“Whatsapp” sjell një risi te video-thirrjet

Publikuar më 13. 01. 2018 nga Eno Shkëmbi

Mbi 100 milionë telefonata numërohen të zhvillohen vetëm në një ditë në “Whatsapp”. Ndërkohë 75 miliardë mesazhe janë dërguar përmes “Whatsapp”-it gjatë natës në vigjilje të Vitit të Ri 2018.

Një tjetër aspekt me rëndësi për “Whatsapp”-in është video chat-i ku pritet të ketë një përditësim të rëndësishëm.

“WhatsApp” bën me dije se tanimë po vjen një përditësim i ri beta, të cilin kompania e ka lëshuar këtë javë. Bëhet fjalë për një veçori të re që shfaq një buton të ri i cili automatikisht ju kalon në video thirrje.

Ky ndryshim inkurajon njerëzit të përdorin videot në vend të thirrjeve me zë.

Funksioni i ri u zbulua për herë të parë nga WABetaInfo, megjithatë, ata thonë se kjo është në dispozicion vetëm për momentin tek njerëzit e regjistruar në versionin beta të WhatsApp.

Veçoria e re nuk do të mbyllë një telefonatë me zë, por vetëm do ta kalojë atë në një video thirrje me të njëjtin person.