“Xibraka”/ Vendimi për 9 të pandehurit nuk çohet në Gjykatën e Lartë

Publikuar më 12. 01. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Nikoleta Kovaçi

Vendimi i gjykatës së Apelit për 9 të pandehurit e procesit “Xibraka” nuk do gjykohen në Gjykatën e Lartë. Si përfundoi akuza vetëm në prodhim lëndësh narkotike edhe pse makina u kap me 18 kg kokainë. Dosja që erdhi nga Gjermania dhe përplasja prokurori-polici për dekonspirim operacioni

E hetuan gjermanët! Madje ndaluan edhe një ngarkesë droge, nga ku nisen gjurmimin e një prej grupeve, (gjithnjë sipas tyre), më të fuqishme të trafikut të kokainës. Punuan disa javë me informacionin. Sollën në Shqipëri, te Krimet e Rënda, dosjen me një mori të dhënash, emrash, linjash dhe sasish të lëndës narkotike që përpunohej në një vend që quhej Xibrakë dhe më pas kalohej në Europë. Krimet e Rënda u përpoqën të bënin punë me përpunimin e informacionit. Gjetën apo nuk gjetën gjë shtesë, kjo nuk u mor vesh asnjëherë, por në momentin kur duhej të ndërhynin për arrestimin, u ankuan se policia ua ‘punoi’; lajmëroi kapot e grupit jo vetëm të lëviznin, po të hiqnin edhe shumë prova.

Kështu u tha në atë dyditësh operacioni dhe zhurme të bujshme, në fillimin e 2015-s! Iku personi që gjendej në krye të grupit. Madje policia nuk ia përmendi fare emrin. Ishte mik ministrash. U tha se jetonte diku mes vendeve të Amerikës Latine, andej nga ku edhe sigurohej malli. Ishin informacionet e policisë dhe prokurorisë gjermane në fakt që e kishin kopsitur materialin, por kjo s`do të thotë që funksionon edhe në Shqipëri.

Genc Xhixha zhduket natën e operacionit. Në fabrikën e përpunimin të kokainës, që ishte vetëm 5 metër larg rrugës nacionale, u gjetën pak sende që përdoreshin për përpunim kokaine, ndërsa nuk ishin larguar dy ‘profesorët’ kolumbianë! Ata treguan se ishin rastësisht aty, se në fakt ishin pjesë e një ekipi futbolli.

S`kishin bërë mirë llogaritë e moshës, po me sa duke, eprorët e tyre kishin marrë garancinë se nuk do të ndëshkoheshin rëndë. Pak po, pasi ishin në mes gjermanët. Ata nuk falnin lehtë! U arrestuan ata që kishin vendosur të arrestoheshin.

U hetuan e u gjykuan, siç hetohen e gjykohen në vendin tonë njerëzit e drogës dhe gjykatat u shtynë me njëra-tjetrën, pasi edhe kishin gabuar duke mos iu lejuar të arrestuare gjykimin e shkurtuar. Kjo doli qartë në vendimin e zbardhur të Gjykatës së Apelit që ua përgjysmoi dënimet, ndërsa prokuroria, nuk pati kohë, ose mbase edhe ka harruar, të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë për vendimin e Apelit! Kështu dosja e Xibrakës, mbyllet në këtë fazë!

Prokuroria nuk e çon Xibrakën në Gjykatë të Lartë

Ka kaluar afati prej 45 ditësh për paraqitjen e rekursit për dosjen “Xibraka”. 9 të pandehurit janë dënuar vetëm për akuzën e prodhimit të lëndëve narkotike. Për asnjë akuzë tjetër! Në muajin nëntor, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda pranoi kërkesën e nëntë të pandehurve për njohjen e gjykimit të shkurtuar. Rrjedhimisht, sipas trupës gjyqësore të Apelit, nga aplikimi i gjykimit të shkurtuar secili nga të pandehurit përfiton një të tretën e uljes së dënimit. Për të kërkuarin nga drejtësia, Genci Xhixha dhe për Saimir Batkun gjykata vendosi 8 vjet e 7 muaj burgim, ndërkohë që për Gentian Gjonajn dhe Klement Dalipin nga 7 vjet e 3 muaj burgim.

Pesë muaj më parë shkalla e parë vendosi 104 vite burgim për të akuzuarit, mes tyre edhe kolumbianët Cezar Avila, i dënuar nga Apeli me 6 vjet e 8 muaj burgim dhe Valter Moreno, i dënuar po nga Apeli me 8 vjet burgim.

Por Klementi ka lënë qelitë. Gjykata thotë se është i sëmurë. Xhixha vijon të jetë në kërkim, ndërsa pjesa tjetër, me sjellje të mira dhe me ndonjë nevojë për të mbajtur familje mund të përfitojnë jo vetëm ulje por edhe lirime. Prokuroria ka vendosur të mos e vijojë më betejën me të pandehurit e historisë së laboratorit të kokainës në mes të Elbasanit, një prej vendeve më të përfolur aso kohe që policia ishte e implikuar në trafikun e drogës.

“Xibraka” në 2015-n

Për disa ditë me radhë , u tha, se dy kolumbianët kanë qëndruar në një banesë në Elbasan për të lehtësuar transportin e tyre drejt magazinave të Xibrakës. Aty përpunoheshin solucionet e ndryshme që ndodheshin në fuçitë e hekurit, nga ku bëhej shkrirja e kokainës. Deri në momentin e arrestimit,  dy kolumbianët kanë qëndruar dhe punuar për 68 ditë në laborator, duke nxjerrë sasi të konsiderueshme të ekstraktit të kokainës.

Në momentin e arrestimit, Sajmir Batkut, policia i gjeti një sasi prej 18 kg kokainë dhe 300 mijë euro para kesh. Këto para, u tha se dyshohet se janë të ndonjë sasie të shitur para se policia të ndërhyjë për arrestimin e tyre. Hetuesit thanë se kjo mund të jetë bërë para marrjes së informacionit nga autoritetet e drejtësisë gjermane, të cilët njoftuan prokurorin për Krime të Rënda se në zonën e Elbasanit është ngritur një laborator kokaine.

Nga ana tjetër, sipas akuzës, në asnjë rast nuk u provua se kush ishte kompania që kishte sjell nga Kolumbia dhe Bolivia solucionet dhe plehun kimik që ndodhej në magazinat e Xibrakës, në momentin e ndërhyrjes së policisë. Këto solucione apo thasë letre, ku tregohet se vendi i prodhimit është Bolivia, në asnjë pikë të kalimit kufitar nuk figuronin të regjistruara si mall që ka hyrë në territorin e Shqipërisë apo ishin zhdoganuar.