Zbulohet letra që Agolli lexoi në Kongresin e X-të të Partisë së Punës, 1991

Publikuar më 14. 06. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj    

“Ja një copëz letre me mesazhe e deklarime jo vetëm të guximshme, të shprehura nga Dritëroi në qershorin e vitit 1991; Ja edhe disa reagime për fjalët e vërteta thekshëm kumbuese artikuluar nga im atë”. Me këtë shënim, ka publikuar vajza e Dritëro Agollit, Elena Agolli, letrën që i ati lexoi në kongresin e 10-të të Partisë së Punës së Shqipërisë. Një letër, që u prit me kritika dhe letra anonime, që kërcënonin haptazi shkrimtarin për guximin, që mori për të folur ashpër kundër gjendjes së partisë, në podiumin e asaj kohe.

Ky veprim në sytë e komunistëve, të cilët kërkonin të mos e lëshonin sistemin, kushtoi shumë. Qëndrimi plot mëri i komunistëve ndaj shkrimtarit ishte i madh. Por jo vetëm kaq, në drejtim të tij nisën që të shkruhen edhe letra kërcënuese për të personalisht edhe për familjen e tij. Megjithatë, fjalimi i Agollit në Kongresin e X të Partisë së Punës bëri kthesën më të madhe në karrierën e tij politike, duke u rreshtuar në forcat progresiste, që kërkonte përparimin e vendës.

Sipas fakteve, që janë publikuar për Agollin, një ndër to është se në vitin 1991, Agolli ka ndenjur i izoluar tre muaj në shtëpinë e tij pranë rrugës së “Dibrës”, për arsye sigurie. Ministria e Brendshme vuri roje në pallatin e tij pas sinjalizimeve për ndonjë sulm të mundshëm nga huliganë.

Fjalimi i Agollit në Kongresin e X-të të Partisë së Punës

“Pasqyrë e kësaj vije është gjendja katastrofike e Shqipërisë, është varfërimi deri në palcë i saj. Ekonomia jonë, industria, bujqësia, duke ecur, sipas dogmave marciste, njëherë me lëndë të parë, njëherë pa lëndë të parë, njëherë me instrumente, njëherë pa instrumente, e tera kolektive, e të gjithëve edhe e askujt”. Pas zhurmës KQ, Agolli nga tribuna ku ishte nxjerrë një letrër nga xhepi dhe e lexon.

Letra

“Ju ma vërtetuat mendimin tim të fshehur në vetvete se Partia e Punës nuk rinovohet nëse ju bëni kështu.

Bërtitjet tuaja jashtë çdo civilizimi dhe jashtë çdo kohe të qytetëruar janë pasqyrim i një partie, që është shtrirë në shtrat dhe po jep shpirt. Kur dikush jep shpirt të tjerët bërtasin. Ju bërtisni, pasi ajo që ju polli ju po jep shpirt në shtratin e vdekjes. Unë kot mora mundimin ta shpëtoja, shpëtojeni vetë po mundët, unë do të largohem pasi nuk e duroj dot erën e këtij të vdekuri dhe aq më tepër bërtitjet tuaja pranë të vdekurit”.

Letra dertuar Agollit pas fjalimit në Kongresin e X

Sh. Dritëro!

Në emër të kujt po na flisni. Nuk e dimë me ç’far delegati kemi nderin të dëgjojmë.

Nga një grup delegatësh!

Pyetje Dritëro Agolli

  1. Ke shkruar për fytyrën e dytë. Sa fytyra ke?
  2. Jep shpjegime për të metat e tua si K.L.SH dhe artistëve dhe A.K.Q.
  3. Si ke fol dhe a i shtrove pikëpamjet e tua në fushatën elektorale.

Një grup delegatësh të Fierit

Dje në punën intensive për të të zgjedhur ty në KQ, shumë njerëzve u kam thënë:

“Pas 100 vjetësh, në një orë historie, mësuesi do pyes: “Kush kanë qenë Ramiz Alia, Adil Çarçani etj., etj. Nxënësi do përgjigjet: “Mos janë disa politikanë që kanë jetuar në kohën e Dritëro Agollit”?

Urime!

Namiku

Pyetje për Dritëro Agollin!

Si i shpjegon zotëria juaj intervistat që jep për “Zërin e Amerikës”?

Janaq Koçi

5.

I nderuari z. Agolli

Ju respektojmë!

Ju nderojmë!

Ju adhurojmë!

Për mençurinë, trimërinë dhe burrërinë që keni treguar në punimet e Kuvendit dhe mbi të gjitha madhështor në Kongresin e 10-të.

Me nderime,

Shtatë mjekët e Spitalit Distrofik, Tiranë

Tiranë 13.6.1991

6.

Dritëro,

Keni kohë që jeni në qendër të vëmendjes së intelektualëve durrsakë.

Ju kemi simpatizuar si penë e mirë e letërsisë sonë, po tani po ju admirojmë si politikan dhe patriot.

Konkluzioni ynë, i cili del nga qëndrimi burrëror i juaji është:

Jeni burrë, jeni trim dhe patriot dhe mbi të gjitha jeni një patriot i madh.

Në këtë situatë kritike Atdheu ka nevojë për burra si ju, prandaj ju lutem vazhdoni dhe me penë.

Ps. Për 35 vjet kam qenë mësues letërsie në shkollën e mesme “Naim Frashëri”, Durrës.

Agolli në Politikë

  1. Dritëro Agolli (1936-2017) ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve për 19 vjet. Ai u emërua në vitin 1973 dhe u tërhoq nga ky post më 31 janar 1992.
  2. Gjatë kohës së komunizmit, Agolli ka mbajtur këto detyra, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe deputet në disa legjislatura.
  3. Dritëro Agolli ka qenë që në vitet ‘90 anëtar i Partisë Socialiste, duke dhënë një kontribut të veçantë në reformimin e kësaj partie. Agolli ka qenë deputet i Partisë Socialiste që nga viti 1992 deri në vitin 2001. Ai ka qenë gjithashtu edhe anëtar i kryesisë së kësaj partie për vite më radhë.
  4. Për herë të fundit Agolli ka qenë deputet i Parlamentit për gjashtë muaj në vitin 2005. Pas largimit të deputetit të PS-së, Bardhyl Agasi, Agolli zëvendësoi atë.

Dritëro Agolli është poeti i dhimbjes njerëzore

Dritëro Agolli (1936-2017) u lind në Menkulas të Devollit. Mësimet e para i mori në vendlindje. Pas mbarimit të studimeve të mesme në gjimnazin “Asim Zeneli”, kreu Universitetin e Sankt-Petersburg, ku u diplomua për Gazetari. Pas kthimit në atdhe, filloi punën si gazetar në të përditshmen “Zëri i popullit”, duke u njohur si një prej reporterëve më të shquar të saj. Nga viti 1974 deri në vitin 1992 ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. I zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë për pesë legjislatura radhazi, Dritëro Agolli shenjohet si një rast i rrallë në historinë politike të përfaqësimit politik në gjysmën e dytë të shekullit XX e në vijim.

Dritëro Agolli është figurë qendrore e poezisë shqipe qysh prej mesit të shekullit të kaluar. Një prej përfaqësuesve më të rëndësishëm të brezit të viteve 1960; kritik ndaj frymës tradicionaliste të poezisë së re të pasluftës, ai hyri në letërsi me kërkesën për ndryshimin e së ardhmes së saj. Me Dritëro Agollin në letërsinë shqipe hyri një prirje e fortë për un-in poetik, megjithëse shoqëria shqiptare në atë periudhë historike jetonte në një mendësi kolektiviste detyruese.

Prirja për un-in poetik u duk qysh në vëllimin e tij të parë, “Në rrugë dolla”, por u shpreh më qartë në poemat “Devoll-Devoll” dhe “Poemë për babanë dhe për veten”. Rruga e rritjes së tij të shkallëshkallshme poetike shprehet në librat: “Hapat e mija në asfalt”, “Shtigje malesh dhe trotuare”, “Devoll-Devoll”, “Mesditë”, “Baballarët”, “Nënë Shqipëri”, “Fjala gdhend gurin”, “Udhëtoj i menduar”, “Pelegrini i vonuar”, “Lypësi i kohës”, “Këngët e buzëqeshjes”, “Fletorka e mesnatës”, “Kambana e largët”, “Gdhihet e ngryset”, “Prit edhe pak”. Dritëro Agolli e zhvendosi poezinë shqipe tej shqetësimit të shtetit tek shqetësimi i qytetarit…

Për dallim nga shumica e poetëve të tjerë shqiptarë, të vjetër e të rinj, tek të cilët në qendër të poezisë lirike është e dashura, Agolli është poeti që ka shkruar më shumë poezi për gruan në gjithë historinë e letërsisë shqipe.

Dritëro Agolli krijoi në poezi imazhin e një Shqipërie ideale. Vepra më e rëndësishme idealizuese dhe njëherësh më e angazhuar e tij është poema “Nënë Shqipëri”… Me poemën “Nënë Shqipëri”, Dritëro Agolli u shfaq si poet që dëshironte të ndërtonte një Shqipëri të lumtur. Ai bashkoi vlerat më të bukura të letërsisë tradicionale me nevojat e poezisë shqipe për modernizim në mjeshtëri. Dritëro Agolli është poeti i dhimbjes njerëzore. (Akademia e Shkencave)