Vrasja në Itali/ Burri që vrau gruan u pushua nga puna pasi ngacmoi seksualisht kolegen

Publikuar më 09. 11. 2017 nga Bleona Metushi

Mediat italiane publikojnë të tjera detaje në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur dje, ku një burrë vrau bashkëshorten e tij me thikë, ndërsa në ndërtesë ndodhej edhe djali i tyre 8-vjeçar.

Nga dëshmitë e komshinjve mësohet se dy bashkëshortët kishin vendosur të ndaheshin, e ndërsa ndarja duket se ishte konsensuale, ditën e djeshme ndodhi ngjarja makabër.

Gjithashtu zbulohet  shkaku i largimit nga puna të shqiptarit Dritan Sulollari. Sipas mediave italiane 37-vjeçari, Dritan Sulollari ishte pushuar nga puna pesë muaj më parë në restorantin ku punonte, pasi ai ishte akuzuar për ngacmim seksual.

Pronari e kishte pushuar, pasi Dritani ishte akuzuar se kishte ngacmuar seksualisht një kolege. “Dritani kishte ngacmuar një kolege dhe rasti u bë i njohur pasi vetë kolegia kishte bërë denoncimin”- shkruajnë mediat italiane.

Ngjarja

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali ku një shqiptar ka vrarë bashkëshorten e tij. Mediat italiane kanë zbuluar emrat e dy bashkëshortëve, të cilët janë Dritan Sulollari dhe Migena Kellezi.

Migena, ndodhej në Itali prej disa vitesh, ajo i ishte bashkuar bashkëshortit të saj Dritanit, i cili punonte si kamerier në një piceri, megjithëse muajt e fundit ai ishte pa punë.
Sipas dëshmive të fqinjëve, familja shqiptare u përshkrua si një familje e qetë dhe askush nuk e kishte dëgjuar më parë çiftin të grindeshin, deri sot.

E gjithë ngjarja ka ndodhur në sytë e fëmijët 8 vjeç të çiftit. Autor i këtij krimi të rëndë është një emigrant shqiptar 37-vjeç, ndërsa viktima është 30 vjeçe. Ndërkohë fëmija është marrë nga shërbimet sociale pas gjendjes së tij të rënduar.