“Zgjidhja” dhe “kungulleshka” e drejtësisë

Publikuar më 20. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Feti Zeneli

Kryetari i “Zgjidhjes”, z. Koço Kokëdhima, bëri një propozim interesant për kapërcimin e ngrëçit të krijuar në ngritjen e KLP-së, për të mundësuar zgjedhjen kushtetuese dhe me vetting të Prokurorit të Përgjithshëm. Nisur nga fakti, që Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk po krijohej, nga që Shoqëria Civile po dëshmon, se e ka të pamundur të përzgjedh kandidatin e saj për këtë strukturë, i cili plotëson kriteret sipas ligjit, Kokëdhima propozoi, që palët në Parlament të ndërhyjnë për të ndryshuar atë pikë të ligjit, ku flitet për këtë çështje.

Ka më shumë se 10 muaj, qysh nga muaj shkurt i këtij viti, që vazhdon odiseja e moszgjedhjes së kandidatit nga Shoqëria Civile, dhe është normale që në një situatë të tillë, në pamundësi për të “ndryshuar” Shoqërinë Civile, të ndryshohet ligji, aq më tepër në një kohë, kur Komisioni Ad Hoc, i ngritur për këtë qëllim, deklaroi, pak a shumë, se përfaqësuesi i saj në KLP, mund të mos zgjidhet kurrë, sipas kriterve të përcaktuar në ligjin aktual. Kjo do të thotë, që Kryeprokuroi i Përkohshëm, do të rezultoj “i Përhershëm” dhe me “njollë politike” në biografinë profesionale!?… Në këto kushte, nuk ka pse ta kapim “veshin e majtë” me “dorën e djathtë”, duke e rrotulluar pas kokës, por të hapim mirë të dy veshët për të dëgjuar propozimet e zgjidhjeve të ndershme të situatës. Një zgjidhje të tillë po e artikulojnë, pas z.Kokëdhima, edhe aktorë të tjerë të jetës politiko-publike në Shqipëri, por, gjithësesi, ajo nuk po bëhet pjesë e platformës së veprimit opozitar në Parlament.

Kjo mesa duket, kjo është arsyeja, që kreu i “Zgjidhjes, z. Koço Kokëdhima, bëri bashkëpërgjegjëse të gjitha partitë parlamentare, që janë pozicionuar sërish në llogoret e vjetra të luftës politike, dhe nuk po përpiqen për zgjidhje teknike të problemit, i cili, përveçse rrezikon që ta fusë vendin në kaos, bllokon edhe implementimin e Reformës në Drejtësi, pasi siç dihet, nga mos krijimi i KLPsë pengohet krijimi i SPAK-ut dhe BKH-së, që do të luajnë rolin e njësisë hetimore të korrupsionit dhe krimeve të rënda. “Zgjidhja” e kishte paralajmëruar me kohë, qysh në ditët e para të krijimit të saj, se kur të vijë momenti i zbatimit të Reformës në Drejtësi, do dalë në sipërfaqe problematika e keqhartimit të qëllimshëm të saj, si në një lojë “kungulleshka”, nga një elitë politike “shpirtvogël” dhe e korruptuar, për të mos lejuar dhe për të mos u përballur asnjëherë me drejtësinë e vërtetë në këtë vend.

Me sa duket, kemi të bëjmë me një Reformë në Drejtësi, “… si rrjeta e merimangës, që kap mizën dhe lë të kalojë skifteri”, siç thonë spanjollët, sepse është një drejtësi që nuk fillon nga vetja për të mbërritur, në fund, tek një drejtësi për të gjithë. Kreu i “Zgjidhjes”, z. Kokëdhima, i di më mirë se kushdo tjetër “dobitë” korruptive të kësaj parisë së fundit, që ka ardhur në pushtet në vitin 2013, sepse për 30 muaj ka qënë në politikë, si deputet i Partisë Socialiste në Jug të Shqipërisë. Dhe ç’është e vërteta, ka qënë model i politikanit dhe model i deputetit, si përfaqësues i popullit. Madje kishte dhe një projekt për reformimin e krejt PS-së, sipas këtij modeli, ashtu siç kishte filluar të bënte në zonën e vet elektorale, por u eleminua tinëzisht nga përfaqësuesit e politikës së vjetër, duke u goditur pas krahësh me “koburen” e drejtësisë.

Parë në këtë këndvështrim, propozimet e z. Kokëdhima, janë, përveç të tjerash edhe “mësime nga pësimet” që i kanë nodhur atij nga një drejtësi me vese politike, pavarësisht se ajo duhet të jetë “virtyti më i lartë”, siç na mëson Ciceroni. Nga ana tjetër, kreu i “Zgjidhjes”, njihet edhe si një mbrojtës i paepur i interesit publik, ndërkohë që karierën e tij e ka ndërtuar në sektorin privat, si biznesmen i suksesshëm, qysh nga fillimi i tranzicionit në Shqipëri. Qëndrimi konseguent i tij në luftë kundër projektit të plehrave, qysh nga koha e Fatos Nanos, apo deklarata e tij kundër sjelljes së armëve kimike nga Rama në vitin 2013, janë vetëm dy shembuj kuptimplotë të një modeli, që gjithnjë rreshtohet në krah të interesit publik dhe jo të atij politik, pavarësisht se cila parti e ka qeverisur vendin. Dhe siç dihet, mbrojtja e interesit publik, nuk mund të bëhet pa qënë i drejtë dhe i vërtetë.

Sipas këtyre parimeve është ngritur dhe e zhvillon aktivitetin e saj “Zgjidhja”, forca më e re politike në vend, që, duke huazuar një shprehje nga leksiku i futbollit europian, mund të themi, se i mjaftuan vetëm pak javë për t’u futur në “zonën Champions”, duke u renditur menjëherë pas 3-4 partive parlamentare, nga 100 e ca parti që ka gjithsej Shqipëria. Të paktën kështu është perceptimi publik, duke patur parasysh aktivizimin e kreut të saj, z. Koço Kokëdhima në lançimin e ideve dhe platformave të ndryshme politike. Nëpërmjet një sjelljeje të tillë, “Zgjidhja” synon t’i bëjë njerëzit për vete, duke u përpjekur t’u ngulis atyre në mendje, se politika dhe posti publik janë vende sakrificash për të mirën e përgjithëshme të qytetarëve të thjeshtë dhe jo “vënde pëllumbash” për përfitime të shtetarëve. Kësisoj, sipas saj, rruga e vetme drejt pushtetit politik, duhet përshkuar me ndershmëri dhe duke e mbajtur ballin lart.

Nga ana tjetër, kjo është rruga e vetme për të bërë shtet, i cili kurrësesi nuk mund të tregojë forcën e vetë duke u marrë shpirtin njerëzve të thjeshtë apo binzesit të vogël. Shteti i vërtetë ligjor fillon të funksionojë kur objekt i hetimit, gjykimit dhe ndëshkimit, bëhen “të fortët” e politikës, biznesit dhe banditët e të gjitha niveleve. Vetëm në këtë mënyrë, qytetarët shqiptarë do dëgjojnë shumë shpejt për vendime gjykatash të formës së prerë, ku “iks” president, kryeparlamentar, kryeministër, ministër apo çfardo lloj zyrtari tjetër i lartë u prangos për shkelje të ligjit, keqqeverisje, favorizime dhe abuzime me fondet publike, etj., dhe u dënua me shumë vite burg, duke ju sekuestruar njëkohësisht edhe pasuritë e paligjshme, siç ka ndodhur dhe po ndodh aktualisht në Rumani e vendet e tjera të rajonit tonë.