Zagreb, Vuçiç pritet me protesta: Kurrë më në Beograd, dhe me Beogradin!

Publikuar më 12. 02. 2018 nga Agim Popoci

Ndonëse vizita e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçic në Kroaci, ishte menduar nga shtetarët kroat si përpjekje për të ulur tensionet në marrëdhëniet në mes të dy vendeve, Vuçiç para se të nisej drejtë Zagrebit e bëri të qartë se nuk do të kërkoj falje, madje as për retorikën luftënxitëse që përdori në fillim të viteve ’90-të: “Nuk jam njeri i cili dëshiron që ta detyrojnë të bëjë diçka, aq më shumë të kërkoj falje, të cilat nuk e di se çfarë na kanë sjellë,,” tha Vuçiç duke shtuar se në Kroaci pret që të bisedoj për të zhdukuit, kufijt, pakicat dhe përparimit të marrëdhënieve ekonomike.

Kështu ndodhi edhe me tu ulur në Zagreb. Nën masa të rrepta sigurie, nga aeroporti “Franjo Tuxhman” deri tek presidenca, ku u prit nga Kolinda Grabar Kitaroviç, të gjitha rrugët nga lëvizi eskorta e presidentit serb, ishin të blinduara. Madje edhe protesta kundër kësaj vizite të presidentit serb nuk u lejua të zhvillohet në Sheshin e Markut, por përfundoi aty ku ishte parashikuar të fillonte, në Sheshin Bane Jelaçiç.

Mijëra protestues me moton “Me të vërtetën drejtë së arrdhmes” kundërshtuan vizitën e njeriut i cili i ka sjellë gjakëderdhje, vrasje dhe përndjekje të popullit kroat. Kryetarja e Shoqatës së të vejave të çlirimtarëve kroatë, Rozalija Bartoliç tha se Vuçiç nuk është një bashkëbisedues i sinqertë për zgjidhjen e problemeve të dy vendeve.

“Nuk na intereson kërkimfalja dhe pendesa e  Aleksandar Vuçciçit. Na intereson se çfarë do të kërkoj nga ai presidentja dhe kryeministri jonë,” thotë ajo nga tribuna prej së cilës kohë pas kohe dëgjoheshin fjalimet luftarake dhe antikroate të Aelksandar Vuçiçit nga vitet ’90-të.

“Shumë njerëz nuk janë të ndërgjegjshëm se bashkësia ndërkombëtare nuk ka hequr dorë nga krijimi i bashkësisë së caktuar në hapsirat e Ish-Jugosllvaisë. Gjithmonë, ky ishte plani i tyre për këtë arsye luftuan kundër shtetit kroat. Ky plan po iniciohet sërish nga Bashkimi Evropian,” tha përfaqësuesi i lëvizjes “Të shpëtojmë Kroacinë” I cili mbante pankartën: “Stjepan Radiç pas atentatit ndaj deputetëve kroatë në Beograd,  20 qershor 1928: Kurrë më në Beograd, as me Beogradin”.

Në momentin kur dëgjuan se Vuçiç po i afrohet pallatit presidencial, protestuesit u nisën drejtë Sheshit Bane Jellaçiç por për çudinë e tyre u ndaluan nga policia. Për pak çaste, ata u informuan se ky ishte edhe kushti i presidentit serb për ta vizituar Kroacinë, kur filluan dhe brohoritjet. “Tradhëti, tradhëti…”

Pas takimit dypalësh të dy delegacioneve, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç do të ketë takime me krerët më të lartë të shtetit kroat në Zagreb, do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të dy shteteve dhe nesër do të zhvilloj një takim në Vërginmost, për t’iu drejtuar në fund pakicës serbe në Kroaci, në Këshillin Nacional.