Zbulohet shpella e Nikollë Gazullit

 

Në Vrith të Shkodrës jetoi për afro një vit albanologu dhe meshtari që u vra nga regjimi komunist.  Aty u gjetën tepricat e kalbura të shtratit të improvizuar, shkalla e shembur dhe mjete elementare për mbijetesë; një kovë uji e ndonjë enë

Pas shumë vitesh kërkimesh është gjetur shpella ku albanologu i madh dom Nikollë Gazulli ka jetuar rreth një vit, në Vrith të Shkodrës. Lajmi është dhënë nga Artan Shkreli, zv.ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë. Ai shkruan se ky zbulim është një tregues se sa e ashpër ka qenë regjimi komunist i asaj kohe. Aty u gjetën tepricat e kalbura të shtratit të tij të improvizuar, shkalla e shembur dhe mjete elementare për mbijetesë; një kovë uji e ndonjë enë e vogël. “Martiri i shndritshëm! Dje Artur Jaku dhe Niko Sheldia na bënë me dije se, pas vitesh kërkimi, u zbulua shpella ku jetoi një vit, deri ne ditën e mbrame, albanologu i madh dom Nikolle Gazulli. U pat vrarë aty gjate represionit të marsit të 1946-ës. Mjafton zbulimi i kësaj shpelle, a vrime në shkëmbin gëlqeror, për të kuptuar se si dhuna dhe egërsia komuniste, të barazueshme vetëm me anti-njerëzinë naziste, goditi Malësine e Madhe, klerin e angazhuar (për shpëtimin e gjindjes së vet) dhe mendimin më të lartë humanist të kohës. Në këtë çarje të thellë të tokës në Vrith (tregoheshin shumë legjenda, e askush nuk e dinte më ku ndodhej) u gjetën tepricat e kalbura të shtratit të tij të improvizuar, shkalla e shembur dhe mjete elementare për mbijetesë; një kovë uji e ndonjë enë e vogël. Historia e dom Nikollë Gazullit është vetë golgota disa shekullore e Shqipërisë, që kulmoi me çka do ndodhte pas përfundimit të LIIB. Varri i tij nuk dihet…”, shkruan Shkreli.

Meshtari i ditur i Shqipërisë
Nikollë Gàzulli lindi në Dajç të Zadrimës, më 15 qershor 1895, u vra nga forcat ndjekëse të regjimit komunist (ose nga strehuesi i tij, Nikollë Prekushi) në Vrith të Malcís së Madhe. Intelektual, studiues e specialist në albanologji, si etnograf, historian, leksikograf e gjuhëtar. Zotëronte gjermanishten, italishten, latinishten dhe sllavishten; kishte njohurí dhe në frëngjisht e turqisht. Biblioteka françeskane ishte ndalesa kryesore e Gazullit në Shkodër, si kur shërbente në famullinë e Rrjollit, ashtu edhe kur mbulonte famullinë e Shkrelit (pas 1940-ës). Ndonëse bashkëpunonte me Mjedjen e Fishtën, në atë bibliotekë gjendej kryesisht në shoqërinë e Atë Benedikt Demës. Punimet e tij të vlerësuara maksimalisht nga Norbert Jokli (të cilit mbledhjet që i dërgonte me postë Gazulli i shërbenin për të hartuar Fjalorin Etimologjik të shqipes), u kërkuan edhe nga drejtuesit e gjerdanit “Visarët e Kombit”. Për shumë vite, punoi në zonën e Malësisë së Madhe (në famullinë e Shkrelit). Duke gjurmuar në fshatrat e kësaj famullie e gjetkë, si: Kelmend, Hot, Pukë, Dajç i Bregut të Bunës, Ulqin etj., mblodhi dhe analizoi me seriozitet shkencor për vite me radhë me mijëra fjalë të rralla, shprehje frazeologjike, materiale onomastike (si: emra vendesh, lumenjsh, fisesh etj.), gojëdhëna, fakte historike, mitologjike etj., të cilat i përmblodhi në dy veprat e tij madhore “Fjalorth i ri” (fjalë të rralla të përdoruna në Veri të Shqipnisë), Tiranë, 1941, përfshirë në vargun “Visaret e kombit”, XI, (524 faqe me 4819 fjalë), dhe “Fjalori Onomastik”, botuar pjesë-pjesë në revistën “Hylli i Dritës” nga nr. 2, fruer 1939, vjeti XV, f. 120-129 e gjer në nr. 9-12, 1943, f. 391-406 (shkronjat A-K), gjithsej 21 numra të revistës, në 173 faqe, (i papërfunduar). “Fjalorthi i ri” i Gazullit, së bashku me “Fjalorthin e ri, fjalë të rralla të përdoruna në Jug të Shqipnís”, Tiranë, 1941, (“Visaret e Kombit”, vëllim XII) të Pano Tases, janë të parët fjalorë krahinorë tek ne, ndërsa “Fjalori onomastik” i D. Nikollit, si i pari i kësaj natyre në shqipen, tregon se ai është themeluesi edhe i kësaj dege leksikografike. Konsiderohej një fenomen nga e gjithë elita kulturore shqiptare aq sa punimet e tij priteshin me padurim nga organet më në zë të kohës, qoftë në Republikën e re shqiptare, qoftë dhe në periodiket e monarkisë. Pas dështimit të Revoltës së Dukagjinit më 1926 vëllai i tij u dënua me vdekje, ndërsa Nikolla u burgos në vitet 1924-1930 në burgun e Gjirokastrës.

Shenja e njeriut të dashuruar me Zotin

Për Dom Artur Jakun, kjo gjetje e gjurmëve të një prej meshtarëve më të ditur, është gati-gati e pabesueshme, por edhe një shenjë e fortë se një njeri që është i dashuruar prej së vërteti me Zotin mund të kalojë në kufijtë e të pabesueshmes. “Në ato anë që veç rrezja e diellit i përshkon, historia mban e ruan shenjtëri të pazëshme, histori që edhe atëherë kur i takon, të ngjajnë në kufijtë e të pabesueshmes! Cfare mund të bëjë një njeri i dashuruar prej së vërteti në Zotin?! Kisha lexuar e dëgjuar për historine e vrasjes së Dom Nikollë Gazullit, por krejt në limitet e të pa imagjinueshmes, do të gjeja në atë shpelle ende gjurmet e jetës së atij që at Zef Pllumi e quante “ ndër meshtarët me të ditun”. Rrnoje në këtë shpellë, ky Hyll i paanësisë së sakrificës, martir i vërtetë i kishës. Zoti na mëshiroftë secilin që edhe pse vitet me liri, po i persekutojmë me injorancën tonë, po i vrasim me indiferencën tonë, e po i largojmë me vakësine tonë. Prelat i gjuhës,kishës e kulturës, rrnoje 1 vit i fshehur në këtë shpellë, derisa një natë si dikur ndodhi me Jezusin në malin e udhinjve “një Judë nuk mungon kurrë”, dhe më pas u vra nga regjimi. Më ngjante kjo vizitë sikur po takoja shenjtorët e mëdhenj, kohë katakombesh, e në këto emocione, kur takon një shenjt, asgjë më shumë se ngazëllim e lutje: Bëje që zemra jeme ti përngjajë zemrës sate”, shkruan Dom Artur Jaku.

Eruditi

Pas dështimit të Revoltës së Dukagjinit më 1926 vëllai i Nikollës u dënua me vdekje, ndërsa vetë ai u burgos në vitet 1924-1930 në burgun e Gjirokastrës. Jokli e Gazulli letërkëmbimin e kishin të pasur. Jokli priste me dëshirë fjalët që i dërgonte Ati, por edhe ky shpesh herë ndiqte etimologjinë e fjalës, duke kërkuar mendimet e Joklit. Siç ngjet për shkarthdhi, pershkardhë, etj. E Jokli përgjigjet, si p.sh. tek fjala e fundit se ajo perdoret si me ba rob “In die Sklaverei fuhren”. Po në të njajten anë Nikolla i gjegjet për Gomsiqe, Bardhanjol, kashnjet. Bie në sy përkushtimi i Gàzullit t’i dërgonte fjalët e rralla, që do vlenin për punën e albanologut. Në letrën e datës 14 dhjetor 1930 pasi thekson se është vënë të mbledhë fjalë të rralla që s’ishin shkruar më parë, Gazulli i lutet Joklit që t’i dërgonte ndonjë të përkohshme, libër apo fjalor, që do t’i vlente për të gjetë domethënjen e fjalës në gjuhë tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet