“Zgjidhja”: BE-ja sapo na vendosi në karantinë

Deklaratë shtypi e partisë ‘Zgjidhja’

Bashkimi Europian nisi sot zyrtarisht misionin e ruajtjes së kufijve të Shqipërisë me dislokimin e 50 oficerëve të Frontex (Agjencia europiane për ruajtjen e kufijve dhe brigjeve). Në një njoftim në twitter Frontex tha se ky është misioni i parë i tij jashtë BE-së. Përse Shqipëria?
Kryeministri Rama e quajti sukses të paparë dhe vlerësim për Shqipërinë, sepse, sipas tij, bëhet tashmë vendi i parë që zgjidhet në Ballkanin Perëndimor për një marrëveshje të tillë. “Kjo është një arsye e qenësishme për t’u ndjerë vërtetë krenarë që bëhemi pjesë e një projekti tejet të rëndësishëm për Europën’-u shpreh Rama.
I themeluar në vitin 2004, me një buxhet vjetor prej 250 milionë eurosh dhe një staf prej 315 oficerësh, Frontex vepron në ujërat detarë që lagin Italinë dhe Spanjën, për të mbikqyrur flukset e mijëra emigrantëve që tentojnë Europën. Forca të saj janë dislokuar edhe në Bullgari, Rumani, Poloni apo Sllovaki, të gjitha shtete anëtare të BE-së dhe të marrëveshjes Shengen, si dhe në aeroportet ndërkombëtare europiane.
Ky është operacioni i parë i Frontex jashtë BE-së dhe për këtë angazhohet rreth 1/6 e forcës. Frontex ka listuar edhe detyrat kryesore për dislokimin në Shqipëri që përveç kontrollit të kufijve, shtrihen te sekuestrimi i armëve dhe drogës, luftës ndaj krimit ndërkufitar, zbulimit të dokumenteve false, bllokimit të mallrave kontrabandë, automjeteve të vjedhura si dhe trafikantëve të qënieve njerëzore.
Këto tetë detyra kryesore të misionit europian e flakin në kosh të plehrave entusiazmin e qeverisë se ky është një vlerësim pozitiv për Shqipërinë. Po. Ky është një vlerësim. Shqipëria vlerësohet tashmë nga BE-ja një rrezik për sigurinë sepse ka kufij porozë, ku trafikohen drogë dhe armë, qenie njerëzore, mallra dhe automjete të vjedhura. Me këtë vendim BE-ja ka shkrirë policinë kufitare dhe të gjitha agjencitë ligjzbatuese të qeverisë për modernizimin e të cilave projektet e BE-së për mbështetjen e Shqipërisë kanë dhënë aq shumë fonde në dekada.
Një dislokim i tillë nuk ndodhi bie fjala në Maqedoninë e Veriut, e cila e ka kufirin e saj me Greqinë, në rrugën e preferuar të emigrantëve drejt vendeve të Europës Perëndimore. Kufijtë e Shqipërisë, përtej retorikës diplomatike të komisonerit Avramopoulos dhe histerisë trushplarëse të kryeministrit Rama, janë han me katër porta, siç janë të gjitha instituconet e shtetit shqiptar të gërryer nga korrupsioni dhe krimi.
Ky është fundi i turpshëm i një ëndrre për gjoja hapje negociatash në qershor, që u serviri shqiptarëve qeveria prej vitit 2016. Sot, Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Johannes Hahn, deklaroi sërish se vetëm Maqedonia e Veriut meriton çeljen e negociatave para pushimeve të verës, duke mos thënë asnjë fjalë më për Shqipërinë. Për të BE-ja, në vend të zgjerimit e negociatave, ka nisur karantinën, atë që nuk meritojnë shqiptarët, por qeveria e tyre e paaftë, e korruptuar dhe e lidhur me krimin.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet