Xhevahir Daku: Fajin e kanë bizneset, humba 100 mijë euro

Një tjetër biznes i prekur nga përmbytja është dhe karburanti “Daku”, në autostradën Tiranë-Durrës, te ura e Limuthit. Xhevahir Daku tha për gazetën “Shekulli” se është hera e dytë që i ka ndodhur kjo fatkeqësi, e cila sipas tij është njerëzore dhe kjo ia shton më shumë mërzinë e humbjes së 100 mijë eurove të humbura dy vite radhazi. Tani ai ndjen pasiguri për vazhdimin e punës në këtë aks rrugë, sepse ndihet i kërcënuar nga përsëritja e fenomenit.

Xhevahir, si ndodhi përmbytja në këtë zonë dhe çfarë dëmesh shkaktoi?

Erdhi në sekondë me një presion të jashtëzakonshëm. Makinat që ishin në autostradë u bllokuan, kanë dalë gra dhe fëmijë nga makina, pasi u frikësuan se mos përmbyteshin. Janë marrë 600 makina me karrotrec, pasi ishin dëmtuar totalisht. Njerëzit zbritën dhe u nisën në këmbë për të shpëtuar veten. I zuri në mënyrë të papritur dhe me presionin e ujit kanë ardhur mbeturina, shkurre dhe llum. Gjithashtu ai pohon se shkak i përmbytjeve është prezenca e dy bizneseve këtu, të cilat kanë bllokuar lumin. Të ndodhur dy vite radhazi pre e kësaj dukurie, Xhevahiri ndjen pasiguri për të ardhmen e biznesit të tij, ku tregon se, nuk mund të ndryshohet situata, pasi këto biznese janë të lidhura me politikën dhe këto pasoja po i vuajnë të gjitha bizneset përgjatë autostradës kryesore Tiranë-Durrës.

”Mua më ka dëmtuar benzinën, pompat e naftës, mbi 100 mijë euro mall. Shkak i përmbytjes janë dy bizneset këtu afër. Pse nuk u përmbyten bizneset në Bërxullë, por vetëm kjo zonë këtu? Këtu në Shqipëri nuk mund të parandalohet, sepse këto biznese janë të lidhura me politikën. Njëri thotë kam lidhje me X ministër dhe nuk lëviz dot”. Xhevahiri tani kërkon t’i drejtohet kryeministrit Rama së bashku me bizneset e tjera dhe t’i kërkojnë që të hapet lumi. “Të them të drejtën jam mërzitur shumë, sepse nuk kishte gjë më të rëndë për mua, sepse të vijë nga Zoti e pranojmë, por të vijë nga njerëzia është tmerr. Kemi menduar që të bashkohemi të gjitha bizneset dhe të takojmë kryeministrin Rama dhe do kërkojmë që të hapet lumi”- tha pronari i “Daku Oil”.

Të tjera

Abissnet