Vllaznia, pengesa e madhe e Kukësit

Publikuar më 26. 01. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Klevis Deda

Shkodranët pritet të kenë një mbështetje të madhe nga tifozëria në këtë takim. Trajneri Gjoka dhe Pakult kërkojnë të shmangin disfatën

Pas një muaji pushim, kategoria superiore rikthehet sot ku spikatin ndeshjet Vllaznia-Kukësi dhe Flamurtari-Partizani. Shkodranët janë të destinuar për të dalë nga kjo krizë që e ka mbërthyer këtë sezon pasi gjendet në vendin e parafundit në klasifikim çka do të thotë se e sheh veten një kategori më poshtë. Merkato e janarit solli në skuadër lojtarë tepër cilësorë ku vlen të përmendet sulmuesi Xhevahir Sukaj i cili është një garanci e madhe në fazën sulmuese pas probleme që  kjo skuadër kishte në fillim të sezonit. Trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka shprehet i kënaqur me merkaton e klubit dhe beson në një rezultat pozitiv ndaj Kukësi. “Kemi sjellë disa lojtarë me eksperiencë, siç janë Malota, Sukaj e Berisha, apo edhe Mersini. Këto na japin besim dhe garanci që do jetë një ekip krejt ndryshe, një ekip më i fortë, një ekip me një qetësi edhe më shumë, me Orelesin qe e kemi nxjerrë përpara në pozicion më të mirë. Mendoj se kemi bërë një ndryshim në skuadër prej 50%. Sa më shumë cilësi dhe përvojë të kesh, aq më shumë rezultat ke.

Kjo është ajo që unë mendoj dhe shpresoj. Kemi bërë afrime, plus lojtarët me cilësi që ka pasur ekipi brenda. Do kemi një ndryshim mentaliteti, aty ku kemi tentuar vazhdimisht, pikërisht për të pasur një mentalitet fituesi. Mendoj se ne duhet të vazhdojmë rrugën e fitoreve dhe të shohim përpara. Kjo është ajo që duhet të kërkojmë, pavarësisht se kemi kampionët përballë. Sigurisht në lojë janë të tria rezultatet, ne tashmë nuk duhet të shohim asnjë rezultat në fushën tonë veç fitore. Sigurisht mund të jetë edhe barazimi brenda, por është shumë e rëndësishme që ne të kërkojmë dhe të japim gjithçka për të marrë gjithçka. Kjo është ajo që ne kemi ndërtuar dhe po e flasim edhe me futbollistët”, përfundoi Ernest Gjoka. Situata paraqitet e ndryshme te skuadra e Kukësit pasi veri-lindorët ndryshe nga shkodranët luftojmë për të mbrojtur titullin kampion, pavarësisht se ky është një mision tepër i vështirë duke qenë 12 pikë larg Skënderbeut kryesues. Merkato e janarit te Kukësi nuk solli shumë ndryshime në krahasim me klubet e tjera shqiptare.

Trajneri i veri-lindorëve, Peter Pakult u shpreh se skuadra e tij është shumë e përgatitur për këtë ndeshje dhe nxori në pah dëshirën e tij që ekipi të përforcohet me një sulmues në  këtë merkato. “Jemi përgatitur shumë mirë gjatë këtyre tre javëve, kemi bërë ndeshje të mira gjatë fazës përgatitore. Tani po fillon kampionati dhe këto ndeshje janë krejtësisht ndryshe. Mendoj se ekipi është i përgatitur për fillimin e kampionatit. Do tentojmë ta befasojmë kundërshtarin, që nga fillimi të jemi maksimalisht të përqendruar. Nëse arrijmë të bëjmë atë që kemi bërë në miqësore, atëherë do të bëjmë mirë edhe në ndeshje. Unë jam një trajner që çdo herë dua të fitojë, nuk dua që ekipi im të mundet. Skuadra ime e di si jam unë dhe çfarë kërkoj. Ekipin e kam njohur tani, nuk dua të flas si ka qenë përpara. E kemi parë të gjithë që ndeshjet në Antalia kanë ndikuar pozitivisht tek ekipi. Edhe në stërvitje po e shohim që atmosfera është e mirë. Jemi duke e kërkuar një sulmues. Kemi disa opsione, shpresojmë ta gjejmë”, tha Pakult