Vrau bashkëshorten me sopat, gjykata dënon me 35 vite burg 73-vjeçarin

Publikuar më 19. 06. 2017 nga Elidona Syla

Një 73-vjeçar është dënuar sot me 35 vite burg. Vendimi është marrë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, pasi u shpall fajtor për vrasjen e bashkëshortes së tij në gusht të vitit 2016 në Golem.

Bëhet fjalë për shtetasin Veli Dervishi, i cili më herët ka thënë para togave të zeza se, “e qëlloi ish-gruan e tij 3 herë më sopat për t’u vetëmbrojtur”.

Vrasja ndodhi në vitin 2016 në Golem, kur 73-vjeçari pretendoi se ish-bashkëshortja Shazivare Dervishi, 68 vjeçe e kishte goditur me një shufër hekuri”, thuhet në njoftimin e policisë.

“E vrava për vetëmbrojtje”, shtoi ai, version që kundërshtohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila thotë se vrasësi e ka goditur me sëpatë disa herë nënën e 3 fëmijëve.

Gjithashtu bëhet e ditur se konflikti për Dervishin ditën e vrasjes filloi për shkak të apartamentit të cilin ata e kishin lëshuar me qira për pushuesit në Golem. Viktima nuk i kishte marrë paratë një kosovari i cili kishte qëndruar disa ditë aty. Ai i kishte kërkuar llogari për këtë fakt. Por ajo e kishte ofenduar dhe konflikti më pas çoi në vrasjen e gruas.

Madje, për shkak të zhurmave, komshinjtë kanë njoftuar policinë që pasi mbërriti në vendngjarje, e ka pyetur Veli Dervishin a kishte ndonjë problem. Autori është përgjigjur që gjithçka është në rregull edhe pse ndërkohë kishte vrarë të shoqen.

E. S/Shekulli Online/