për reformën në Drejtësi, në të kundërt edhe kjo reformë e ka të shkruar në ballë dështimin, sepse nuk mund të zbatohet në një shtet autokratik dhe me mungesë të theksuar demokracie.