Vrasja e Presidentit Kennedy, ngjarja që tronditi mbarë botën! (FOTO)

Publikuar më 22. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Erion Malaj

54 vjet më parë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Fitzgerald Kennedy, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe guvernatori i Texas-it po hynte në Dealey Plaza, një shesh, që nuk njihej aspak, por që nga ai moment do të ngelej në mendjen e gjithë qytetarëve amerikanë. Dy të shtëna rezultuan fatale dhe goditën presidentin Kennedy në grykë dhe në kokë

Atentati: Dallas, Texas, 22 nëntor 1963. Si sot 54 vjet më parë, në orën 12.29 minuta, makina në të cilën ndodhej presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës John Fitzgerald Kennedy, i shoqëruar nga bashkëshortja e  tij Jacqueline Kennedy dhe guvernatori i Texasit John Connally po hynte në Dealey Plaza, një shesh, i cili nuk njihej aspak, por që nga ai moment do të ngelej në mendjen e gjithë qytetarëve amerikanë , dhe jo vetëm. Dy të shtëna rezultuan fatale dhe goditën presidentin Kennedy në grykë dhe në kokë. Në shesh turma nxitoi të vraponte drejt vendit nga fillimisht thuhej se kishin dëgjuar të shtënat dhe kishin parë një shtëllungë tymi.

Ndërkohë eskorta dhe makina e presidentit u larguan me shpejtësi të madhe drejt spitalit më të afërt, Parkland Memorial Hospital. Pamjet dramatike të xhiruara nga civilë të ndryshëm në Dealey Plaza, të cilët kishin dalë të emocionuar për të mos humbur atë vizitë historike të presidentit në Texas, do t’i bëheshin të ditura shumë vite më vonë publikut në mbarë botën. Në orën 13.05 minuta, nëpërmjet një deklaratë zyrtare, spitali i Parkland konfirmoi ndarjen nga jeta të presidentit Kennedy. Ai ishte presidenti i tetë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që vdiq gjatë detyrës dhe i katërti, që humbiste jetën nga dora e vrasësve. Por jeta, vepra dhe vrasja e tij e bëjnë këtë personazh sa unik aq edhe të përfolur

Kush ishte John Fitzgerald Kennedy:

John Fitzgerald Kennedy, lindi më 17 maj 1917 në Massachusetts, Boston. U rrit në një familje të pasur e të famshme me origjinë irlandeze, nga prindërit Joseph P. Kennedy dhe Rose Fitzgerald Kennedy. Ai kishte tre vëllezër e katër motra, midis të cilëve dhe Robert Kennedy dhe Edward “Teddy” Kennedy, dy figura të mëdha të politikës amerikane. Babai i tij, një ndër biznesmenët më të pasur të SHBA, ishte një ndër njerëzit më afërt të presidentit Roosevelt. Ky i fundit gjatë viteve 1938-1940 e ngarkoi Joseph P. Kennedy me detyrën e Ambasadorit të SHBA në Angli.

Ëndrra e tij ishte të ngjiste majat e politikës amerikane, dhe pasi pa që nuk do të arrinte dot vetë, u fokusua që fëmijët e tij t’i rriste më këtë ide, dhe me një objektiv të vetëm: Të drejtonin superfuqinë botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fëmijërinë e tyre, të vegjëlit e familjes Kennedy dëgjonin prej babait të tyre vetëm thënie të tipit:“Të qenit i dyti është si të kesh humbur, njësoj si të qenit i fundit. Vetëm duke qenë të parët do të arrini majat”.

Gjatë qëndrimit të tij në Boston, John Kennedy frekuentoi shkollat më elitare të kohës, si Edward Devotion School apo Dexter School. Më pas frekuentoi një ndër shkollat e mesme më të suksesshme, atë të CHOATE ku dhe u diplomua me 1935. Gjatë këtyre viteve të rinisë së tij duhet përmendur së Kennedy vuajti nga sëmundje të ndryshme, të cilat asnjëherë nuk ia lehtësuan gjërat. Në vitin 1936 filloi studimet në Universitetin e Harvardit, aty ku studionte dhe vëllai i tij i madh Joe Kennedy dhe ku kish përfunduar studimet babai Joseph.

Djemtë e familjes Kennedy ishin të pashëm, të zgjuar dhe tepër të pasur. Vëllai i tij Joe ishte personi tek i cili familja besonte se do të arrinte majat e politikës Amerikane. Ndërsa John Kennedy dhe pse inteligjent dhe i suksesshëm, përsëriste shpesh se do të kish dëshirë të bëhej shkrimtar në jetë. Në qershor të 1940 John Kennedy u diplomua me “Cum Laude” në Marrëdhënie Ndërkombëtarë pranë Universitetit të Harvardit. Teza me të cilën mbrojti diplomën, dhe vendosi ta publikonte me emrin “Why England Slept” (Pse Anglia fjeti) ishte një bestseller i kohës.

Me të përfunduar studimet, ai u regjistrua në Marinën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ishte viti 1941 dhe lufta e dytë botërore ishte në kulmin e saj. Ndërkohë që fëmijët e familjeve të kamura shfrytëzonin paratë dhe njohjet për të shmangur pjesëmarrjen e tyre në luftë, John Kennedy dhe vëllai i tij i madh Joe bënin të kundërtën. Joe ishte në aeronautikën e SHBA, ndërsa John dhe pse jo plotësisht shëndosh e mirë (nuk kalonte provat e shëndetit ushtarak) arriti të shkonte në oqeanin pacifik si komandant në anijen bombarduese PT-109 ku drejtonte një staf prej 12 anëtarësh. Natën e 2 Gushtit 1943 anija e tyre përplaset me një anije japoneze dhe fundoset.

Kennedy arriti të shpëtonte disa prej tyre pasi ishte një notar tepër i zoti, dhe pse gjatë këtij aksidenti pësoi një dëmtim të madh në shtyllën kurrizore, që do ta detyronte të mbante një brezore nga ai moment deri në ditën e vdekjes. Pasi i drejtoi për tek një ishull aty pranë, u detyrua që njërin prej të plagosurve rëndë ta nxirrte në breg, duke mbajtur kafshuar me dhëmbë rripin e jelekut të shpëtimit të tij. Në ishull pasi pa dy indigjenë vendas, Kennedy mendoj t’i jepte atyre një arrë kokosi tek e cila me thikë gdhendi një mesazh ku thuhej se kishte të mbijetuar, dhe atë ja dha dy indigjeneve që ta dërgonin tek amerikanët pasi vet nuk e kishin të mundur të lëviznin.

Të nesërmen, Kennedy dhe ekuipazhi i tij u shpëtuan, me përjashtim të dy personave që humbën jetën gjatë aksidentit të anijes. Por Lufta e Dytë Botërore i dha një goditje të madhe familjes Kennedy, pasi djali i tyre i madh Joe humbi jetën në një mision sekret gjatë ditës së tij të fundit të shërbimit ushtarak në qiejt e Evropës. Tani të gjithë presionet dhe kërkesat e familjes së tij binin mbi shpatullat e John Kennedy. Me t’u kthyer në atdhe, John mori disa medalje të larta të Marinës Amerikane si rezultat i shërbimit ndaj atdheut. Pasi u bind nga i ati se në jetë duhet të merrej me politikë, arriti të zgjidhej në kongresin e SHBA-së më 1946 e më pas në 1952-ën u zgjodh në Senatin e SHBA-së.

Më pas në moshën 36-vjeçare u martua me 24-vjeçaren Jacqueline Bouvier. Gjatë viteve të shërbimit si senator vuajti nga dhimbje të mëdha të shtyllës kurrizore dhe pasi kreu dy operacione të komplikuara u detyrua të merrte një periudhë pushimi nga politika, të cilën e shfrytëzoi për të shkruajtur një libër me historitë e pesë senatorëve amerikanë të viteve të ndryshme, të cilët kishin sakrifikuar karrierat e tyre politike për të mirën e vendit. Libri quhet “Profiles in Courage” dhe fitoi çmimin “Pulitzer” për biografinë më 1957. Ndërkohë që bëhej gjithnjë e më i suksesshëm, vendosi që më mbështetjen e Partisë Demokratike e ndihmën ekonomike të babait të tij të kandidonte, si president i Shteteve te Bashkuara të Amerikës.

Më 1960 John Fitzgerald Kennedy fitoi zgjedhjet ndaj kandidatit Republikan Richard M. Nixon. Kennedy ishte presidenti i 35 i SHBA-së, por i pari me origjinë irlandeze dhe i pari e i vetmi president katolik në historinë e SHBA-al. Gjatë deklaratës së inaugurimit si president, ai përdori dhe atë që më vonë u quajt thënia e shekullit në SHBA: “Mos pyesni çfarë mund të bëjë vendi juaj për ju, por pyesni çfarë mund të bëni ju për vendin tuaj”.  Ndërkohë, që gjatë këtyre viteve së bashku me Jacqueline patën dy fëmijë, Caroline dhe John Kennedy Jr.

Gjatë vitit të parë të qëndrimit të tyre në shtëpinë e bardhë, çifti presidencial Kennedy arriti të rinovonte në çdo aspekt këtë tempull ku prej shekujsh tashmë transferohet Presidenti i SHBA-së së bashku me First Lady-n dhe fëmijët e tyre. Ishte më saktë Jacqueline ajo që ndërroi gjithçka në shtëpinë e bardhë, duke filluar nga ngjyra e mureve, tapetet, objektet, pikturat, e duke organizuar koncerte dhe shfaqje të ndryshme me artistë e muzikantë të mëdhenj amerikanë.

Sipas saj, Shtëpia e Bardhë duhej të kthehej në një simbol të fuqishëm të SHBA-së e në të njëjtën kohë ky vend të ishte pasqyrimi i kulturës dhe historisë amerikane. Ndërkohë vit mbas viti presidenti Kennedy u përball me një ndër problemet më të mëdha, që kish parë historia botërore: atë të armëve nukleare.

Në ditarin e Shtëpisë së Bardhë, që mund të konsultohet në faqen web të “John F. Kennedy Library and Museum”, i cili ndodhet në Boston të SHBA, thuhet së gjatë asaj periudhe ai zgjohej rreth orës 07.15 min të mëngjesit, lexonte mbi pesë gazeta nga shtypi i ditës ndërkohë, që i shërbehej mëngjesi, e më pas kishte vetëm takime, konsulta me ekspertë të ndryshëm dhe biseda telefonike me liderët botërorë, dhe në fund arrinte të flinte pak pas mesnate.

Gjithashtu vendndodhja e Kubës komuniste të Fidel Castros vetëm pak milje nga brigjet e Miamit, pra fare pranë territorit të SHBA-së, nuk ia lehtësonin drejtimin e vendit. Gjatë këtyre viteve pati dhe momente tejet të vështira, të cilat nëse nuk do të ishin trajtuar me kujdes, do të kishin çuar në një luftë të tretë botërore sa hap e mbyll sytë.

Një disfatë e presidentit Kennedy ishte incidenti në “Bay of Pigs” (Gjiri i derrave) ku u mposht një sulm sekret i disa anëtarëve të lëvizjes për çlirimin e Kubës, një lëvizje që dihej qartë së përgatitej e stërvitej prej SHBA-së, pasi vetë ata kurrsesi nuk do të bënin një ndërhyrje të drejtpërdrejtë kundër Kubës. Por gjatë viteve të presidencës ai arriti të linte shenjë në mendjen dhe në veprën e të gjithë qytetarëve në mbarë botën.

Në vendin e tij fitoi popullaritet dhe besim pasi arriti të mos lejonte ish- Bashkimin Sovjetik të ndërtonte raketat në brigjet e Kubës, fare pranë SHBA, diçka për të cilën pak njerëz mendonin se do të ishte e mundur dukë parë se përballë kishte Nikita Krushev. Ai krijoi “Peace Corps”(trupat paqësorë), të cilët ekzistojnë edhe sot, dhe nëpërmjet tyre shtetasit amerikanë mund të nisen vullnetarë drejt vendeve të botës për të ndihmuar  në edukim, mjekësi, ndërtimin e kombeve jo në gjendje etj.

Gjithashtu ai ishte prijësi i një fushate, që lindi mbi dërgimin e astronautëve amerikanë në Hënë, pasi arriti të bindte Kongresin Amerikan për herë të parë të investonte rreth 22 bilionë dollar në këtë fushë. Gjithashtu ai ndërhyri me forcë ndaj diskriminimeve raciale në SHBA, të cilat ishin në kulmin e tyre në vitet 1960 dhe luftoi krimin e organizuar. Këtu nuk mund të rrimë pa përmendur njeriun që bëri të mundur gjithçka në karrierën politike të Kennedy-t, një ndër politikanët më të njohur e flamurtar i luftës civile në SHBA, Robert Francis Kennedy, i cili ishte dhe këshilltari kryesor i vëllait të tij në çdo çështje e në të njëjtën kohë Ministër i Drejtësisë në presidencën Kennedy.

Tek qytetarët e botës, Kennedy njihej si një lider i aftë dhe i fuqishëm. Fjalimet e tij madhështore nëpër kryeqytete të ndryshme të botës, por sidomos ai në Berlin, pas ndërtimit të murit, kanë mbetur në histori. Gjatë vizitës së tij në Berlin, presidenti Kennedy mbajti një fjalim përpara 500 mijë qytetarëve gjermanë, dhe pasi i ftoi të gjithë ata që nuk shihnin ndryshim të madh mes demokracisë dhe komunizmit të vinin në Berlin e më pas të flisnin, midis të tjerave tha: “Të gjithë njerëzit e lirë, kudo jetojnë në botë, janë sot qytetarë të Berlinit, ndaj, si njeri i lirë, unë ju them me krenari fjalët “Ich bin ein Berliner”.

22 nëntor 1963, një datë që mbeti në histori, e mbuluar me dhimbje e mister 

Deri në ditët e sotme, kjo ngjarje vazhdon të jetë më e mistershmja në SHBA dhe pse kanë kaluar 54 vjet. Janë shkruar mbi 40 mijë vëllime mbi jetën e tij, e shpeshherë fokusohen në atentatin që ju krye pikërisht më 22 nëntor në Dallas, Texas. Janë të shumtë dhe filmat Hollivudian, i fundit në 2013, i titulluar “Parkland” dhe pse më i famshmi vazhdon të mbetet ai i 1991 nga regjisori Oliver Stone, i titulluar “JFK, një çështje ende e hapur” i bazuar në investigimet e kryera nga prokurori Jim Garrison, i cili besonte në një komplot ndaj presidentit Kennedy.

Gjithashtu janë të shumtë dokumentarët dhe serialet televizive mbi këtë ngjarje. Por për të kuptuar sadopak misterin që mbulon datën 22 nëntor dhe ditët, muajt e vitet në vazhdim, duhet të kthehemi edhe njëherë në Dealey Plaza, më 22 nëntor, 1963, ora 12.29 minuta. Dëshmitarët dëgjojnë tre të shtëna, dy prej të cilave godasin presidentin Kennedy në grykë dhe në kokë. Gjithashtu guvernatori Connally mbeti i plagosur lehtë nga këto të shtëna.

Pas goditjes së parë në fyt, ashtu siç shihet qartë dhe në videon e famshme të një qytetari të quajtur Abraham Zapruder, presidenti nuk mundi të shtrihet në makinë pasi pikërisht ajo brezore të cilën e mbante përherë që pas aksidentit me anije në oqeanin pacifik më1943, nuk e lejonte bustin e tij të përkulej. Kjo gjë e bëri një shënjestër të thjeshtë për vrasësin apo vrasësit, gjë ende sot e pa zbardhur plotësisht. Ndërkohë as Jacqueline nuk kish kuptuar se bashkëshorti i saj ishte goditur, dhe afrohet ta pyes çfarë po ndodhte dhe a ndihej mirë. Pikërisht në ato momente, pamjet tragjike të videos Zapruder, na lejojnë të përjetojmë së bashku me zonjën Kennedy atë moment tragjik të goditjes së dytë, e cila kësaj radhe ishte në kokë, fatale. Në orën 13.05 kur presidenti u konfirmua i vdekur nga spitali Parkland, bashkë me të vdiq dhe ëndrra amerikane e atyre viteve.

Për vrasjen e tij u akuzua Lee Harvey Oswald, i cili punonte në godinën nga ku u dëgjuan fillimisht tre të shtëna dhe ku më pas u gjet një armë. Mirëpo vite më vonë u zbulua se një polic në detyrë në Dealey Plaza kish harruar të ndezur radion e tij, dhe falë këtij regjistrimi mund të dëgjohen qartë ekzaktësisht gjashtë të shtëna. Rreth orës 13.50 në një kinema në Dallas u arrestua Lee Harvey Oswald. Ai ishte fshehur aty pasi kish goditur për vdekje pak minua më parë një efektiv të policisë së Dallasit, J.D Tippit. Ndërkohë që Oswald arrestohej, trupi i Kennedyt u transportua nga spitali i Parkland në drejtim të Air Force One.

Gjatë fluturimit të Air Force one në drejtim të Washingtonit, Jacqueline u largua nga trupi i bashkëshortit të saj, vetëm për 20 minuta, gjatë të cilave zv.presidenti Lyndon Johnson u betua në bordin e avionit presidencial si Presidenti i ri i SHBA. Oswald fillimisht u akuzua për vrasjen e një agjenti policie, më pas dhe për vrasjen e presidentit, por vetëm 48 ore pas vrasjes së Kennedy, në ambientet e komisariatit të policisë në Dallas qëllohet për vdekje nga një person i quajtur Jack Ruby, i cili teksa e qëllon i bërtet “ke vrarë presidentin tim”. Në këtë mënyrë, pothuajse asgjë nuk u arrit të nxirrej nga goja e Oswald, përveç faktit se përsëriste me të madhe se nuk ishte ai vrasësi, por një kukull e përdorur nga të tjerë vetëm për faktin se kish jetuar në Bashkimin Sovjetik. Në të njëjtin spital ku vdiq Presidenti Kennedy, vdiq dhe i akuzuari si vrasës i tij Lee Harvey Oswald.

Që nga ai moment deri në ditët e sotme ka patur katër komisione hetimore mbi vrasjen e presidentit Kennedy. I pari ishte më 1964, dhe quhej “Raporti Warren”, dhe doli në përfundimin se vrasësi ishte një i vetëm dhe ai quhej Lee Harvey Oswald. Më pas në 1976 u krijua një tjetër komision hetimor, i quajtur “United States House Select Committee on Assasinations” dhe doli në përfundimin se presidenti Kennedy ishte vrarë si rezultat i një komploti, dhe jo vetëm nga Oswald. Gjithashtu  komisionet Church dhe Rockefeller hetuan mbi përgjegjësinë e FBI dhe CIA në këtë ngjarje të rëndë për SHBA, por pa dalë në përfundime të dyshimta.

Me 25 nëntor 1963 në varrezat e heronjve të luftës në Arlington, u varros me një ceremoni madhështore presidenti i SHBA John Fitzgerald Kennedy. Sipas deklaratave të drejtuesve të CIA-s, dhe FBI-s, ajo ditë për ta ishte një makth i vërtetë, pasi në të njëjtin vend e në të njëjtin moment ndodheshin presidentë, kryeministra, ministra, ambasadorë, mbretër e princër nga e gjithë bota. Vlen për t’u kujtuar fakti se nga kërkimet që kam kryer në Arkivat Digjitale të Muzeut e Librarisë së presidentit Kennedy, dhe gjatë vizitës time në Boston, arrita të vërtetoj se regjimi komunist shqiptar nuk pati dërguar asnjë delegacion në këtë ceremoni, ndryshe nga shumica e shteteve të botës, përfshi këtu dhe vende totalitare si ish- Bashkimi Sovjetik apo Serbia e gjeneralit Tito, sigurisht kjo si për shkak të ngrirjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

Po në të njëjtën ditë, si për ironi të fatit, në Dallas varrosej dhe Lee Harvey Oswald e polici J.D Tippit.  John Kennedy kishte shumë armiq, për vetë faktin, sepse ishte një ndër njerëzit më të suksesshëm e në të njëjtën kohë së bashku me vëllanë e tij Robert Kennedy, përbënte rrezik të tmerrshëm për mafien në SHBA. Ndaj ishin të shumtë ata që do të kishin dashur vrasjen e tij. Ndër zërat që qarkulluan nëpër vite, ishte Mafia ajo që e vrau presidentin, për disa të tjerë ishte Fidel Castro, e për të tjerë akoma kundërshtarët e Fidel Castros pasi Kennedy nuk kish ndihmuar në kauzën e tyre.

Lee Harvey Oswald

Një përgjigje që do mund të kish ardhur nga vetë goja e të akuzuarit kryesor, Lee Harvey Oswald, nuk do të vijë kurrë. Janë me mijëra njerëz, që besojnë në një komplot ndaj presidentit Kennedy, pasi e shohin të pamundur faktin, që një njeri i vetëm të mund të vriste një ndër figurat më të mëdha e më të fuqishme të botës.

Lider i padiskutueshëm

Por ky është një mister që ka mbuluar vrasjen e presidentit Kennedy, që në orën 12.29 minuta në Dealey Plaza në Dallas, Texas, e do të vazhdojë të jetë i tillë për vite të tjera. Vepra e presidentit Kennedy dhe imazhi që ai la te njerëzit, si lider i padiskutueshëm, janë të pavdekshme në mendjen e amerikanëve dhe qytetarëve të botës.

Emri i tij, në mbarë botën

Emrin e tij e gjejmë sot kudo në SHBA e në mbarë botën, nëpër rrugë, sheshe, parqe, aeroporte, universitete,etj. Sepse siç ai thoshte, “Një njëri mund të vdesë, kombet mund të ngrihen e të rrëzohen, por një ide mbetet përjetësisht”

Një ditë e vërteta do dalë në skenë

Janë pikërisht idetë e presidentit Kennedy, që frymëzojnë sot mua, dhe njerëz të tjerë në mbarë botën, për të ndërtuar një botë më të mirë, më të sigurtë, më të drejtë. Dhe te gjithë ne, presim çdo dokument të ri që del në skenë, dhe pse jo me shpresën e madhe se një ditë e vërteta do mbi vrasjen e tij do të dalë në dritë.