Xhanfise Keko, gruaja e madhe e filmit shqiptar në kinematë botërore

Foto 3 nga 3 Pas Para

Kinemateka e Kopenhagen mirëpret 3 filma nga Xhanfise Keko, regjisorja shqiptare që prodhoi në kohën e diktaturës. Shumë shpejt filmat e saj do të rrugëtojnë edhe për në Olso dhe Stokholm. Njohësit më të mirë të kinemasë botërore përzgjedhin mes qindrash, filmat e Kekos 

Anila Dedaj

Nëntori 2018 po shënon një ngjarje të madhe për historinë e kinematografisë shqiptare. Instituti Danez i Filmit (Danish Film Institute) në bashkëpunim me kompaninë filmike SKA-NDAL dhe mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, ka programuar të prezantojë në Kinematekën e Kopenhagës regjisoren e mirënjohur shqiptare Xhanfise Keko përmes një triologjie. Ky tribut është i pari që i dedikohet një autori shqiptar me triologji të plotë në një prej  tempujve të kinemasë botërore siç është Kinemateka e Kopenhagës. Kjo vëmendje nuk është e rastësishme por rezultat i një udhëtimi të suksesshëm, që kjo autore ka arritur të ketë pesë vitet e fundit në kinemateka, festivale, programime dhe distribucione në platforma nga më të njohurat. Hapi triologjinë e Xhanfise Kekos ditën e djeshme filmi me suksesin më të madh ndërkombëtar “Tomka dhe shokët e tij” i pasuar nga projeksioni i një prej filmave më të dashur nga fëmijët “Mimoza llastica”, ndërsa më datë 9-të Nëntor do projektohet “Kur Xhirohej një film”, një ndër filmat më provokues për kohën kur u realizua. “Tomka dhe shokët e tij” do prezantohet përpara publikut të Kinematekës nga programuesi i Danish Film Institute Jesper Andersen, ndërkohë që filmi “Mimoza llastica” do të prezantohet nga protagonistja e filmit Zhaklina Dhimojani Blater. Kjo triologji që i dedikohet një prej personaliteteve më të shquara të kinemasë shqiptare, shumë shpejt do të jetë edhe pjesë e programimeve të kinematekave në Oslo dhe Stokholm. Vlen të theksohet se, të tre filmat do të projektohen në formatin bashkëkohor DCP, çka e bën të jetë risi për filmat tanë të prodhuar para viteve 90-të. Filmi “Tomka dhe shokët e tij” në sajë të punës së “Albania Film Project” është skanuar dhe restauruar nga Libraria e Kongresit Amerikan, ndërkohë që “Mimoza llastica” dhe “Kur xhirohej një film” falë mbështetjes financiare të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë (Shqipëri) dhe Sweescom (Zvicër) dhe në bashkëpunim me Arkivën Qendrore Shtetërore të Filmit u skanuan në studiot Timeless Recordings-Shai Drori (Israel), ndërsa remasterizimi dhe DCP i tyre u krye në studion Bledar Çili.

Interes i veçantë nga programuesit, kineastët dhe kritika ndërkombëtare  për krijimtarinë e regjisores Xhanfise Keko

Në vitin 2012 një nga kritikët dhe njohësit më të mirë të kinemasë botërore, si dhe realizuesi i dokumentarit më të mirë deri sot mbi historinë e kinemasë botërore, britaniku Mark Cousins ra në kontakt me krijimtarinë e Xhanfise Kekos. Rezultati? Në dokumentarin “Here be Dragons”(2013), ai u ndal veçmas në këtë figurë të kinemasë shqiptare, të panjohur e vlerësuar deri atë kohë nga kritika ndërkombëtare. Në të njëjtin vit, Mark Cousins realizon një dokumentar për historinë e kinemasë në filmat për fëmijë, ku mes 70 filmave që ai përzgjodhi nga gjithë bota si gurët kilometrikë të këtij zhanri, dy prej tyre ishin të regjisores shqiptare Xhanfise Keko. Në dokumentarin, i cili pati premierën botërore në Cannes Film Festival në 2013 me titullin “Story of Film and Children”, mes shumë filmave, ai analizon edhe interpretimet kinematografike të Xhanfise Kekos në filmat “Tomka dhe shokët e tij” ku vlerëson vërtetësinë, atmosferën, interpretimin e fëmijëve dhe shprehet se “në këtë film regjisorja e superon gjuhën ortodokse në kinemanë shqiptare dhe gjen një rrugë poetike, evoluese, për të treguar botën”… dhe “Qyteti më i ri në botë” tek i cili analizon skenën e ëndrrës, si një mjet me strukturë sureale, duke anashkaluar skematizmin që imponohej nga ideologjia e kohës dhe konkludon se “në filmin me metrazh të mesëm “Qyteti më i ri në botë”, Keko jep gjithë idenë nëpërmjet gjuhës filmike, shfytyrimin magjik të botës përmes ëndrrave të protagonistëve të vegjël”. Po i njëjti autor në edicionin më të fundit të Festivalit të Venecias (2018), mes shumë polemikash nga grupet feministe, prezantoi dokumentarin e shumëpritur “Wamen Make Film” mbi historinë e kinemasë botërore nga autoret femra, një film që kishte për narratorë figura të ekranit botëror si Tilda Swinton, Jane Fonda, Anxheline Jolie etj., e ku në tre segmete të tij ai fokusohet edhe tek regjisorja shqiptare Xhanfise Keko. Madje, dhe në intervistën e tij të parë pas premierës për revistën më të njohur dedikuar kinemasë “Variety” më 9 Shtator 2018, në përgjigjen e pyetjes se çfarë e shtyu drejt këtij filmi, ai shprehet “unë kam bërë të njëjtën pyetje kudo që shkoj në botë: Kush janë filmat e grave tuaja të mëdha? Përgjigjet janë zbuluar. Në Shqipëri pashë filmat e Xhanfise Kekos…”.

Keko krahasohet me mjeshtrat e kinematografisë botërore dhe prezantohet në platformat elitë

Duke u rikthyer në vitin 2014, vlen të kujtojmë se premiera botërore e filmit “Tomka dhe shokët e tij”, tashmë i restauruar në parametrat bashkëkohorë të projeksionit sajë punës së “Albania Film Project” dhe Librarisë së Kongresit Amerikan u shfaq në një nga tempujt e kinemasë botërore, siç është British Film Institute (BFI) dhe mori vlerësime në revistën prestigjioze “Sight and Sound”, ku autori nuk nguron të shprehet se : “Ky film është më i freskët e i gjallë se filmi ‘Vjedhësi i biçikletave’. Është momenti më i mirë për filmin “Tomka dhe shokët e tij”, po të kemi parasysh se krahasimi bëhej me një nga kryeveprat e regjisorit të famshëm italian Vittorio De Sika. Po atë vit, si asnjë film tjetër shqiptar deri më sot, gjatë një viti ky film arriti të shfaqet në 19 qytete në Britaninë e Madhe. Dhe, rrugëtimi vazhdon. Pas projeksioneve në USA, Francë, Israel etj., “Tomka dhe shokët e tij” është i vetmi film shqiptar, i cili është pjesë e katalogut të një prej platformave më të mëdha siç është Filmstruck, e cila si platformë VOD prezanton vetëm mjeshtërit klasikë të kinematografisë botërore. Për gjashtë muaj ai u shfaq në USA, Kanada e Porto Riko. Të njëjtin interes ka arritur të zgjojë dhe “Kur xhirohej një film”, i cili është vlerësuar veçmas për trajtimin me finesë të një teme tabu për kohën dhe dogmat, siç ishte fenomeni i divorcit në Shqipërinë e fundviteve ‘70 e që as nuk mendohej të pasqyrohej në ekranin shqiptar. Pas projeksioneve të filmit në Kinematekën e Tel Avivit, Haifas dhe Jerusalemit në formatin 35 mm dhe pritjes shumë të mirë nga publiku dhe kritika, u bë i domosdoshëm skanimi 4K dhe remasterizimi, jo vetëm i këtij filmi, por edhe i veprave të tjera të kësaj autoreje për të qenë kompatibël me kërkesat bashkëkohore të projeksioneve dhe broadcasting-ut. Deri më sot janë arritur të sillen në formatin bashkëkohor 3 prej 11 titujve nga filmat e regjisores Xhanfise Keko, ndërkohë që pritet të bëhet edhe  remasterizimin i disa titujve të tjerë, po kaq të mirëpritur të kësaj autoreje si, “Beni ecën vetë”, “Pas gjurmëve”, “Një vonesë e vogël” dhe “Taulanti kërkon një motër”.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Tradhtia e patriotizmit

Nga Koço Kokëdhima Në të njëjtën ditë që Rama përmbysi shqiponjën “korb” në hyrje të Tiranës, Macron në Paris fliste…

Abissnet