Zbulohen 12 njerëzit e “Habilajve”

Publikuar më 07. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Nikoleta Kovaçi

Kamioni me 2.5 tonë drogë, 1 muaj në port. Të implikuar policë, doganierë dhe specialistë.

Edhe një tjetër efektiv i Tiranës nën hetim. Si bëhej i mundur ndërrimi i targave të kamionëve në port

Dy shoqërues qensh anti-drogë dhe një doganier janë personat e fundit që janë arrestuar për drogën e policit vlonjat që shërbente së fundmi në Fier. Ata janë arrestuar mbrëmjen e së martës ndërsa ndaj tyre mësohet se janë lëshuar urdhër arrestet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Nuk dihet nëse ky procedim do të bashkohet me atë të dosjes “Habilaj-Tahiri” edhe pse oficeri i policisë të cilit thuhet se i përkiste ajo sasi droge ka qenë një i emëruar i Habilajve në një prej posteve kyç në portin e Vlorës.

Edhe pse tre arrestimet e bëra publike ditën e djeshme lidhen me moskujdesin për të gjetur drogën e fshehur në kamionin që u kap në Itali, bëhet me dije se në fakt për qëndrimin e mjetit në Durrës dhe kalimin e tij të pakontrolluar në Itali do të priten edhe arrestime të tjera. Burimet konfidenciale bëjnë me dije se përveç Festim Lelajt, policit nga Mesapliku i Vlorës, pritet të arrestohet edhe një polic që punon në Tiranë që është pjesë e trafikut në jo pak por në 4 vite.

Po ashtu saktësohet se pjesë e këtij stafi që ka kontribuar kaq shumë në këtë trafik droge do të jetë edhe një tjetër emër që ka dalë në hetimet e italianëve dhe që ka punuar në postën e Selenicës, të cilët bashkë edhe me Sokol Boden, të kërkuarin e Krimeve të Rënda përbëjnë 4 efektivët që janë vënë në shërbim të grupit të Habilajve që në fillimin e aktivitetit të tyre pas ardhjes në krye të ministrisë së Brendshme të Saimir Tahirit. Megjithatë janë edhe me dhjetëra punonjës të tjerë policie në të gjithë vendin që janë nën hetim dhe që pritet që shpejt disa prej tyre të bien në pranga!

Droga në port që në dhjetor

Edhe pse nuk është rasti i parë, historia e kamionit me 2.5 ton kanabis që u ruajt në port përbën një prej skandaleve më të mëdha të këtij porti. Mjeti i ngarkuar me lëndën narkotike, mësohet se ka mbërritur në port diku nga fillimi i dhjetorit të vitit 2016. Ishte koha kur thuajse të gjitha portet e vendit punonin për të realizuar në kohë rekord këtë kalimin e lëndës narkotike. Kanabisi i oficerit të policisë Festim Lelaj, është ruajtur në port nga policia për më shumë se një muaj. Më pas është urdhëruar kalimi. Janë ulur radarët dhe mjeti plot me drogë ka hyrë në traget.

Ndalimi është bërë sapo ka dalë në Ankona, pasi aty gjendeshin edhe pritësit . ishin konkretisht pritësit që çuan në pranga edhe pjesën tjetër. “Katania” i kishte në përgjim për shkak të bashkëpunimit me Habilajt prej vitesh, ndërsa polici Lelaj konsiderohej një prej personave më aktiv në trafik. Por kjo sasi duket se ka qenë krejt pasuria e tij. Ai ka kundërshtuar ta kalojë mjetin për shkak se ishin prishur balancat e çmimit në Itali. Për pasojë ka pritur momentin e duhur që ka qenë në janar të këtij viti. Policia dhe prokuroria kanë hedhur dritë mbi mekanizmin e nisjes dhe të organizimit të punës. Ajo që bie në sy është fakti se natën e nisjes së mjetit, ky kamion nuk ka kaluar në skanerin e posaçëm.

Arrestimet     

Ka shkuar në 12 numri i persona të arrestuar lidhur me trafikimin e 2.5 ton kanabis sativa nëpërmjet portit të Durrësit drejt Italisë. Të fundit që janë vënë në pranga janë doganierët. Ata kanë ndihmuar që kamioni të qëndronte në port për më shumë se një muaj, derisa mjeti të nisej në drejtim të Italisë. Po ashtu ka dyshime që të arrestuarit e fundit në Durrës janë njerëzit që kanë realizuar kalimin pa procedurë. Policia e Shtetit në një deklaratë përmbledhëse lidhur me operacionin bën me dije detajet ditën e sotme. Në qëndrimin zyrtar thuhet se më 13 janar nga ana e Zyrës Ndërlidhëse të Policisë Italiane “Interforza” në Tiranë, është informuar Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, mbi sekuestrimin e një sasie prej 2 ton e 530 kg lëndë e dyshuar llojit kanabis sativa më 11 janar në Portin e Ankonës. Kamioni ishte “Man”, me targa AA 846 GJ dhe AER 357, me drejtues shtetasin shqiptar Dhimo Koraj, 47 vjeç, lindur në Fier e banues në Gjirokastër. Ky kamion më 9 janar është nisur nga Porti i Durrësit me tragetin M/N AF MARINA me destinacion Durrës-Bari. Policia Italiane ka arrestuar në flagrancë Dhimo Koraj, i cili shoqëronte kamionin në portin e Ankonës, ndërsa në listën e pasagjerëve figuronte si shofer i këtij kamioni i nisur nga Durrësi më datë 9 janar, shtetasi Demo Progonati, 46 vjeç, lindur në Progonat dhe banues në Fier. Në bazë të informacionit të sjellë nga pala italiane, shqiptarët realizuan nisjen e hetimeve me 13 janar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Më pas u procedua edhe me arrestimet.

Të arrestuarit

-Më 4 nëntor u ndaluan Skënder Siqeca, 53 vjeç dhe Arbi Mustafa, 34 vjeç, banues në Vlorë!

-Më datë 5 dhjetor, u ndalua Agron Kapllani, 51 vjeç, banues në Durrës, ish-punonjës policie, trup shërbimi, shoqërues qeni në portin e Durrësit!

-Më datë 5 dhjetor, u ndalua Gëzim Dervishi, 59 vjeç, banues  në Durrës, ish-specialist në trajtimin e qenve të shërbimit në Stacionin e Policisë Kufitare Durrës. Ky person u përjashtuar nga policia më 28 korrik.

-Më datë 5 dhjetor, u ndalua nga SH.Ç.B.A, Festim Lelaj, 47 vjeç, specialist për hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier.

-Më datë 6 dhjetor u ndalua Altin Katundi, 50 vjeç, lindur e banues në Tiranë, me detyrë doganier në Portin e Durrësit.

-Më datë 6 dhjetor, u ndalua person në kërkim Mikail Hila, 28 vjeç, banues në Tiranë!

Më parë, janë arrestuar edhe:

-Më datë 15 janar 2017, u ndalua shtetasi në kërkim Demo Progonati, 46 vjeç, banues në Tiranë!

-Më datë 7 qershor, u ndalua shtetasi në kërkim Euron Hoti, 35 vjeç, banues në Lezhë!

-Më datë 21 qershor, u ndalua shtetasi Malton Lleshi, 34 vjeç, nga Saranda banues në Tiranë!

-Më datë 28 nëntor, u ndalua shtetasi në kërkim Aurel Lazaj, 32 vjeç, banues në Vlorë.

 

 

Akuza i kërkon Gjykatës të dërgohet në Itali truri i “Habilajve”

Prokuroria e Tiranës depoziton në gjykatë kërkesën për ekstradim e Nazer Seitit në Itali, ku kërkohet si i përfshire ne dosjen Habilaj. Pavarësisht vendimit të gjykatës, Seiti ka pak mundësi të ekstradohet në Itali pasi ndaj tij ekziston një masë “arrest në burg” për llogari të një procedimi shqiptar. 40-vjeçari u arrestua në Vlorë në 19 tetor në zbatim të një urdhër-arresti të Gjykatës së Katanias.

Sipas drejtësisë italiane ai është një nga anëtarët e grupit të strukturuar kriminal të trafikut të drogës të kryesuar nga Moisi Habilaj, ku kishte rolin e “financierit”.

Burime zyrtare pranë Gjykatës së Tiranës konfirmuan se kërkesa për ekstradim është regjistruar në 5 dhjetor 2017. Shorti elektronik i gjykatës ka përzgjedhur gjyqtarin Kastriot Gramshi për shqyrtimin e saj, ndërkohë që ende nuk është caktuar data e seancës së parë. Organi i akuzës së kryeqytetit ka kërkuar ekstradimin e Seitit menjëherë pasi mori në dorëzim kërkesën e palës italiane dhe aktet shoqëruese, të përcjella përmes letër-porosive dhe të përkthyera nga Ministria e Drejtësisë.

Mes akteve të paraqitura janë dhjetëra përgjime telefonike dhe ambientale dhe prova që sipas hetuesve italiane faktojnë përfshirjen e Seitit në trafikun e drogës. Pak ditë më parë Gjykata shtyu me 50 ditë afatin e mbajtjes në paraburgim të tij për qëllim ekstradimit, kohë gjatë së cilës duhet të shqyrtohet kërkesa e palës italiane. Seiti e kundërshtoi këtë shtyrje afati në Apel përmes avokatit të tij Detar Hysi. Por pavarësisht vendimit mbi ekstradimin duket se Nazer Seiti nuk do të udhëtojë drejt vendit fqinj. Ndaj tij ekziston një masë sigurie “arrest në burg” pa afat dhënë për të nga Gjykata për Krimet e Rënda për llogari të një procedimi penal të nisur ndaj tij në Shqipëri, ç`ka bllokon ekstradimin edhe në rast se vendoset. Tashmë vlonjati nga Gjormi është nën hetim edhe për çështjen e një trafikut ndërkombëtar të drogës që ka rezultuar të jetë kryer nga Vlora.