Zbulohet shkaku i rrëzimit të avionit afër Moskës

Publikuar më 13. 02. 2018 nga Agim Popoci

Hetuesit kanë bërë të ditur se sensorët e shpejtësisë që ishin ngrirë, mund të jenë shkaku i rrëzimit tragjik të avionit rus afër Moskës, ku humbën jetën 71 udhëtarë dhe anëtarë të ekuipazhi.

Sensorët që nuk ishin në gjendje të rregullt për shkak të akullit, ndoshta kanë treguar shpejtësinë e gabuar, ka bërë të ditur Komisioni ndërshtetëror rus i aviacionit, bënë të ditur BBC.

Avioni i kompanisë “Saratov Airlines” është rrëzuar vetëm disa minuta pasi ka fluturuar të dielën nga Aeroporti Domodedovo në Moskë. Avioni Antonov An-148 ishte nisur drejtë Orskit në Ural, e kontrolli i fluturimit e kishte humbur kontaktin me të, në orën 14:27.

Flightradar 24 ka bërë të ditur se avioni gjatë rënies kishte shpejtësinë prej 1000 metra/minutë.

“Situatë speciale” 150 sekonda pas ngritjes

Rezultatet paraprake kanë zbuluar se është shënuar një “situatë speciale” e cila filloi të zhvillohet vetëm 2.5 minuta pasi avioni u ngrit, në lartësinë prej 1300 m, me shpejtësi 465 km/orë. Në atë moment, instrumentet filluan të shfaqnin lexime të ndryshme të shpejtësisë. Pilotët fikën pilotin automatik dhe avioni filloi të humbasë shpejtësinë derisa u rrëzua.

Në operacionin e kërkimit, në borën e thellë ku është rrëzuar avioni, janë përfshirë mbi 700 vetë. Ministria për raste të jashtëzakonshme është duke mbledhur kampionet e ADN-s nga familjarët e viktimave, në mënyrë që të identifikohen mbetjet mortore.