Yndyrnat në gjak, kur konsiderohen të larta dhe rreziqet që mbartin

Nga Blertina Koka

Trigliceridet janë një lloj yndyre në gjak. Vaji, margarina, gjalpi dhe pjesa më e madhe e të gjitha yndyrave të tjera në ushqim gjaku i konverton në trigliceride. Por këto nuk janë burimet e vetme, shkruan Gazeta Shendeti. Trupi gjithashtu konverton kaloritë e tepërta, sidomos ato nga “karbohidratet e thjeshta”, si buka e bardhë, ëmbëlsirat, sheqeri dhe alkooli, në trigliceride dhe i ruan ato në qelizat dhjamore.

A janë trigliceridet kolesterol?

Jo. Të dyja njihen si “lipide”, por vetëm trigliceridet janë yndyra. Kolesteroli është një substancë e prodhuar nga mëlçia dhe zorrët (e përfitoni edhe nga ushqimet) që ndihmon në formimin e membranës qelizore dhe hormoneve. Ndihmon gjithashtu në tretjen e ushqimit.

A mund të jenë të mira për ju?

Po, në sasinë e duhur. Trupi i përdor për të transportuar dhe ruajtur energjinë për më vonë, shkruan Gazeta Shendeti. Ndërsa nivelet e larta të tyre mund të rrisin rrezikun për sëmundje të zemrës, sidomos nëse keni edhe nivele të larta të kolesterolit të “keq” (LDL).

Çfarë janë lipoproteinat?

Trigliceridet nuk mund të lëvizin vetë nëpër gjak. Për këtë iu vjen në ndihmë disa proteina të quajtura “lipoproteina”. Në këtë mënyrë ato lëvizin nëpër trup derisa të ruhen në qelizat dhjamore.

Si mund ta kuptoj në çfarë niveli i kam në trup?

Mund të bëni analizat si për trigliceridet ashtu edhe koelsterolin me vetëm një analizë gjaku.

A duhet të jem esëll?

Nivelet  e triglicerideve zakonisht janë më të larta kur hani. Prandaj dhe mjekët shpesh kërkojnë që mos të konsumoni ushqim apo lëngje (përveç ujit) 12 orë para testit të gjakut. Dieta, përdorimi i alkoolit, cikli menstrual tek femrat, aktiviteti fizik, të gjitha mund të ndikojnë në rezultate.

Si mund të përkthehen rezultatet?

Kontrolloni nivelet e triglicerideve nga këto numra, që janë bazuar nga qëndrimi esëll për 12 orë:

Normal: Më pak se 150 mg/dL (1.7 mmol/L)

Në kufi: 150 deri 199 mg/dL (1.7-2.2 mmol/L)

E lartë: 200 deri 499 mg/dL (2.3-5.6 mmol/L)

Shumë e lartë: 500 mg/dL ose më shumë (5.6 mmol/L)

A shfaqin simptoma nivelet  e larta të triglicerideve në trup?

Zakonisht, jo. Prandaj është e nevojshme të kontrolloni nivelet e lipoideve, përfshirë edhe trigliceridet, rregullisht. Me kalimin e kohës, trigliceridet e larta mund të jenë shenjë e gjendjeve të tjera që rrisin rrezikun për sëmundje të zemrës. Ato lidhen gjithashtu me obezitetin, tensionin e lartë të gjakut, kolesterolin e lartë, diabetin dhe sëmundjen e tiroides.

Kur duhet të bëj analizat?

Duhet të flisni me mjekun dhe ai mund t’ju japë një plan sa shpesh duhet të bëni analizat në bazë të historisë familjare, moshës dhe gjinisë. Do të merret parasysh edhe fakti nëse vuani nga ndonjë sëmundje tjetër apo mjekoheni me ilaçe.

Trigliceride të larta? Çfarë duhet të bëj tani?

Fillimisht duhet të dini shkakun. Mund të duhet të ndryshoni vetëm dietën ushqimore dhe të bëni më shumë aktivitet fizik. Por, ndodh që edhe probleme me mëlçinë, tiroiden, diabeti etj mund të shkaktojnë nivele të larta të triglicerideve. Prandaj duhet të trajtoni shkakun e këtij problemi.

A ka rëndësi dieta ushqimore?

Po, shumë. Por jo në mënyrën që ju mund të mendoni. Edhe pse ato janë pjesë e yndyrave, shumica e triglicerideve prodhohen nga trupi nga karbohidratet e tepërta. Karbohidratet nga sheqernat dhe niseshteja janë ndër llojet më të këqija. Në vend të tyre zgjidhni karbohidrate “komplekse”, si perimet dhe drithërat. Kufizoni yndyrat e ngopura (të gjendura zakonisht tek produktet shtazore) në favor të yndyrave të mira, të gjendura tek vaji i ullirit, frutat e thata, farat dhe peshku.

Po pesha?

Nëse jeni mbipeshë, humbja  e disa kilogramëve mund të ndihmojë në rënien e niveleve të triglicerideve. Edhe 2-4 kg mund të bëjnë diferencën. Vetëm mos harroni se nëse e teproni me ushqimin, trupi i kthen kaloritë e tepërta në trigliceride dhe i ruan ato si dhjam.

A ndihmon aktiviteti fizik?

Po.  Bëni të paktën 30 minuta aktivitet fizik në ditë. Aktiviteti i rregullt fizik ndihmon në uljen e niveleve të triglicerideve dhe rrit kolesterolit e “mirë”. Bëni një shëtitje, notoni ose kërceni.

Çfarë mjekimesh rekomandohen për nivelet e larta të triglicerideve?

Duhet të vazhdoni të keni kujdes me dietën ushqimore, të kryeni aktivitet fizik dhe të mbani peshën nën kontroll. Nëse nuk mjafton, mjeku mund t’ju rekomandojë ndonjë ilaç apo suplement. Këtu bëjnë pjesë statika (që ulin nivelet e kolesterolit të keq), suplementet omega 3, niacina (një lloj vitamine që nuk duhet ta merrni pa rekomandimin e mjekut pasi mund të ketë efekte anësore) dhe një lloj ilaçe i quajtur fibrate.

Të tjera

Abissnet