Zbulohet ndeshja e radhës miqësore e kombëtares shqiptare

Publikuar më 03. 01. 2018 nga Eno Shkëmbi

Shqipëri-Norvegji do të jetë miqësorja e radhës që do të luhet më 26 mars në “Elbasan Arena”.

FSHF publikoi njoftimin për ndeshjen e radhës, që do t’i shërbejë trajnerit Kristian Panuçi për kolaudimin e grupit.

Ja dhe njoftimi zyrtar i FSHF-së:

Federata Shqiptare e Futbollit dhe homologia e saj norvegjeze kanë arritur akordin mes tyre për të luajtur në fund të muajit mars një ndeshje miqësore, në vendin tonë. Më 26 mars (ora mbetet për t’u konfirmuar) do të zhvillohet në “Elbasan Arena” takimi miqësor mes përfaqësueses sonë dhe asaj të Norvegjisë. Kjo datë e lirë për ndeshje miqësore do të shërbejë si një tjetër test për ekipin e drejtuar nga trajneri Panuçi.

Në përballjet e ekipit kombëtar, ballafaqimi i parë kundër Norvegjisë daton në vitin 1998, në Oslo, 2-2, ndeshje e vlefshme për eliminatoret e Euro 2000. Me Norvegjinë Shqipëria është ndeshur 4 herë, ku ka fituar një herë (me gol të Salihit në Norvegji), ka barazuar 2 herë dhe është mundur një herë. Tashmë pritet një tjetër përballje, këtë radhë miqësore. Miqësorja e fundit e skuadrës shqiptare ishte ajo e fituar në Antalia, më 13 nëntor 2017, ndaj Turqisë. Ndërkaq, në fund të janarit, Shqipëria do të njohë kundërshtarët e saj në grup për UEFA Nations League.