Vlerësohen më të mirët e shkencës, çmimi i karrierës për Kadarenë

Nga Valeria Dedaj

Akademia e Shkencave ndan çmimet kombëtare shkencore. Me çmimin “Çabej” vlerëson akademikun Kolec Topalli, me “Radovicka” vlerëson akademikun Gruda dhe prof. Shundin. Ndërsa, me çmimin për kërkuesit e rinj shkencorë u nderuan një grup autorësh. Çmimi special i karrierës iu dha akademikut Ismail Kadare

Për të dytin vit radhazi, Akademia e Shkencave të Shqipërisë ndan Çmimet Kombëtare Shkencore. Katër çmimet, që ndahen për botimet më të mira studimore të vitit 2017 janë përkatësisht; “Çabej”, “Radovicka”; çmimi shkencor për kërkuesin e ri më të suksesshëm, në fushën e shkencave shoqërore-albanologjike. Çmimi special i karrierës iu dha akademikut Ismail Kadare. Për këtë çmim do të zhvillohet në vazhdim një aktivitet i veçantë.

Çmimi “Eqrem Çabej” për Kolec Topallin

Të nominuarit për çmimin kombëtar shkencor “Eqrem Çabej”, që jepet për studimin më të mirë në fushën e shkencave shoqërore albanologjike, ishin dy veprat: “Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe” me autor Kolec Topallin dhe “Sistemet dhe institucionet e krahasuara të qeverisjes” i Enver Bytyçit.

Çmimi për studimin më të mirë iu dha akademikut Kolec Topalli.

Motivacioni për këtë çmim ishte: “Një vepër themelore në albanologji, me karakter vlerësues në fushën e etimologjisë edhe të historisë së fjalës shqipe. Kontribut jetësor i autorit për ecurinë e zhvillimit gjenetik të evolucionit historik dhe të mbijetesës ndër shekullore të gjuhës shqipe. Për rëndësinë e saj në kuadër të gjuhëve indoevropiane, për rolin e saj të pazëvendësueshëm, si përcaktuese e identitetit të popullit shqiptar dhe si një studim sintezë, që do të shërbejë, si referencë bazë për albanologët, ballkanologët, helenistes, romanistët, sllavistët edhe orientalistët. Pasqyrë e rezultateve më të denja, që ka arritur shkenca e etimologjisë në fushën e shqipes”.

Historia dhe gjuha e një populli janë dy nga elementet kryesorë, që tregojnë se ai ka arritur në shkallën e kombësisë. “Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe” botim i QSA është një punë volimunoze e akademikut Topalli, e nisur që në vitet ’70. Është fryt i punës studimore, ku më parë janë përpjekur kolosët e albanologjisë botërore dhe shqiptare. Vlerësimet, që janë bërë për këtë botim gjatë prezantimit janë të ndryshme, si “Profesor Koleci në hartimin e këtij fjalori është mbështetur në një metodologji të sprovuar të studiuesve paraardhës, sidomos në studimet albanologjike të profesor Çabejt. Ky botim jep mesazhin, që jo kushdo mundet të merret me gjuhën shqipe, jo kushdo mund të merret me fjalën e saj, për arsye se të jesh një gurë themeli, apo një gurë që të zërë vend në kulturën tonë kombëtare, të qenësisë sonë kombëtare”. Profesor Koleci më së miri e ka bërë këtë. Kjo vepër ka kaluar në 11 mbledhje të këshillit Shkencor të Studimeve.

Profesor Xhevat Lloshi shprehet se: “Të gjitha këto janë objekt i një studimi të jashtëzakonshëm. Ky fjalor jep mundësinë, që ta bëjmë këtë punë edhe të mos kemi një të tretë. Nuk është një vepër e ngushtë për disa specialistë”. “Fjalori etimologjik” i Topallit mbështetet mbi këto arritje të gjuhësisë historike paraardhëse edhe mbi një literaturë të gjerë të mbështetur në këtë fushë. Hulumtimi i teksteve të vjetra, që ai ka siguruar prej kohësh në formë të digjitalizuar, ka qenë një burim i pazëvendësueshëm, në faza më të vjetra, e të pa dokumentuara të shqipes. Studimet e tij etimologjike të pasqyruara në fjalorë mbështeten në një pasuri të madhe të dhënash nga të folmet e shqipes në të gjitha trevat, brenda apo jashtë kufijve shtetëror apo edhe nga diaspora arbëreshe, të mbledhura nga një literaturë e pasur dokumentare”.

Pas akordimit të çmimit, vajza e prof. Kolecit, lexoi një letër të shkruar prej tij. Koleci shkruan: “Fillimisht shpreh falënderimet për komisionin e ASH, që vlerësoi veprën time të fundit, duke i dhënë çmimin, që mban emrin e gjuhëtarit tonë të madh. Libri është fryt i një pune dhjetëravjeçare, etimologjia ka qenë gjithnjë në qendër të vëmendjes sime edhe në çdo monografi të botuar për etimologjinë e gjuhës ka pasur edhe një kapitull të veçantë për këtë fushë. Vetëm hartimi i fjalorit edhe hedhja e çdo fjale në kompjuter ka qenë një proces i gjatë, që më ka marrë gjashtë vite të punës sime shkencore. Për gjuhën shqipe, fjalorë të tillë dëshmojnë trashëgiminë e hershme të ruajtur brez pas brezi, që nga periudhat më të lashta të njerëzimit, si dhe rrugën e vështirë të historisë së shqiptarëve përgjatë shekujve me kontakte të ruajtura me popuj dhe me kombe të tjerë, që kanë lënë gjurmët e tyre në historinë e gjuhës shqipe, në tradita e zakone, në doke e fe, në mënyrën e jetesës edhe në mendësinë shqiptare, uroj që ky fjalorë të zërë vendin e duhur në kërkime etimologjike, duke i hapur rrugën studimore të mëtejshme në këtë fushë”.

Çmimi shkencor “Petrit Radovicka” për Nazim Grudën dhe Andrea Shundin

Të nominuar për çmimin shkencor kombëtar vjetor “Petrit Radovicka”, që jepet për studimin më të mirë në fushën e shkencave natyrore teknike, ishin këto vepra: “Hortikultura: vështrim enciklopedik” me autor Nazim Gruda & Andrea Shundi dhe “Mjekësia ligjore” me autor Bardhyl Çipi.

Vepra fituese që u përzgjodh ishte “Hortikultura” e Grudës dhe Shundit. “Hortikultura”, si vështrim enciklopedik është e para e këtij lloj në bujqësinë shqiptare. Në të përfshihen rreth 4600 terma shkencorë me barasvlerësim kryesor në anglisht, emrat e bimëve në latinisht edhe rreth 1000 sinonime. Materiali përshkruhet nga një hulumtim i kujdesshëm shkencor me saktësi edhe në thellësi mendimi, si prurje origjinale edhe shumëpërfshirëse. Për çdo bimë janë paraqitur marrëdhëniet dhe përqasjet mes vlerave ushqyese. Jo rrallë janë ndërmarrë edhe vështrime historike, sidomos kur bëhet fjalë për lashtësinë e selitjes, për hapjen apo shtrirjen e bimësisë me rëndësi veçorizuese në trojet tona.

Profesor Shundi mendon, se libri do t’ju vijë në ndihmë punonjësve edhe specialistëve të hortikulturës, por edhe dashamirësve edhe studiueseve të saj, profesionistëve të fushave të tjera, edhe përdoruesve që jetojnë në qytet edhe duan, që të dinë më shumë në përdorimin e bimëve edhe perimeve apo për rritjen e bimëve zbukuruese në banesë.

Akademiku Nazim Gruda shprehet se në këtë botim janë munduar, që të shikojnë në mënyrë verbale të gjithë aktorët, që marrin pjesë në procesin e hortikulturës. Disa prej këtyre aktorëve janë; së pari, qytetarët, që nuk duan të kenë ndikime ndaj mjedisit. Së dyti, janë konsumatorët, që janë të interesuar për një produkt të shëndetshëm edhe të siguruar, për cilësi prodhimi. Së treti, është Komisioni Europian, kombëtar, rajonal edhe vendor. Është një popullsi në rritje që nga 7 miliardë (2918) po shkon 9.6 miliardë banorë (2050). “Prandaj duhet që ne të gjejmë rrugë edhe mundësi se si do të ushqehet kjo popullsi, kemi edhe nga ana tjetër një kërkesë të rritjes për ushqim deri në vitin 2050, për 60 për qind dhe një urbanizim, që e kërkojnë shumica, që të shkojnë nga fshati në qytet. Por nuk duhet të harrojmë ndryshimet e klimës, burimet e pakta njerëzore edhe natyrore”, thotë Gruda.

Motivacioni për veprën fituese është, që: “Vepër cilësore me vështrim enciklopedik në fushën e Hortikulturës edhe me të dhënat e ekologjisë, agronomisë edhe të risive teknologjike në trojet shqiptare”

Çmimi për “Për kërkuesin e ri më të suksesshëm” për shqiptarët e Ukrainës

I nominuar për çmimin shkencor kombëtar vjetor “Për kërkuesin e ri më të suksesshëm në fushën e shkencave shoqërore albanologjike”, ishin këto vepra: “Ekspedita në lumin Azov – Gjuha dhe kultura e shqiptarëve të Ukrainës” me autorët A. Novik, Ju. Bucatskaja, D. E. Ermolin, A. Dugushin, M. Morozov dhe “Regjimi juridik i pronës dhe trashëgimisë në Shqipëri” nga Danja Hobdari.

Për këtë çmim u shpall fitues studimi “Ekspedita në detin Azov” i A.Novik. Studimi me autor studiuesin Alaksandër Novik dhe Aleksandra Dugushina, botim i ASH të Rusisë sjell gjuhën dhe kulturën e shqiptarëve të Ukrainës. Vepra fokusohet në studimet e kulturës tradicionale dhe të gjuhës së shqiptarëve të Buzhakut dhe rajonit të detit Azov. Qëllimi kryesor i monografisë është analiza e plotë e ruajtjes së kulturës tradicionale edhe përshkrimi i gjuhës së grupit etnolokal të shqiptarëve, që nga koha e mërgimit në perandorinë ruse edhe deri në ditët e sotme. Sipas të dhënave, të vitit 2011, në territorin e Ukrainës jetonin 3308 shqiptarë. Studimi sjell historinë e mërgimit të paraardhësve të shqiptarëve të sotëm dhe Ukrainës, nga Juglindja e Shqipërisë moderne në Verilindje të Bullgarisë, e mandej në perandorinë ruse, në stepat e Buzhakut, e më pas të Azovit.

Kjo monografi është bazuar në rezultatet e punës së gjatë në fshatrat shqiptarë të Ukrainës, që prej vitit 1999. “Në shekullin XVI, një pjesë e popullsisë nga krahina e Korçës ka shkuar në Lindje të Bullgarisë së sotme. Një pjesë e popullsisë së Bullgarisë së sotme ka ikur për shkak të sundimit osman. Edhe afërsish për tre shekuj shqiptarët e Ukrainës kanë jetuar në Lindje të Bullgarisë. Në fillim të shekullit XIX shqiptarët nga kjo zonë bashkë me fqinjët e tyre, kanë ikur në territorin e perandorisë ruse për shkak të luftërave ruso-turke.

Akademiku Vasil Tole çmimin për studimin “Ekspedita në detin Azov” ia dorëzoi studiuesit A.Novik.

Ky kërkim nderohet me çmimin shkencor kombëtar për studiuesin dhe kërkuesin më të suksesshëm të vitit 2017, me motivacionin, “Studim i thelluar ndërdisiplinor me karakter gjithëpërfshirës për ndriçimin e trashëgimisë shpirtërore të shqiptarëve të Ukrainës, që ndriçon në mënyrë prapavajtëse historinë e ngulimit të tyre, shpërnguljes dhe rishpërnguljes së tyre, të burimit të zanafillës, të gjuhës dhe riteve, të mënyrës së identifikimit dhe dallimit me popullsinë vendase. Është vepër e disa autorëve me karakter antropologjik, që certifikon gjendjen e sotme, të vetëdijes të së parë, përmbajtës së etnonimeve, përmbajtës i të folurës, krijimtarisë dhe zakoneve të tyre”.

Juria

Juria kryesohej nga akademik Muzafer Korkuti. Ndërsa, anëtarët janë: Gjovalin Shkurtaj, (akademik i asoc) përfaqësues i Seksionit të Shkencave Shoqërore e Albanologjike, akademik Edmond Pinguli, përfaqësues i Seksionit të Shkencave Natyrore e Teknike, akademike e asoc.Aurela Anastasi, përfaqësuese e SSHSHA të Asamblesë së ASHSH, akademik Floran Vila, përfaqësues i SSHNT të Asamblesë së ASHSH-së, akademik Dhimitër Haxhimihali, përfaqësues i akademikëve mbi 75 vjeç, Geron Kamberi, përfaqësues i Agjencisë së Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit pranë MASH, Ermal Elezi, përfaqësues i MASH. Prof. dr. Adrian Civici, përfaqësues prej rrjetit të universiteteve private shqiptare “UET”, gjegjësisht nga shkencat shoqërore, Prof. dr. Andrea Maliqari, përfaqësues prej rrjetit të universiteteve shqiptare; gjegjësisht nga shkencat teknike dhe natyrore. Sokol Gjoka, përfaqësues i Komisionit Kombëtar të UNESCO-s pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, prof. Enver Hysa, përfaqësues i Komisionit Kombëtar të AIESEE dhe Andi Rrëmbeci, përfaqësues i Akademisë së të Rinjve pranë ASH-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet