Vranë dhe hodhën në kanal 23-vjeçarin në Fier, autorët nuk pranojnë krimin

Ngjarja ka ndodhur orët e vona të së dielës, ndërsa viktima është 23-vjeçari nga Tropoja, Florian Selimaj. Si autorë të dyshuar për vrasjen e të riut janë arrestuar Sadri selaci dhe Kiri Mernicaj. Ata janë lënë në burg pa afat

Xhentila Gjoshi

Gjykata e Fierit ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat, për dy të rinjtë të akuzuar për vrasjen me thikë të 23-vjeçarit Florian Selimaj. Dy autorët e dyshuar sipas prokurorisë, janë shtetasit Sadri Selaci dhe Kiri Mernicaj. Në kërkesën e saj për caktim masë sigurimi, prokuroria thotë se janë krijuar dyshime të shumta që dy të rinjtë kanë qëlluar për vdekje dhe më pas e kanë hedhur në kanal 23-vjeçarin Florian Selimaj. Trupi i Florian Selimit është gjetur i hedhur në një kanal më 12 Gusht 2019 në “Kthesën e Hamilit”, në Fier. Në trupin e viktimës, organi i akuzës është shprehur se janë gjetur shenja të prerjeve me thikë nga të cilat ka ardhur edhe vdekja. I riu nga Tropoja kishte disa vite që jetonte në fshatin Sulaj të Fierit, fshat në të cilin banojnë edhe dy autorët e ngjarjes. Trupi gjykues drejtohej nga gjyqtari Ergys Selmani dhe prokuror Hysen Ajsllari që ka kërkuar edhe masën e sigurisë “arrest me burg”, për të pandehurit të cilët nuk e kanë pranuar akuzën. Teksa kanë dhënë gjeneralitetet e tyre përballë gjyqtarit Selmani, Selaci dhe Mernicaj janë shprehur se nuk kanë asnjë lidhje me këtë ngjarje. “Nuk kemi bërë asgjë, nuk e kemi vrarë ne Florianin. Po gaboheni”, mësohet të jenë shprehur dy të rinjtë para togave të zeza. Ndërkohë, sipas burimeve nga prokuroria, një tjetër dyshim lidhur për motivet e kësaj ngjarje është edhe ajo e grabitjes. Organi i akuzës dyshon se dy të arrestuarit, kanë tentuar ta grabisnin 23-vjeçarin teksa mundohej të rregullonte makinën që i kishte pësuar defekt në rrugë. Por kjo pistë, mbetet ende për t’u vërtetuar. Ndaj dy të akuzuarve, do të kryhen të gjitha hetimet e nevojshme, ndërsa janë sekuestruar celularët e tyre nga ku do të zbardhen transkriptet e bisedave që ata kanë bërë kur ka ndodhur ngjarja.

Arrestimi

Sadri Selaci dhe Kiri Mernicaj, janë vënë në prangat e policisë vetëm një ditë pas ngjarjes. Ngjarja ka ndodhur orët e vona të së dielës, ndërsa autorë të dyshuar janë dy të rinjtë e mësipërm banues në fshatin Sulaj të Fierit. Sipas informacioneve të policisë, dyshohet se mes të rinjve ka pasur një përplasje gjatë ditëve të fundit, e nxitur edhe nga një incident i disa viteve më parë kur një i afërm i viktimës kishte pasur me vëllain e një prej të arrestuarve. Florian Selimi u gjet i pajetë në një kanal në rrugë pranë fshatit Hamil. Policia konstatoi se ai ishte goditur me thikë dhe si pasojë kishte humbur jetën. Në rrugë po ashtu u konstatua mjeti i tij, të cilit i ishte hapur kofano dhe hequr njëra gomë. Trupi i të riut u gjet mëngjesin e së hënës nga kalimtarët që kanë lajmëruar menjëherë policinë. Ndërsa pas hetimeve të së shkuarës është arritur të zbardhet ngjarja duke vënë në pranga të dyshuarit. Selimi i lindur në Tropojë ishte shpërngulur para një muaji me banim në Fier.

Kush është viktima

Florjan Selimaj, 23-vjeçari i cili u gjet mëngjesin e së hënës i vrarë me thikë në një kanal në vendin e quajtur “Kthesa e Hamilit”, në Fier, mësohet se është nga Tropoja. Sipas burimeve, viktima se bashku me familjen, ka ardhur së fundmi në fshatin Sulaj të Fierit, nga qyteti verior dhe njihet prej banorëve si një familje e qetë dhe sociale. Sipas informacioneve nga uniformat blu, dyshohet se 23-vjeçari mund të jetë ekzekutuar gjatë orëve të natës të së dielës dhe është gjetur në afërsi të një kanali mëngjesin e hënës. Ndërsa mjeti tip “Renault”, me targa AA641EN, me të cilin ai dyshohet se mund të ketë qenë duke lëvizur është gjetur me kofano të hapur dhe një gomë të hequr. Burimet nga Policia e Fierit, bëjnë të ditur se viktima në vitin 2015 është regjistruar në skedarët e policisë së Fierit si i dyshuar për vjedhje të një automjeti. Ndërsa banorët e zonës nuk dinë shumë për 23-vjeçarin. Policia ka bërë shoqërimin dhe marrjen në pyetje të gjithë familjarëve të 23-vjeçarit, të cilët janë shprehur se nuk kanë dijeni për ndonjë konflikt të tij. Ata që e kanë konstatuar fillimisht trupin e pajetë të të riut, kanë qenë kalimtarët në atë zonë, të cilët kanë njoftuar policinë. Kjo e fundit, ka shkuar në vendin e ngjarjes ku ka konstatuar se 23-vjeçari ishte i hedhur në kanal pa shenja jete.

Babai

Mbrëmjen e datës 11 gusht, viktima kishte ndaluar për të rregulluar automjetin e tij, për shkak se kishte një defekt në gomë dhe pikërisht në këtë moment duket se është vrarë nga dy autorët. Policia po ashtu ka marrë në pyetje familjen e viktimës. Babai i 23-vjeçarit Selimi, mësohet t’i ketë thënë hetuesit se në orët e vona të natës, ai ka marrë një telefonatë nga i biri, i cili i kishte kërkuar ndihmë për të rregulluar makinën. Floriani i ka treguar të atit se mjeti ka shfaqur një defekt dhe e ka lënë në rrugë. Pas kësaj, ata nuk janë lidhur më dhe babai nuk e ka ditur vendndodhjen e të birit. Gjithë natën i ati i 23-vjeçarit ka pritur të lidhej në telefon me të birin dhe duke qenë se s’ka mundur dot, ka nisur ta kërkojë, por vetëm në zbardhje të ditës ka arritur të gjejë mjetin dhe afër tij, edhe trupin e djalit. Ndërkohë, Policia kishte marrë njoftimin për një kufomë të gjetur nga banorët e zonës në një kanal. Akoma nuk dihet se si ka nisur sherri mes të rinjve, pasi dy të arrestuarit ende nuk kanë pranuar të flasin. Mësohet se viktima ishte me origjinë nga Tropoja dhe ishte vendosur në fshatin Sulaj të Fierit prej pak vitesh. Dyshohet se në vitin 2015, Selimi ishte arrestuar për shkak se kishte vjedhur dhe më pas kishte djegur një automjet në lagjen “15 tetori”, ngjarje për të cilën ka qenë edhe i arrestuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet