Zbardhen prapaskenat, federata greke kërkon të joshë talentin shqiptar

Publikuar më 29. 11. 2017 nga Eno Shkëmbi

Greqia kërkon të na “rrëmbejë” një talent. Bëhet fjalë për sulmuesin e Kombëtares U-21, Fiorin Durmishaj, për të cilin interesohet zyrtarisht Federata e Futbollit të Greqisë. Lajmin e kanë konfirmuar dje edhe mediat helene, të cilat shkruajnë se talenti i Panioniosit është një “gur” i rëndësishëm për Kombëtaren greke.

Edhe pse 21-vjeçari nga Vlora numëron 5 ndeshje me Shpresat kuqezi, në Greqi janë të bindur se mund ta joshin duke i plotësuar dokumentacionin në kohë rekord. Megjithatë, Durmishaj e ka bërë zgjedhjen e tij dhe nga trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, vlerësohet shumë. Në ndeshjet e fundit me Shpresat, Durmishaj ka munguar për shkak dëmtimi, edhe pse është futur në listën e Bushit. Sulmuesi ka shënuar një gol me Shqipërinë U-21 në fitoren 2-3 ndaj Islandës.

Gjatë këtij sezoni, sulmuesi është pjesë e rëndësishme e Panioniosit, teksa në 9 ndeshje ka shënuar dy gola, një prej tyre në portën e kampionëve në fuqi të Olimpiakosit.

Jehona e mediave

“Durmishaj është shpresa e madhe e Panioniosit. Sulmuesi shqiptar, i dalë nga akademia e klubit grek, është në fokusin e disa skuadrave italiane që gjithnjë e më tepër po marrin informacion rreth talentit shqiptar. Durmishaj krahasohet me sulmuesin Jorgos Samaras, dikur ish-lojtar i Mançester Sitit dhe Sëlltikut.

Ai është në listën e talenteve më të kërkuar në Europë”, shkruante dje portali i njohur në shtetin helen “gazzetta.gr”. Madje, çuditërisht Durmishaj cilësohet si sulmues. “Lëvizjet e tij të ngjajnë me ato të Samaras. Sulmuesi grek me prejardhje shqiptare është një gur i rëndësishëm për Kombëtaren greke.

Durmishaj ka luajtur me U-21 të Shqipërisë, por nuk përjashtohet mundësia të ndryshojë ekip kombëtar duke qene se Federata e Greqisë po e kërkon”, citohej ndër të tjera në shkrimin kushtuar Durmishajt, raporton “Panorama Sport”.