Zbardhen kërkesat, SHISH-i kërkoi fonde për aparaturat e përgjimit

Ylli AlushiNga Suela Topi

Zbardhet kërkesa e Shërbimit Informativ Shtetëror për rritjen e buxhetit për vitin 2016. Burime nga mbledhja me dyer të mbyllura e Komisionit të Sigurisë bëjnë me dije se SHISH-i kërkoi fonde shtesë për të përmirësuar teknologjinë e përgjimit. Kjo ishte një nga kërkesat që nëndrejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Ylli Alushi bëri në Komisionin e Sigurisë pak ditë më parë ndërsa diskutohej buxheti për vitin që vjen. Burimet pohojnë gjithashtu se numri dy i SHISH-it kërkoi fonde shtesë edhe për shpenzime operative dhe shtimin e punonjësve. Kërkesa këto që nuk u miratuan nga komisionet parlamentare të cilët ranë dakord vetëm për një shtesë fondit prej 9 milionë lekësh.

Kërkesat e SHISH-it

Më shumë fonde për të përmirësuar teknologjinë dhe për të rritur cilësinë e aparaturave të përgjimit, më shumë fonde për shpenzime operative por edhe shtim personeli ishin tre kërkesat që numri dy i SHISH-it, iu ka drejtuar anëtarëve të Komisionit të Sigurisë. Mësohet se Alushi ka kërkuar rreth 200 milionë lekë shtesë për investime në aparatura dhe pajisje. Ai ka argumentuar kërkesën me nevojën për t’iu përshtatur zhvillimit të teknologjisë së kohës, sa i përket përgjimeve. Një teknologji më e avancuar për numrin dy të SHISH-it, do të bënte edhe më efektive punën e Shërbimit dhe do të rriste aftësinë zbuluese të shërbimit sekret. Kërkesa e Alushit duket se vjen në kohën kur është rritur angazhimi i gjithë strukturave të sigurisë edhe sa i përket masave që lidhen me terrorizmin apo kërcënime të mundshme.

Pak kohë më parë zëvendësdrejtori i SHISH-it informoi Komisionin e Sigurisë për masat e marra për monitorimin e gjithë xhamive në vend e në mënyrë të veçantë atyre të cilat janë konsideruar si problematike për shkak edhe të mungesës së kontrollit nga Komiteti Mysliman Shqiptar.Ndërkohë që Shërbimi Informativ Shtetëror është treguar i gatshëm të angazhohet më tej edhe në luftën kundër krimit të organizuar apo korrupsionit. Burimet pohojnë se Alushi ka sugjeruar edhe ndryshime ligjore për sa i përket misionit të Shërbimit Informativ Shtetëror në luftën e drejtpërdrejtë kundër korrupsionit. Numri dy i SHISH-it ka kërkuar shtesë fondesh edhe për shpenzimet operative.

Burimet nga Komisioni i Sigurisë pohojnë se është kërkuar një shtresë prej rreth 150 milionë lekë për të mbuluar shpenzimet e inspektorëve që shërbejnë në terren por edhe për shpërblimin e burimeve të informacionit. Shtimi i strukturës të Shërbimit ka qenë një tjetër kërkesë e Shërbimit Informativ Shtetëror. Të gjitha këto kërkesa janë konsideruar si mëse normale nga deputetët demokratë në Komisionin e Sigurisë të cilët i kanë kërkuar komisionit t’i mbështesë ato. Por nuk kanë qenë në një mendje deputetët e shumicës në komisionit të cilët edhe pse i kanë cilësuar të drejta kërkesat, kanë vlerësuar si të pamundur plotësimin e tyre.

Pavarësisht këtij qëndrimi Komisioni i Sigurisë i ka përcjellë kërkesat e SHISH-it në Komisionin e Ekonomisë i cili hartoi dhe ndryshimet finale në buxhet por pa përmbushur të gjitha kërkesat e Shërbimin Informativ Shtetëror i cili ka përfituar shtesë në buxhet vetëm 9 milionë lekë nga rreth 350 milionë lekë që kishte kërkuar. Buxheti i përcaktuar nga qeveria për vitin 2016, për Shërbimin Informativ Shtetëror fillimisht ishte 1.446 miliardë lekë por me shtesat e bëra pas diskutimeve në Komisionin e Sigurisë, ky buxhet ka shkuar në shifrën e 1.455 miliardë lekëve. Një vit më parë buxheti i shtetit për shërbimin inteligjent ishte 1.436 miliardë lekë.

Masat ndaj terrorizmit

Shërbimi Informativ Shtetëror ka intensifikuar punën në kuadër të masave të marra kundër terrorizmit. Pak kohë më parë numri dy i SHISH-it, Ylli Alushi informoi Komisionin e Sigurisë lidhur me masat e marra për të mbajtur nën vëzhgim xhamitë që janë konsideruar si problematike për shkak të rekrutimeve të luftëtarëve të ISIS. Në raportin sekret të paraqitur para ligjvënësve flitej për rreth 89 xhami në të gjithë Shqipërinë që ishin jashtë juridiksionit të Komunitetit Mysliman Shqiptar ndërsa vetë KMSH-ja ka folur për 9 xhami problematike.

Ligji “Antimafia”, “Pameca IV” propozon të ngushtohet rrethi i të hetuarve

Ligji “Antimafia” i miratuar vetëm një vit më parë do të ndryshojë. Kjo është bërë e ditur nëpërmjet një projekt-propozimi të shpërndarë nga “Pameca IV”, projekti i asistencës i financuar nga Bashkimi Evropian i cili u vjen në ndihmë agjencive kryesore ligjzbatuese në Shqipëri në fushën e drejtësisë dhe Punëve të Brendshme. Ndërkohë që misioni “EURALIUS”, raporton TCH, vë në dijeni Presidentin Bujar Nishani, prokurorin e Përgjithshëm, ministrin e Drejtësisë dhe zyrtarë të tjerë nga fusha e së drejtës, se ndryshimet në ligjin “Antimafia” duhet të përshtaten në procesin e reformës në drejtësi, me hartimin e Kodit të Procedurës Civile dhe Penale. Misioni i asistencës teknike i financuar nga Bashkimi Evropian propozon një shtesë për të hetuar jo vetëm korrupsionin aktiv, por edhe atë pasiv.

Sipas ndërkombëtarëve çdo vepër korrupsioni, aktive dhe pasive, janë anë të së njëjtës monedhë. Më tej sugjerohet për t’u ngushtuar rrethi i personave të afërm me shtetasin nën hetim. Ndryshimet parashikojnë që të përfshihen në hetim pasuror bashkëshortët, fëmijët, vëllezërit, motra dhe bashkëjetuesi, ndërkohë që lihen jashtë vjehrri e vjehrra, njerku e njerka, nipërit e mbesat.

Në ligjin që është në fuqi parashikohet hetimi i pasurive të personave të afërm ku përfshihen bashkëshorti, fëmijët, të paralindurit, të paslindurit, vëllezërit, motrat, ungjërit, emta, nipërit, mbesat, fëmijët e vëllezërve dhe të motrave, vjehrri, vjehrra, dhëndri, nusja, kunata, kunati, bashkëjetuesi, thjeshtri, thjeshtra, njerku dhe njerka si edhe personave fizikë ose juridikë, për të cilët ka të dhëna të mjaftueshme se pasuritë ose veprimtaritë e tyre zotërohen, pjesërisht ose plotësisht, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, a janë përdorur, kanë lehtësuar apo në një formë kanë ndikuar në kryerjen e veprimtarive të jashtëligjshme nga personat e parashikuar në pikën 1 të këtij neni.

“EURALIUS” e mbështet këtë propozim me argumentin se, në këtë mënyrë shmanget shtrirja e tepruar e subjekteve, e po ashtu shmangen hetimet e ndërlikuara, që në praktikë zgjasin e kthehen në komplekse, e rrallë sjellin konfiskime. Për herë të parë, në ligjin “Antimafia” po diskutohet të futen për llogari të procesit të sekuestrimit e konfiskimit të pasurive, që vijnë nga krimet e parashikuara në ligj, edhe dëshmitari dhe eksperti, të cilët mund të asistojnë në proces. Ndërkohë që gjykatës i jepet po ashtu edhe një kompetencë tjetër. Ajo mund të thërrasë për të raportuar në seancë drejtorin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara. Zyrtari duhet të paraqitet për të dhënë informacion për pasuri të caktuara, përpara se Gjykata e Krimeve të Rënda të shpallë vendimin për konfiskimin e kësaj prone, që kalon në favor të shtetit. Aktualisht, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nën hetim pasuror 7 raste, që kanë lidhje me çështje korrupsioni dhe 86 të tjera për pasuri e asete, për shtetas të implikuar në trafiqe droge e krim të organizuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet