Ylli në ngjitje i Shqipërisë, Strakosha vlerësohet si portieri i ri më i mirë

Tashmë nuk ka më dyshime, Tomas Strakosha po konfirmohet si një ndër talenteve më premtues të kombëtares shqiptare.

Djaloshi 22-vjeçar renditet në mesin e portierëve të rinj më të mirë, nga rrjeti i specializuar i transferimeve.

Kartoni i “gardianit” kuqezi vlerësohet me 13 milionë euro, por Lazio nuk pranon të privohet nga Strakosha as për dyfishin e kësaj shume.

Statistikat e gjysmës së parë të sezonit tregojnë se Strakosha është kthyer në një garanci për portën, duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ecurinë mbresëlënëse të ekipit.

Në klasifikimin special të portierëve më të rinj në ligat më të forta europiane talenti kuqezi pozicionohet i pari për numrin e pritjeve të realizuara në këtë edicion. 67 pritje përballë 45 të Donnarumma të Milanit. Pas shqiptarit vijnë 18-vjeçari i Toulouse, Alban Lafont dhe Bingourou Kamara i Strasbourg, këta dy të fundit në futbollin francez.

Thomas Strakosha është edhe mes 10 portierëve më të fortë në nivel europian, duke llogaritur që numri i pritjeve mesatare për ndeshje është më i lartë sesa ai i David De Gea i Manchester United apo Ter Stegen i Barcelonës.

Së fundmi raportohet se ekipe të mëdha si Milan dhe Juventus janë vënë në lëvizje për talentin shqiptar, por Lazio nuk mendon ta largojë pasi e sheh si të ardhmen e klubit.

Të tjera

Abissnet