Xhamia e Plumbit, në rrezik një ndër 40 kultet më të bukura në botë

Xhamia e Plumbit është monument kulture që nga viti 1948, dhe si e tillë i shpëtoi shkatërrimit të objekteve të kultit në vitin 1967 ku u ndalua predikimi i fesë. Më 16 nëntor 1990, 26 vjet më parë, aty u mbajt edhe falja e parë e xhumasë (të premtes) pas 23 vjetësh që vendi pati shpallur ateizmin. Por me gjithë rëndësinë e të qenit objekt i mbrojtur dhe me vlera të veçanta për historinë dhe besimin në vend, ajo vijon të jetë e harruar dhe të përmbytet çdo stinë shirash.

Në prill të 2015 Ministria e Kulturës njoftoi vijimin e punimeve për restaurimin e minares së xhamisë në bashkëpunim me TIKA (Agjencia Turke për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim), projekti po ashtu përfshinte edhe rregullimin e pjesëve të tjera të objektit, por avancimi i tij ka qenë i avashtë. Sipas kujdestarit dhe imamit të kësaj xhamie Mit’hat Myftia qeveria turke ka akorduar për rikostruksionin e këtij objekti 22 milionë lekë dhe studimi është bërë nga specialistët e firmës kontraktuese. Ata kanë përfunduar studimin e pjesës nëntokësore të xhamisë dhe territorit rreth saj në mënyrë që të eliminohen ujërat e shkarkuara sa herë ka reshje dhe prurjet e lumenjve të cilat janë problemet kryesore për këtë objekt.

Por situata në Turqi, pas grushtit të shtetit ka bërë që gjithçka që u thatë ngele në vend dhe Myftia nuk di të thotë si do të vazhdojë. Sipas tij studimi parashikon edhe ndërtimi i minares, restaurimi e dyshemesë, suvatime etj. Sipas një specialisti të monumenteve në Shkodër, i cili foli në kushte anonimati, problemi kryesor aty është ai drenazhimit të tokës rreth objektit, në mënyrë që aty të mos qëndrojë uji.“Përreth objektit e jo larg tij ka disa ndërtime që pengojnë ujin të rrjedhë dhe këtu duhet të ndërhyjë Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik”, thotë specialisti. Ndërkohë sipas tij, Ministria e Bujqësisë dhe Bordi i Kullimit të Ujërave në Shkodër kanë 2 projekte për drenazhimin e tokës rreth Xhamisë së Plumbit, njëri i hartuar nga këto institucione dhe tjetri nga drejtoria e ujërave dhe myftinia e Shkodrës, por asnjëri prej tyre nuk është vënë në jetë.

Myftia thotë se shteti asnjëherë në këta 26 vjet nuk është marrë me këtë objekt edhe pse për nga vlerat ai është i rrallë. “Shumë ministra kulture kanë ardhur, e kanë parë, kanë premtuar dhe pastaj asgjë. Këtu ka pasur ndërhyrje të vogla gjatë viteve nga dega e monumenteve të kulturës pasi objekti e ka këtë status, por krejtësisht të pamjaftueshme”, thotë imami. Xhamia e Plumbit në Shkodër, shihet si një ndër objektet e kultit me vlera të mëdha kulturore e historike. Ajo është e vetmja ndërtesë kulti në Shqipëri e ndërtuar sipas stilit osman, ndryshe nga xhamitë e tjera që janë ndërtuar sipas stilit arab. E ndodhur në hyrje të qytetit, pranë kalasë Rozafa, në ansamblin muzeal që e rrethon kjo xhami ka tërhequr vizitorë të shumtë. Ajo ishte klasifikuar nga disa blogje udhëtimi si një ndër 40 xhamitë më të bukura në botë.

Edhe myftinia Shkodër, përmes drejtuesve të saj,shpesh ka ngritur zërin dhe ka kërkuar që shteti të investojë rehabilitimin e këtij objekti jo vetëm me vlera kulturore, por dhe historike. Në vitin 2003 u premtua se do të ndërhyhej dhe u hap një kanal, krejtësisht i padobishëm dhe pa projekt i cili më shumë e rëndoi situatën pasi grumbulloi ujërat e Drinit dhe të Kirit. Banorët thonë se u desh punë e madhe nga bashkia ta mbyllë këtë kanal që i shtonte problemet për këtë objekt. Xhamia e Plumbit është ndërtuar në vitin 1773 nga Mehmet Pashë Bushatlliu, në atë kohë vezir i Shkodrës. Kubetë e saj u veshën të tëra me shtresa plumbi dhe gurët për ndërtimin e saj u sollën dorë më dorë nga populli. Xhamia është restauruar në vitin 1863, në vitin 1920 dhe në vitin 1963. Në vitin 1967 një rrufe ka dëmtuar minaren e saj e cila ishte ndërtuar me gurë të latuar, ndërsa shtresat e plumbit prej kohësh janë hequr e marrë për t’u shitur, para e pas viteve 90-të.

Të tjera

Abissnet