Vrasësit shqiptar të avokatit grek planifikojnë arratisje të përgjakshme nga burgu

Publikuar më 30. 11. 2017 nga Xhensila Demollaj

Vrasësit dhe porositësit e ekzekutimit të avokatit grek Mixaleis Zafeiropoulos kishin planifikuar arratisjen nga burgu Koridhalos në Greqi. Një plan i mirëmenduar dhe që u ngjasonte skenareve hollivudiane.

E përditshmja greke “To Vima” ka mësuar se arratisja do të bëhej duke përdorur një raport mjekësor. Policia e Greqisë zbuloi se njëri prej shqiptarëve të arrestuar për vrasjen e avokatit të njohur, do të konsumonte një sasi pilulash që do t’i shkaktonte reaksion dhe do të nxirrte shkumë nga goja.

Në këtë mënyrë ai do të transferohej në spitalin e Athinës për t’u kuruar. Sipas planit, bashkëpunëtorë të jashtëm do të sulmonin oficerët e policisë në spital kur të mbërrinte i burgosuri, dhe më pas do të arratiseshin. Policia e Athinës ka zbuluar disa armë dhe uniforma policie të fshehura në lagjen “Kalithea” të kryeqytetit grek.

Autoritetet dyshojnë se këto armë do të përdoreshin për të sulmuar policinë në spital për të ndihmuar të burgosurin shqiptar që të arratisej. Nuk bëhet me dije se për cilin prej shqiptarëve bëhet fjalë. Theksojmë se në burg për vrasjen e avokatit ndodhet shqiptari Mikel Brahimaj dhe tre shqiptarë të tjerë të burgosur tashmë prej disa vitesh dhe që janë porositësit e ekzekutimit.

Ndërkohë, vrasësi i dytë dyshohet se është arratisur në Shqipëri. Avokati grek Zafeiropoulos u vra më 12 Tetor në zyrën e tij në Athinë.