Zbulohen nudot e ruseve të viteve ’50 të piktorit Pandi Mele (FOTO)

Foto 1 nga 3 Pas Para

Nga Valeria Dedaj

Ekspozita “Një jetë me grafikë” është çelur te Fakulteti i Arteve të Bukura. Koleksioni i familjes Mele del në dritë dy vite pas ndarjes nga jeta të grafistit. Posterat për komunizmin, nudot, por edhe grafikat për Migjenin, zënë hapësirën kryesore në këtë ekspozim 

 “Një jetë me grafikë” është ekspozita e çelur në galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura. Është ekspozita retrospektivë e një prej përfaqësuesve më të rëndësishëm të grafikës shqiptare, artistit Pandi Mele (1939-2015). Ekspozita është kuruar nga dy ish-studentët e tij, Ardian Isufi (dekan) dhe Petraq Papa (zëvendës dekan). Për gazetën “Shekulli” profesor Petraq Papa rrëfen në këtë intervistë për veprat, që janë përzgjedhur për t’u ekspozuar për artdashësit. Ekspozita është ndarë në tre cikle, 1950-60, 1960-’90 dhe ’90-2012. Punimet e ciklit të parë janë disa femra nudo, të cilat ekspozohen për herë të parë.

I përkasin periudhës kur grafisti Mele ka qenë për studime të larta në Ish- Bashkimin Sovjetik (1958-’59). Studime të cilat i finalizoi me ciklin për Migjenin (1964) në Institutin e Lartë të Arteve për shkak të prishjes së Shqipërisë me Ish-Bashkimin Sovjetik. Janë ekspozuar postera të ndryshme, si; 25 vjet Shqipëri Socialiste (1944-1969), 70-vjetori i Pavarësisë,100-vjetori i Lidhjes së Prizrenit, 1-Qershor 1985 (yll i shoqëruar më diçiturën ‘Parti Enver jemi gati kurdoherë’), për Kongresin e Partisë së Punës, Vitin e Ri (1967) etj., por kuptimin më të madh kësaj ekspozite retrospektivë, ia jep cikli multimedial “Migjeni 2”. Një cikël ky, që grafisti Mele e ka lënë të papërfunduar në 12 slide.

Zoti Papa, si e kujtoni takimin e parë më profesor Pandi Melen?

Profesor Pandi Melen e kam njohur në Institutin e Lartë të Arteve (sot Universitet i Arteve), kur kam filluar vitin e parë, si student. Ka qenë didaktik në punën që ka bërë dhe nuk na linte kurrë, që të paraqitnim bocete pasi merrnim detyrën, por vetëm pasi të ishim informuar dhe kishim studiuar gjatë temën ne mund t’i prezantonim ato.

Në këtë ekspozitë “Pandi Mele, një jetë me grafikën”, dallon cikli me grafika “Migjeni I” (1964)…

Cikli Migjenian i vitit 1964 është puna me të cilën ka mbrojtur diplomën në ILA. Të gjithë e identifikojnë profesorin me ciklin Migjenian, por krijimtaria e tij është e pafundme në teknika të ndryshime, që ruhen në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve.

Cilat janë gjurmët që me krijimtarinë e tij ka lënë gjatë sistemit komunist, por dhe në demokraci?

Gjatë sistemit komunist, si çdo krijues ka pasur ulje dhe ngritje, jo në cilësi, por në disa vende imponimi i kohës ka qenë i pashmangshëm. Pas viteve ’90 mundi që të bënte atë që donte. Në krijimtarinë e tij ka shpërthime. Kjo gjë duket te cikli i viteve të fundit për Omer Khajami, një cikël komplet lirikë dhe bashkëkohor.

Po për nudot e realizuara prej tij, çfarë mund të na thoni?

Nudot i përkasin periudhës që ishte me studime në Rusi, janë punë të paekspozuara më herët, nuk i kishte parë askush. Profesor Melen e njohin më së shumti për pikturën, që e bënte si grafikë dhe grafikën si pikturë. Por, në fakt nuk është shumë e vërtetë, sepse nëse sheh akuarelet ka një ndjeshmëri krejt ndryshe ajo që ne shohim sot. Është shumë elegant edhe i ndjeshëm në siluetat e nudove.

Pllakatet apo posterat e kohës, çfarë vendi zënë në punë e tij?

Pllakatet dhe posterat zënë një vend shumë të rëndësishme në punën e tij. Pavarësisht periudhës ideologjike, të cilën nëse e heqim mënjanë farë mirë këto postera mund të konsiderohen dhe moderne. Në këtë ekspozitë kemi postera origjinale dhe printimet përkatëse.

Gjatë viteve të demokracisë a ndihej i kënaqur?

Këtë pjesë e kam të vështirë që ta përshkruaj, sepse vet ai e dinte se çfarë ndjente. Iku nga Akademia e Arteve (sot UA) në një moment, që mund të jepte akoma. Por, edhe pse u tërhoq edhe u mbyll në studion e tij, nuk pushoi asnjëherë së punuari. Ndihej keq nëse në fund të ditës nuk kishte mbyllur qoftë edhe një vizatim.

Prej dy vitesh nuk është më mes nesh, por sa ndihet kjo mungesë në grafikën shqiptare dhe çfarë ka lënë për brezat që do të vijnë?

Nëse ka qenë një njeri që i ka qëndruar besnik trajtimit të grafikës, flas për teknikën, jo për termin se është shumë e gjerë, ka qenë Pandi Mele. Në Shqipëri dy zhanret, pikturë dhe skulpturë, kanë qenë primare. Të qëndroje aq stoik para këtij realiteti duhet që të kishte një karakter të fortë, duke qëndruar konsekuent tek kjo gjë. Pandi Mele ka qenë shumë konsekuent. Sot nëse do që të punosh me grafikën, duhet që të kalosh në këto etapa dhe periudha, që profesor Pandi ka lënë.

Mendoni se u vlerësua sa duhet?

Mendoj se jemi munduar që të vlerësohet, por nëse është vlerësuar sa duhet këtë s’mund ta them. Ne do të bëjmë një katalog dhe do të shohim sërish koleksionin e tij.

Dhe së fundmi, në mbyllje të kësaj ekspozite qëndron cikli Migjenian 2, kësaj here grafikë në versionin multimedial?

Migjeni ishte prezent kudo në krijimtarinë e tij, ishte motivi i tij kryesor. E përmendte vazhdimisht. Prandaj në fund realizoi Migjenin 2, në formë multimediale, pavarësisht se nuk arriti ta gdhendte në linoleum apo në zink, është në 12 grafika. Ai është shprehur se Migjeni të ngacmon që të krijosh, sepse filozofinë edhe poezinë e ka shumë të qartë, kur është i ndjeshëm dhe kur është tragjik, të gjitha i ka bashkë. Mendoj se “Migjeni 2” është një punë e lënë në mes, që mund të vazhdojë.

“Pandi Mele, një jeta me grafikën” te FAB

Pandi Mele (1939-2015) lindi në Korçë. Kreu Liceun Artistik në Tiranë për pikturë, në drejtimin e pedagogëve Abdulla Cangonji, Sadik Kaceli, Qamil Grezda, Abdurrahim Buza, Kristina (Koljaka) Hoshi. Studioji dy vite për Grafikë në Akademinë “I.E.Rjepin” në Shën Petërburg (Rusi) në atelienë e S.M.Vasiljeviç dhe u diplomua në Tiranë në vitin1964. Ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm si pedagog i Grafikës në Ish- Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë, sot Universiteti i Arteve, duke drejtuar për shumë vite atelienë e grafikës. Ekspozoi për herë të parë në moshën 17-vjeçare “Porteti i gjyshes” (1956, GKA,Tiranë).

Pandi Mele ishte i pari artist grafist shqiptar që aplikoi ciklet grafike (kompozime) duke u mbështetur në veprat letrare apo legjendat shqiptare (cikli “Motive Migjeniane” 1964 (GKA, Tiranë); serinë grafike “Shtypi i partisë” 1984; cikli “Rozafa”, 1999, studio artistit). Mele vazhdoi traditën e grafikës shqiptare (në linoleum) të filluar nga piktori Sadik Kaceli, duke e modernizuar atë edhe në teknika të tjera (litografi, akuaforte, gdhendje në dru). Me veprën e tij Pandi Mele ndikoi dukshëm në realizimin e një grafike bashkëkohore si në teknikë ashtu dhe në konceptimin e saj.

Të tjera

Abissnet