Vrasja e policit në Lazarat, avokati: Gjyqtarët të frustruar nga Saimir Tahiri

Nga Bleona Metushi

Gjykata e Krimeve të Rënda zhvilloi seancën e radhës për “grupin e zjarrit” që dyshohet se kanë qëlluar në drejtim të policisë në Lazarat. I dyshuari tjetër mohon dëshminë e dhënë në polici duke thënë se e kanë dhunuar. Avokati Fana akuzon gjykatën se ka krijuar grup kriminal me adoleshentë

Gjykata e Krimeve të Rënda zhvilloi dje seancën e radhës për “grupin e zjarrit” që dyshohet se qëlloi me armë në drejtim të policisë në Lazarat, më 24 qershor të vitit 2015, ku mbeti i vrarë efektiv policisë, Ibrahim Basha dhe u plagosën dy të tjerë. Në seancën e djeshme vazhdoi marrja në pyetje e të pandehurve, ndërsa këtë herë dha dëshminë e tij Klodian Selimi, një prej të pandehurve, i cili më herët, në dëshminë e dhënë në polici, pranoi krimin dhe tregoi mënyrën se si veproi grupi.

Por ashtu si Elson Kazma, Selimi mohoi të gjithë dëshminë duke përforcuar akuzat se ishin dhunuar nga policët dhe prokurori Anton Martini. Selimi ndryshe nga dëshmia e mëparshme ka thënë në sallën e gjyqit se nuk i pranon akuzat e bëra dhe se dëshminë e ka dhënë nën presion psikologjikë dhe dhunë fizike. “Nuk e di se për çfarë bëhet fjalë. Atë dëshmi e kanë bërë vetë dhe unë e kam firmosur nën presion dhe dhunë.”- tha Klodian Selimi, duke iu përgjigjur pyetjes rreth deklaratës së dhënë në polici kohë më parë. E gjithë seanca është zhvilluar mes diskutimesh midis avokatëve dhe prokurorisë e gjykatës.

Në një kohë që avokati Ilir Murati kërkoi që dëshmia e tyre të mos konsiderohet si provë nga mënyra se si ajo është marrë, të njëjtën kërkesë ka bërë edhe avokati Andi Duraj, i cili  kërkoi që dëshmitë të mos merren parasysh, duke thënë se  kërkonte që të mos lejohej fare si provë. “Ne kërkojmë papërdorshmërinë e deklaratës, pra të mos lejohet të përdoret si provë dhe jo më të çmohet dhe vlerësohet. Sepse kemi këtu në burg të rinj që s’kanë bërë asgjë, ndërsa vrasësit e vërtetë qëndrojnë aty jashtë.”-tha Duraj.

Ndërsa deklaratën se vrasësit e vërtetë qëndrojnë jashtë e kanë mbështetur edhe familjarët nga salla, të cilët u shprehën se ata janë miq të prokurorit. “Janë miq të prokurorit ata. Janë duke na vrarë fëmijët zoti gjykatës”-janë shprehur kështu familjarët, të cilët disa herë me radhë janë paralajmëruar nga gjykatësi i çështjes që të heshtin ose do të detyrohej ti nxirrte.

E mes këtyre pretendimeve prokuroria qëndroi stoike në kërkesën e saj, duke thënë se ajo çfarë kërkojnë avokatët nuk është ligjore. Të njëjtën gjë argumentoi edhe gjykata duke rrëzuar kërkesën e mbrojtjes. Në seancë për një moment foli edhe Arbjon Aliko, i konsideruar si kreu i grupit. Ai tha se fakti që ai dhe vëllai i tij, nuk janë marrë në pyetje dhe që prokuroria hoqi dorë nga marrja në pyetje tregon tendencën që ka. “Dua unë të them diçka. Që të qartësohen të gjithë, ju zoti gjykatës dhe të gjithë, në lidhje me faktin që prokuroria hoqi dorë nga marrja në pyetje mua dhe vëllain tim tregon qartë tendencën e prokurorisë. Sepse që kur jemi arrestuar dhe deri më tani nuk na kanë marrë në pyetje. As në hetimet paraprake nuk na kanë marrë në pyetje, por as këtu. Qoftë edhe të na pyesnin për qëndrimin tonë në lidhje me akuzat që na bëhen.

Po sikur ne ta pranonim krimin dhe të kërkonim për masat lehtësuese, e pra duket qartë tendenca e prokurorisë me këtë sjellje.”-tha Aliko. Ndërsa një moment kyç i seancës ka qenë edhe çasti kur fjalën e kërkoi avokati Neshat Fana, ky i fundit foli i irrituar për gjykatën dhe prokurorinë, për të cilët tha se janë të frustrur nga ish-ministri i Brendshëm, teksa shtoi se gjykata është bërë ndëshkuese dhe nuk logjikon faktet. “Nuk kam ardhur këtu për ti bërë fresk as gjykatës dhe as prokurorisë. Sa për pjesën e dëshmisë, se kam problem që ju ta pranoni dhe vendimi juaj për ta pranuar si provë ishte i drejtë dhe i mbështetur në ligj. Halli im është se këtë dëshmi, a e besoni vetë more zotëri?

E besojnë apo jo këta prokurorët. Sipas jush nuk ka asgjë të çuditshme në këtë dëshmi?! Ju me dashje jeni kthyer në një gjykatë ndëshkimore, ju nuk logjikoni më fakte, thjesht bazohen në atë kodin tuaj. Me këto dëshmi është krijuar një organizatë kriminale me adoleshentë. Ju keni qenë të frustruar nga ish-ministri i Brendshëm s’keni faj, po ashtu edhe Prokuroria. Në lidhje me këto gjëra do më dëgjoni sërish të flas.”-tha Fana. E ndërsa avokati Murati i kërkoi gjykatës që si provë të merret edhe dëshmia e psikologes që ka qenë në momentin që të pandehurit të cilët e rrëzojnë dëshminë e dhënë, kanë firmosur në komisariatin e Gjirokastërs, kërkesë kjo e pranuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda një grup të rinjsh, nën drejtimin e Arbjon dhe Alban Alikos, kanë planifikuar, organizuar dhe goditur forcat e Policisë, të cilat gjendeshin në patrullim në zonën e Lazaratit. Ngjarja në fjalë ka ndodhur në datat 23-24 qershor të vitit 2015. Të pandehurit, së bashku edhe me persona të tjerë, kanë qenë të armatosur me armë të ndryshme dhe kanë tentuar që të largojnë me forcë policinë, me qëllim që në zonën e tyre të rikthehej kultivimi i lëndës narkotike kanabis sativa, një paligjshmëri që ishte goditur në një operacion të gjerë  në vitin 2014.

Mesnatën, duke u gdhirë data 24 qershor 2015, forcat e policisë kanë nisur operacion në zonën e Lazaratit, pasi kishin informacione se disa të rinj po përgatiteshin për veprime kriminale. Të pandehur për këtë çështje janë Arbjon Aliko, Alban Aliko, Bajram Bocia, Elvis Bocia, Elson Kazma, Xhulio Malo dhe Klodian Selimi. Ata gjykohen për veprat penale “vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”; “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit” e mbetur në tentativë, në 5 raste; “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”; “grupi i strukturuar kriminal”, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”; “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

I pandehuri Selimi: Jam dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht

Prokuroria: Ju akuzoheni për veprat penale “kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, me dhunë; “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”; “grupi i strukturuar kriminal”, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, cili është qëndrimi juaj?

Klodian Selimi: Nuk kam kryer asnjë vepër penale, nuk i pranoj këto akuza.

Avokati: Ju kujtohet ku keni qenë ditën që ka ndodhur vrasja e policit në Lazarat?

Klodian Selimi: Kam qenë në shtëpi dhe lajmin për atë që kishte ndodhur e kam parë në lajme. Nuk i mbaj mend datat të sakta se ka kaluar shumë kohë.

Avokati: Keni parë njëri të armatosur atë ditë?

Klodian Selimi: Nuk kam parë asnjë të armatosur.

Avokati: I njihnit të pandehurit e tjerë?

Klodian Selimi: Jo nuk i njihja, me një pjesë të tyre jam njohur në komisariatin e Gjirokastrës. Aty prokurori Anton Martini ushtroi dhunë ndaj ne të dyve, Elson Kazmës dhe mua.

Avokati: Ka qenë dikush tjetër aty?

Klodian Selimi: Jo nuk ka qenë askush tjetër aty, ishim vetëm ne.

Avokati: Çfarë ndodhi më konkretisht?

Klodian Selimi: Na ushtronte presion për të pranuar disa gjëra që do të na i tregonin ata. Na kanë rrahur, dhunuar fizikisht. Mua më kanë çarë dorën.

Avokati: Keni marrë ndihmë mjekësore?

Klodian Selimi: Jo çfarë ndihme mjekësore, fare. Nuk kemi marrë në asnjë moment ndihmë mjekësore, se në ambientet e spitalit kishte kamera.

Avokati: Sa i përket deklaratës së bërë në polici, çfarë keni për të thënë?

Klodian Selimi: Për deklaratën dua të them se i kanë bërë të gjitha vetë. Unë nuk di gjë në lidhje me të. Çdo gjë që është firmosur nga unë është firmosur nën presion, dhunë dhe kërcënim.

Arbjon Aliko: The se deklaratën e ke firmosur nën presion dhe të kanë kërkuar të përmendësh dhe thuash gjëra që nuk ishin të vërteta. Çfarë iu kërkuan më konkretisht, për kë duhet të flisje?

Klodian Selimi: Më kërkuan që të pranoja që ju njihja ju. Që njihja Arbjon dhe Alban Alikon, si edhe Elvis dhe Bajram Boçin.

Gjykatësi: Ka më pyetje?

Avokati: Jo nuk kam më pyetje.

Dëshmia në komisariatin e Gjirokastrës

Arbjoni po kthehej me makinën e tij nga rruga ku kishte kaluar më parë. U afrova te makina dhe më tha: A do dalësh me grupin të luftojmë sonte? Unë i thashë po. Ai më tha: ik te grupi te depoja e ujit, ku ishte dhe grupi. Pas Arbjonit lëvizi dhe E. Aliko me makinën e tij “Smart”. Mendoja se shokët e grupit ishin shokët e fshatit, me të cilët ishte rritur. Kur shkova te vendi, aty ishin katër veta. Ata ishin në këmbë, të pamaskuar dhe ishin në pritje t’u sillnin armët e zjarrit. Këta persona ishin shtetasit D.G., E. Kazma, një djalë nga fshati me emrin Dh.K., A.H. dhe O.P.

Ata më thanë se po presim armët pasi me to do të gjuanim policinë. Aty mësova se këta shtetas do të qëllonin me armë, pasi të qëllohej me armë në pjesën e poshtme të fshatit. Do të qëllonim me armë rreth orës 3 ose 4 të mëngjesit. Gjatë kësaj kohe D. foli në telefon me Arbjonin dhe mësova fillimisht do të qëllohej poshtë. Pastaj, grupi do të qëllonte aty e në vijim do të binim poshtë për t’u bashkuar me shtetas të tjerë që ishin me Arbjonin. Ata bënë dy telefonata për këtë plan. Pas pak, i frikësuar, si edhe pashë që babi kishte thirrur 32 herë në telefon, gjeta pretendimin për t’u larguar me arsyetimin se do shkoja për të marrë ujë te lokali.

Kur shkova në shtëpi fika edhe telefonin. Rreth orës 17:00 dëgjova krisma arme. “Morëm fund” Më ka telefonuar Arbjon Aliko dhe më pyeti se ku isha dhe i thashë se kam qenë në dasmë. Ai më tregoi se u fut policia nga depo e ujit që është në qendër të fshatit. Unë i thashë ‘morëm fund’, duke nënkuptuar se do të kishin probleme, pasi ishte qëlluar policia. Ishin tre grupe të organizuar që drejtoheshin nga Arbjon Aliko, E. Aliko dhe A. Basha, i cili komandonte grupin te xhamia, që quheshin D.G., E. Kazma, A.H. dhe Dh.B. Natën që është vrarë polici mësova se armët do t’ua sillte A.G., E.B dhe B.B., të cilët kanë qenë së bashku me shtetasin Arbjon Aliko, Alban Aliko dhe Elsona Kazma ditën e goditjes ndaj policisë, të mërkurën, më datë 24.06.15.

 

Të tjera

Abissnet