Z. Shkreli, Tirana nuk mund të mirëkuptojë vibrimin e Erjonit

Lavdosh Ferruni

Më në fund një autoritet i qeverisë Rama tha se restaurimi i Teatrit është plotësisht i mundshëm dhe midis rreshtave la të kuptohej se kjo është gjëja që duhet bërë. Këtë e bëri Artan Shkreli, arkitekt, restaurues, aktualisht zv ministër i Infrastrukturës. Për këtë Shkreli e meriton një përgëzim. Me këtë  përgëzim shkruar në një status në FB muhabeti për teatrin mbyllej, por prononcimi i mëtejshëm i tij i lidhur me qëndrimin e Erion Veliajt dhe administrimit të qytetit meriton hapje të kësaj teme.

Shkreli thotë: “E mirëkuptoj Erion Veliajn, i cili kërkon të vibrojë qytetin që administron dhe është vota e qytetarëve që do të vlerësojë se si ka punuar Erion Veliaj. Nëse ka përdorur një gjuhë përçmuese për teatrin e vjetër këtë e bën sepse imagjinon teatrin e Bjarke Ingels, që është një bixhuteri e arkitekturës, pastaj nëse duhet bërë aty apo në vend tjetër është tjetër debat”. Së pari, Shkreli vazhdon i mëshon taktikës së Edi Ramës dhe Erion Veliajt për të mos përmendur tjetërsimin e hapësirës  publike dhe ndërtimin e kullave private në këtë hapësirë, që është thelbi i çështjes, duke i mëshuar vetëm termave; Teatri Ri, Teatri Vjetër. Së dyti, dhe më e keqja është se Shkreli thotë se e mirëkupton Erion Veliajn që kërkon të vibrojë qytetin që administron, në këtë rast, nënkuptohet, vibrimin e sjellin kullat tek vendi i Teatrit. Natyrisht gjithëkush nuk e mirëkupton Shkrelin, kur ai hesht për kullat, që do vibrojnë Tiranën, sikur të mos dinte gjë për to. Pra, Shkreli është dakord me kullat. Kështu? Ndoshta Shkreli nuk është dakord me kullat, por hapja e rrugës Erion Velisë për të filluar ndërtimin e tyre me argumentin që është vota  e qytetarëve që do e vlerësojë punën e Erion Velisë është shkatërruese për Tiranën dhe sigurisht për profilin e tij si profesionist.

Kullat nëse lejohen të ndërtohen do të jenë aty për shumë breza të tjerë, për 100 a më shumë vite. Aktualisht Veliaj i ka marrë votat me premtimin zero ndërtime në Tiranë, por ligjvënësi ka dhe një filtër demokratik, nëse premtimet nuk mbahen, ose vendimmarrjet degjenerojnë në lajthitje, që në këtë rast, është vota e Këshillit Bashkiak me 2/3, që fatmirësisht e bllokon Veliajn në vibrimin e tij të çmendur me kulla. Ajo që duhet të bëjë Veliaj e të mund t’i ndërtojë kullat është ta shpallë këtë në platformën elektorale të ardhshme dhe të fitojë ai vetë dhe 2/3 e këshilltarëve të partisë së tij. E bën dot ai këtë? Shkreli në këtë prononcim të tij duket është në rezonancë me vibrimin e frikshëm të kullave të Veliajt. Edhe në pozicionin qeveritar që Shkreli është aktualisht ka përgjegjësi edhe për  infrastrukturën e Tiranës.

Para vitit 2013, Shkreli ka qenë flamurtar i tezës “zero ndërtime në Tiranë” dhe e ka shprehur tezen e tij publikisht, e cila u bë me të drejtë dhe tezë elektorale e Erion Velisë në 2015-n. “Zero ndërtime në Tiranë” mbështetet në logjikë të fortë urbanistike, sociale, ekonomike, mjedisore, tash e bërë e perceptueshme dhe për banorët e Tiranës, e kësaj Tirane super të dendur me ndërtime e popullsi, që mund të kthehet në një qytet të pabanueshëm me këtë intensitet të çmendur ndërtimesh. Z. Shkreli mirënjohje që the atë që të takon të thuash për rikonstruksionin e Teatrit dhe ruajtjen e trashëgimisë historike –kulturore, por nuk të mirëkuptojmë në mbështetjen tënde për Veliajn në vibrimin e tij me kulla të reja tek Teatri. Shpresojmë të mos jetë edhe vibrimi yt, z. Shkreli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet