Vllaznia firmos me Mersinin, tentohet edhe Malota

Nga Klevis Deda

Skuadra e shkodrane po zhvillon me intensitet të lartë seancën stërvitore në Ulqin dhe po bën të pamundurën për të siguruar një kundërshtar në kuadrin e një ndeshje miqësore

Skuadra e Vllaznisë po zhvillon fazën mini përgatitore në Ulqin. Shkodranët janë duke zhvilluar një përgatitje me ritme shumë të larta ku trajneri Ernest Gjoka kërkon një grup shumë të fortë për pjesën e mbetur të kampionatit. Në këtë merkato skuadra e Vllaznisë mbylli marrëveshjen me Xhevahir Sukaj, bomberin që aq shumë e kërkonin në Shkodër. Kjo blerje e  ka kompletuar fazën sulmuese të ekipit të trajnerit Gjoka.

Pas mbërritjes së Sukaj në “Loro Boriçi”, Ernest Gjoka kërkonte të kompletonte edhe repartin e  mbrojtjes ku shkodranët kanë pësuar jo pak gola deri tani. Drejtuesit e klubit nisën kontaktet me mbrojtësin Sedat Berisha dhe ky i fundit kaloi me sukses në klubin kuq e blu. Kërkesat e trajnerit nuk u ndalën këtu dhe kërkoi edhe dy mbrojtës të tjerë si një garanci për të mbyllur këtë sezon në mënyrën e duhur. Një nga emrat më të përfolur në skuadrën veriore ishte Ergis Mersini.

Mbrojtësi i majtë u ble nga skuadra e Flamurtarit. Ai ka një eksperiencë të mirë në kampionatin shqiptar pasi ka luajtur më parë me skuadra si Dinamo, Luftëtari dhe Teuta. Mersini ka nënshkruar një kontratë deri në fund të këtij sezoni dhe më pas palët do të ulen sërish në bisedime për të diskutuar të ardhmen e tij. 29 vjeçari bëhet lojtari i tretë i afruar në skuadrën e Vllaznisë pas Sukaj dhe Berishës. “Vllaznia është një emër i madh i futbollit shqiptar. jam ndjerë mirë për këtë ofertë që më ka bërë ky emër. Për tifozërinë e për ekipin që ka Vllaznia për mua është një kënaqësi e madhe që u bëra pjesë e këtij klubi. Besoj se do të bëj gjëra të mira për këtë ekip.

I premtoj ekipit të Vllaznisë e gjithë tifozërisë që do të bëj më të mirën time dhe do ta nderoj këtë ekip me punën time. Vetë pikët që tani ka Vllaznia është e rrezikuar dhe kjo është fakt. Me afrimet që po bën dhe me grupin e lojtarëve që ka Vllaznia nuk do të jetë e rrezikuar deri në momentet e fundit. Mund të them se jam shumë mirë. Ndihem top në këtë drejtim. Jam në gjendjen më të mirë momentalisht dhe do të bëj më të mirën time tek Vllaznia. Këtë e bazoj tek aftësitë që kam dhe tek dëshira e mirë për të treguar vlerat më të mira për Vllazninë. Unë do të jap më të mirën time.

Konkurrenca të bën të ecësh përpara. Pastaj nëse do të jesh pjesë e 11-shes apo pjesë e 18-shes, kjo i takon trajnerit. Çdo njeri do të bëjë punën e vet. Kjo më takon mua”, ishin fjalët e lojtarit më të ri të skuadrës së Vllaznisë, Ergis Mersini. Vllaznia nuk ndalet këtu dhe kërkon edhe një tjetër përforcim për repartin e mbrojtës e cila do të rikthehej në një repart që jep garanci.

Synimi i shkdoranëve është që të firmosin me ish mbrojtësin e Partizanit, Renato Malota. Lezhjani është nga lojtarët më të preferuar të trajnerit Ernest Gjoka dhe bisedimet mes palëve janë në një gradë të avancuar. Trajneri Gjoka e dëshiron lojtarin me patjetër pasi i duhet të blindojë qendrën e mesit të mbrojtjes pasi më parë është afruar edhe qendërmbrojtësi Berisha. Alternativa të tjera në rast se nuk firmos Malota janë Pjeshka dhe Orelesi të cilët nuk janë shumë siguri në këtë rol.

Flamurtari

Flamurtari është përfshirë nga një lëvizje e madhe e lojjtarëve. Afrimet në skuadër  dhanë alarmin se do të largohej sulmuesi Danilo Alvesh, por ka qenë vetë ky i fundit që ka thënë se do të respektojë kontratën që ka me klubin vlonjat deri në fundin e këtij sezoni. “Jam shumë i kënaqur në Vlorë. Ndihem mirë dhe të gjithë më respektojnë, që nga qytetarët, ashtu edhe drejtuesit e klubit. Presidenti Idrizi është shumë korrekt, por unë jam i kënaqur edhe me shokët e skuadrës.

Dua të sqaroj se jam në kontratë me Flamurtarin deri në fund të sezonit. Nuk bëhet fjalë për largim nga Vlora. Ndoshta kur të përfundojë kontrata do të ulem dhe do të diskutojmë me drejtuesit. Dua të theksoj se jam i lumtur në Vlorë dhe tashmë shumë i përqendruar te faza përgatitore këtu në Antalia. Dua të bëjmë më të mirën, me qëllim që të ndihmoj skuadrën për arritjen e objektivave sezonalë”, tha sulmuesi brazilian që aktivizohet te Flamurtari, Danilo Alvesh.

Të tjera

Abissnet