Zbulohet shënjestra e atentatit në Shkodër, ja si njihet në zonë

Publikuar më 13. 01. 2018 nga Xhentila Gjoshi

Ngjarja e rëndë që ndodhi paraditen e sotme në qytetin e Shkodrës, dyshohet se ka patur si objektiv të sajin shtetasin Lulzim Kulla. Ky i fundit ka mbetur i plagosur në këtë ngjarje, ndërsa është pronari i dyqanit ku dhe ishte vendosur sasia e eksplozivit.
Sipas informacioneve të policisë, shpërthimi i eksplozivit ka ndodhur momentin kur Kulla i është afruar dyqanit të tij, ndërsa dyshohet se mbahej nën monitorim nga autorët.
Lulzim Kulla është emër i njohur për policinë, pasi njihet si “i forti” i Shkodrës, i cili nënshtroi tregtarët e këtij qyteti duke iu marrë edhe bizneset. Po ashtu, Kulla dyshohet se ka marrë pjesë edhe në torturimin për vdekje të një personi në Shkodër, por për ngjarjen nuk është dënuar askush.
Dy personat e tjerë të mbetur të plagosur, policia thotë se nuk kanë lidhje me ngjarjen. Ngjarja ka ndodhur në një nga lagjet më të populluara të kryeqendrës së veriut, pranë qendrës së qytetit. Nga shpërthimi i fuqishëm janë dëmtuar edhe disa automjete të parkuara pranë biznesit.
Nga hetimet e para, dyshohet se të plagosur kanë mbetur gjashtë persona, ku dy prej tyre janë transportuar me urgjencë në Tiranë. Burime të policisë bënë të ditur se i plagosur rëndë ka mbetur shënjestra e këtij atentati, Lulzim Kulla.