
Julian Nura
Tentativa për kapjen e plotë të institucioneve në vend nuk ka lënë të qeta as institucionet e Arsimit të Lartë. Pas anulimit të zgjedhjeve për strukturat drejtuese të universiteteve të shpallura më parë nga Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit për t’u mbajtur në datën 12 qershor kur pandemia mbante të izoluar e larg fakulteteve zgjedhësit, u duk se studentët nuk do të përjashtoheshin nga e drejta e vendimmarrjes dhe se data e ardhshme e votimeve do t’u jepte mundësinë atyre edhe të votonin për kandidatët e “preferuar” për Dekanë/Rektorë por edhe të organizoheshin në rang universiteti për të nxjerrë në Senatet Akademike përkatëse përfaqësues bashkëmoshatarë të denjë që do të mbronin interesat e tyre në katër vitet e ardhshme.
Përkundër kësaj pritshmërie, Ministria e Arsimit tashmë ka shpallur datën 30 korrik si datë të re zgjedhjesh duke e thelluar shkeljen nga e cila u duk se u tërhoq pak ditë më parë pas reagimeve të shumta nga ana e studentëve e jo vetëm.
Në atë datë do të jenë pushim edhe stafet akademike, gjë që do të thotë se de jure nuk janë vetëm studentët të përjashtuar nga mundësia dhe e drejta për të zgjedhur e për t’u zgjedhur, garantuar kjo për të gjithë nga ligji e jo vetëm për personat e përkrahur nga instancat e interesuara për të pasur në kontroll hallkat vendimmarrëse nëpër institucione.
Në vend që të mendonte për të plotësuar një nga kërkesat kryesore të protestës studentore të dhjetorit 2018, pra për të rritur peshën e votës studentore dhe nivelin e përfaqësimit të studentëve në Senatet Akademike dhe Bordet e Administrimit, MASR mendon se si t’u heqë studentëve edhe atë 10% peshë që ua njeh Ligji Nr. 80/2015 i Arsimit nga i cili vlen të theksohet së vjen dhe pjesa më e madhe e problemeve në arsim.
Në momentin e shpalljes së vendimit për anulimin dhe shtyrjen pa afat të zgjedhjeve të datës 12 qershor, Ministrja Shahini shprehu me bindje se nuk do të ketë zgjedhje pa studentë duke lënë të kuptohet se është ministria ajo që e thotë fjalën e fundit e duke pretenduar se është përkrahëse e studentëve, ndërsa tre ditë më parë duke iu referuar vendimit për datën e re (30 korrik) të shpallur, u shpreh se autonomia universitare bën që vendimi të mos jetë në dorën e saj, por në atë të universiteteve, prandaj është në rregull me datën e kërkuar prej tyre. Pra autonomia universitare ekziston atëherë kur përdoret për të anashkaluar studentët dhe jo atëherë kur IAL-të duhet të marrin vendime në favor të studentëve pasi në ato raste është ministria ajo, udhëzimet e së cilës zbatohen pikë për pikë.
Në kushtet kur kandidaturat që janë regjistruar e po regjistrohen nga ana e akademikëve dhe studentëve janë të lidhura ngushtë me partitë dhe me forumet rinore të tyre, kur zgjedhjet të jenë jolegjitime, kur mundësia për t’u përfshirë në mënyrë normale në proces është e kufizuar, ajo që mbetet për t’u bërë nga studentë e pedagogë është reagimi i fortë kundër mbajtjes së këtyre zgjedhjeve dhe ndjekja nga ana ligjore në institucionet përkatëse e këtij rasti të paprecedent i cili i jep goditjen e radhës demokracisë, jo vetëm në universitet, por më gjerë në vend.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply