Xhafaj kërcënon 2-3 banda kriminale: Do ua nxijmë jetën!

Nga Nikoleta Kovaçi

Policia, ministri dhe kryabashkiaku i Elbasanit iu bëjnë thirrje qytetarëve mos të bëjnë “sherre” më siç bënë në tetor. Fatmir Xhafaj tregon se i njeh kriminelët e Elbasanit e shpejt do t`i godasë me Forcën e Ligjit! Reagon Paloka: Arresto tët vëlla, vëllanë e kryeministrit dhe dhëndrin e kryebashkiakut

“Në të shkuarën e afërt Elbasani kaloi ‘sfida pasigurie”! Kështu u rrek të tregonte kryepolici i Elbasanit se ende nuk e kishte harruar Policia e Shtetit atë dorëzim pa kushte te tregu i Elbasanit në 18 shtatorin e vitit të kaluar. Aty u përplasën publikisht dy banda rivale me policinë të ndarë politikisht; një palë që s`dinte pse ishte aty dhe një palë tjetër e gatshme për të ndëshkuar e për të vënë në vend nderin e nëpërkëmbur nga policët që kishin nxjerrë armët për të mbrojtur jetën e tyre përballë bandave.

Altin Qato, i cili u dërgua në Elbasan si personi që mund të qetësonte gjakrat mes të gjitha palëve gjendej dje përkrah ministrit të Brendshëm dhe kryebashkiakut të Elbasanit. Ky i fundit i përfolur prej shumë kohësh si person me probleme të mëdha kryesisht për shkak të dhëndrit që del gjithandej nëpër skedarët e ndonjë polici apo prokurori si person që gjendet në një prej grupeve më të fuqishme kriminale në Elbasan. Po sipas të dhënave, kryebashkiaku i Elbasanit prej shumë kohësh është marrë në mbrojtje por nuk dihet nëse bëhet fjalë për ndonjë kërcënim, apo ai vijon të jetë i mbrojtur për shkak të detyrës që ka.

Po përveç kryepolicit të Elbasanit, i cili i kërkoi çdo qytetari të Elbasanit të bashkohet me policinë për të ndihmuar në ruajtjen e qetësisë së qytetit, pas asaj zhurme banditeske, fjalën e ka marrë edhe ministri i brendshëm Fatmir Xhafa. Si gjithnjë duke vënë përpara një operacion të koduar “Forca e Ligjit” që në fakt në Elbasan është sfomuar, ai ka treguar publikisht se i njihte bandat kriminale që ishin aty. Ato ishin dy-tri të tilla, duke lënë evaziv numrin, pasi ministri Xhafaj ishte në transmetim live nga të gjitha televizionet informative. Por ministri i shifrave evazive nuk tregoi për asnjë grup kriminal. Nuk foli madje as për atë grupin që në gusht nuk kishte asnjë mjet dhe oficer nga Skuadra e Operacionales ta vinte në dispozicion të prokurorisë së Elbasanit për të përgjuar ca persona që kishin qëlluar me anti-tankt disa të tjerë!

Ministri për bandat  

“Policia është para disa sfidave të rëndësishme për rendin dhe sigurinë, për luftën kundër krimit të organizuar dhe parandalimin e fenomeneve të terrorizmit. Ky prioritet i qeverisë, edhe në një plan masash për luftën kundër krimit, dhe operacioni “Forca e ligjit” është fokusuar te goditja e grupeve kriminale, që cenojnë jetën e përditshme, ekonominë dhe imazhin e vendit. Ju them sot që ky është operacion i suksesshëm, në pak muaj kemi skeduar të gjitha grupet kriminale që janë në vend, apo ushtrojnë veprimtari edhe jashtë vendit, jo vetëm kemi evidentuar se cilat janë por në drejtimin e prokurorisë kemi mundur të godasim një pjesë të rëndësishme, kemi goditur 7 të tilla me 100 persona të arrestuar drejtues apo anëtarë të tyre.

Ata personalisht, por edhe asetet kriminale të krijuara prej tyre nga kjo veprimtari. Në Elbasan, kemi 2-3 grupe kriminale që i njohim shumë mirë, po punojmë për to, për të dokumentuar që shumë shpejt t`i vëmë para përgjegjësisë penale, shteti është shumë më i fortë se çdo lloj krimineli. Policia do tua nxijë jetën në mënyrë që veprimtaria e tyre kriminale të përballet me drejtësinë” -tha ministri por pa treguar kush janë ata persona që përbëjnë këto grupe kriminale. Madje as se si do i luftonte edhe pse tregonte se do të ishte ajo Forca e Ligjit që do të veprojë, ndërkohë që në të dy rastet që pati zhvillime në atë “sfidën e pasigurisë”, nuk u arrestua asnjë element i dyshuar për banda kriminale.

Në fakt, para pak kohësh, u shpall në kërkim vetëm Suel Çela, djali që u tha se u gjet natën e përplasjes me policinë në derën e tregut, pronë e të atit të tij, por kërkimi ndodhi pasi u bë me dije se djali i biznesmenit u sigurua se e kaloi kufirin. Për ato ngjarje që ndëshkuan thuajse pjesën më të madhe të drejtuesve të policisë së Elbasanit, u arrestua roja i Tregut, i cili refuzoi t`u hapte derën policisë dhe një i ri që mori përsipër aktin por pa çuar në pranga asnjë prej protagonistëve kryesor. U dhanë në polici dhe në prokurori një mori dëshmish nga oficerë të lartë të policisë të cilëve vërtet iu rrezikua jeta nga ajo përplasje me mjetin që u fut brenda rrethimit dhe më pas u braktis nga drejtuesi. Fillimisht u tha se ishte djali i biznesmenit por më pas doli shoku i tij dhe në mënyrë vullnetare mori përsipër të tregonte se ishte ai në timon dhe se i kishte ikur policisë nga frika se mos e vrisnin.

Reagon PD

Deklaratës së ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj në lidhje me grupet kriminale në Elbasan, i është përgjigjur deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka. Ai i drejton disa pyetje dhe përmend disa emra të njohur, lidhjet e të cilëve me trafikantët e drogës duhet të hetohen. Sipas Palokës, ministri duhet ta nisë hetimin nga vëllai i tij: “Është gjë e mirë që, pas 5 vjetësh në pushtet, qeveria thotë se ka skeduar grupet kriminale dhe do t’i godasë, por ky është një film i parë 5 vjet më pare. Atëherë u premtua se brenda 300 ditëve do të vendosej rendi dhe siguria dhe krimi do të shtypej, por ajo që ndodhi ishte kanabizimi i vendit dhe një Ministër i Brendshëm në krye të trafikut të drogës, që sot duhet të ishte në burg.

Sot, Fatmir Xhafaj duhet të japë përgjigje: A e ka skeduar të vëllanë Agron Xhafajt, të dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar kokaine dhe aktualisht është një nga kokat e trafikut të drogës në Vlorë? A e ka skeduar grupin e Arbër Çekaj, të drogës kolumbiane, ku bën pjesë edhe Olsi Rama, vëllai i kryeministrit? A e ka regjistruar grupin e Qazim Sejdinit dhe dhëndrit të tij në Elbasan, ku përfshihet edhe kompania e gruas së Sejdinit, që është nën hetim për trafik droge? A e ka regjistruar grupin e Lulzim Berishës dhe Emiliano Shullazit? Nëse vërtet do që të luftojë krimin e organizuar dhe lidhjet me qeverinë e Ramës, përgjigjet për këto pyetje Fatmir Xhafaj duhet t’i bëjë publike dhe t’i kërkojë ndihmë çdo qytetari që ta ndihmojë”!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet