Vilma Masha: Lidhja ime me futbollin dhe frika më e madhe që kam

Publikuar më 12. 11. 2017 nga Eno Shkëmbi

Brunilda Gorovelli

Ajo është një nga moderatoret vajza të cilat prezantojnë me shumë dashuri një emision sportiv. Por, flet dhe me shumë dashuri për fushën që mbulon tanimë prej 7 vitesh. Vilma Masha nga gazetare e kulturës në atë të sportit, tregon për përvojën e saj në media, vështirësitë që ka hasur në fillim teksa raportonte ngjarjet sportive dhe kënaqësinë që ka marrë dhe vazhdon të marrë. Duke qenë pranë futbollit shqiptar dhe të huaj, Masha jep mendimin e saj mbi sportistët më të pëlqyer, por edhe problematikat që ka futbolli ynë. Sigurisht, nuk ngurruam që “ta ngacmonim” pak gazetaren bukuroshe edhe për jetën jashtë ekranit. Ja çfarë tregon ajo për dashurinë, plakjen dhe frikën më të madhe në këtë jetë.

Vilma cilat janë angazhimet tuaja të tanishme?

Puna në televizion, në Digitalb, emisioni “Gol Pas Goli” të shtunën dhe të dielën në Super Sport, dhe impenjimi me Europa League.

“Gol pas Goli” u bënë 5 vite që jeni moderatore, si jeni ndjere gjatë kësaj periudhe?

Emisioni “Gol Pas Goli” ka startuar në 19 Gusht të vitit 2012-të, me Super Kupën e Shqipërisë, ndeshja Tirana- Skënderbeu, ndërsa  tani jemi në edicionin e gjashtë të tij. Gjatë gjithë këtyre viteve jam ndjerë vërtet shumë mirë në këtë transmetim live, por sigurisht pa harruar momentet e vështira, delikate dhe të veçanta që të jep ky emision sportiv.

Mendoni që me këtë format, jeni e formuar sa i takon anës profesionale?

Formimi në fushën e gazetarisë në përgjithësi dhe të sportit në veçanti, është i përditshëm dhe i vazhdueshëm.  Sfera profesionale është diçka që nuk ka fund mendoj unë,  sa më shumë të shohësh e  të kërkosh aq më shumë gjen, dhe kupton se ka ende gjithmonë për të mësuar. Vendi ku ti e sheh veten “student” të përjetshëm. Ne kemi fatin të jetojmë në një periudhë, ku risitë teknologjike kanë një zhvillim të jashtëzakonshëm, ku informacioni rreth asaj që ndodh, në këtë rast futbollit është i pashtershëm, i vrullshëm dhe ty të duhet  ta përzgjedhësh me kujdes, e më pas ta përçosh te publiku i gjerë.

Po kjo periudhë që përkon me ndeshjet e shumta… ka më shumë intensitet pune, lodhje?

Futbolli është një sport aq i bukur, aq i dashur  dhe aq popullor sa luhet thuajse në çdo kohë, në çdo stinë, në çdo orë e në çdo vend (qesh) .  Tani jemi në fillim të sezonit dhe intensiteti patjetër që është më i madh. Ndeshjet janë të shumta, sepse edhe kompeticionet janë të tilla, e rrjedhimisht dhe puna që bëhet është më e madhe. Lodhjen  të them të vërtetën e ndjej vetëm në ditët që jam pushim, pasi vrulli i televizionit, që nga përgatitja e deri te fillimi i emisionit, emocionet që të përcjell transmetimi live nuk të japin kohë as të mendosh lodhjen e jo më ta ndjesh atë.

Përse në këtë emision keni preferuar që të flitet vetëm për futbollin shqiptar?

“Gol Pas Goli” është një format që ka autor Dritan Shakohoxhën dhe që në fillim, ai e ndërtoi të tillë, në mënyrë që kampionatit shqiptar t’i jepej tjetër vlerë, ashtu siç asokohe i jepej vetëm kampionateve të huaja. Digitalb ka dhe të drejtën televizive për të transmetuar çdo ndeshje të futbollit shqiptar, dhe ai mendoi që gjithçka të analizohej jo vetëm në studio me të ftuar, por edhe në stadiume me trajnerë, futbollistë e presidentë klubesh, para dhe pas çdo ndeshje.

Çdo të thotë për një vajzë gazetare të mbulojë një fushë që “gjithmonë i ka takuar meshkujve”?

Kjo është një pyetje që bëhet shpesh, por tani nuk përbën më lajm, pasi është kthyer në një gjë krejt normale. Ju besoj e keni vënë re që ekranet shqiptare janë mbushur me vajza, të cilat flasin për sport dhe mbulojnë këtë fushë, por në Super Sport vite më parë kjo pjesë, mori tjetër dimension, si nga numri ashtu edhe nga cilësia.

Në fillimet tuaja, keni bërë ndonjë lapsus? Cilin kujton?

Po kam bërë, përpiqem t’i kujtoj, por ndonjëherë lapsuse bëj edhe tani. Më vjen ndërmend një i tillë, që  ka ndodhur sezonin e kaluar. Gjatë transmetimit live në studio, isha në lidhje direkte pas ndeshjes me trajnerin Mirel Josa nga stadiumi,  ndërsa redaktori më thoshte në kufje se menjëherë pas tij, do të kemi trajnerin tjetër Sulejman Starova. Në momentin që po falenderoja Josën i thashë padashur Starova. E  kapa në moment dhe nga reagimi tij, e më pas i kërkova ndjesë. (qesh)

I kthehesh emisioneve të mëparshme, që përkojnë me fillimet në sektorin e sportit. Kur i shihni jeni kritike ndaj vetes?  

Kjo është një pjesë të cilën nuk e kam shumë qejf, por e bëj edhe tani. I kthehem emisioneve dhe normal që jam kritike ndaj vetes, pasi mendoj që këtë apo atë moment mund ta kisha bërë apo menaxhuar më mirë. Tani, falë aplikacionit Digitalb Kudo, mund të shoh në celular çdo emision kur të dëshiroj.

Të qëndrojmë ende tek futbolli, cili futbollist i huaj ju pëlqen më shumë? Po shqiptar?

Në kohën që jetojmë janë të padiskutueshëm emrat si Messi e  Ronaldo, e këtu nuk bëj përjashtim as unë sa i takon preferencave. Ndërsa nga Shqiptarët, më vjen shumë mirë për momentin e shkëlqyer që po kalon Thomas Strakosha, portieri i kombëtares dhe ekipit të Lazio-s.

Sipas jush, çfarë nuk shkon me futbollin shqiptar?

Disa prej stadiumeve nuk kanë kushtet, terrenet optimale apo infrastrukturën e duhur  për zhvillimin e ndeshjeve  të Kategorisë Superiore.  (Përjashtojmë këtu  impiantet që janë ribërë). Tjetra është që skuadrat e bashkisë me fonde të përcaktuara, lënë për të dëshiruar sa i takon rezultateve, enden thuajse gjithnjë në fund tabelë, me rrezikun për të rënë nga kategoria.

Vilma jeni e kujdesshme për pamjen tuaj, ju frikëson plakja?

Për pamjen time dhe sidomos imazhit në ekran jam shumë e kujdesshme, që nga veshja, flokët, dhe grimi. Përpiqem të jem e thjeshtë dhe jo e ekzagjeruar. Bëj trajtimet e zakonshme estetike të fytyrës dhe trupit, dhe frekuentoj palestrën. Për momentin nuk më frikson plakja, më duket si diçka e largët, por që do të vijë (qesh).

Cila është frika juaj më e madhe?

Largimi nga të gjallët.

Çfarë është dashuria për ju?

Ndjenja më e fuqishme që të mban në jetë, nga ajo që lind dhe që nuk do të largohesh më kurrë.

Vilma jeni në një marrëdhënie prej kohësh. Do kemi së shpejti diçka nga ju?

Së shpejti jo, se tani jemi në dimër (qesh).

Çfarë nuk keni mundur të realizoni deri më tani, por që do dëshironit të kishit realizuar?

Ndoshta një shkollim edhe më të mirë, jashtë Shqipërisë.

Momenti më i bukur kur keni qenë në stadium, qoftë si tifoze, qoftë si gazetare?

Nuk mund të them vetëm një, pasi momente  të bukura në kaq vite punë, sigurisht që kam kaluar. Puna në terren është shumë emocionuese, kontakti i  drejtëpërdrejtë qoftë me futbollin, por edhe publikun të jep tjetër ndjesi nga ajo në studio. Por do të veçoja dy të tilla, si tifoze. I pari  në ndeshjen e fundit kualifikuese që Shqipëria ka luajtur në Armeni në 11 tetor  të 2015-ës , duke fituar 3-0. Ishte ndeshja që na katapultoi në Europianin e Francës, ose siç e quanim ne “Europianin e Ëndrrave”, atë ndeshje e kam ndjekur në punë, së bashku me kolegët e mi dhe ndjesia ishte e jashtëzakonshme, e papërshkrueshme. Kujtoj brohorima, duartrokitje, përqafime dhe lot. Të gjithë thonim  “Ia dolëm, jemi në Francë”. Ndërsa momenti i dytë, përballja e Kombëtares Kuqezi me Zvicrën, në 11 Qershor në stadiumin e Lensit. Një ndeshje që pati shumë jehonë edhe në shtypin ndërkombëtar, të shihje aq shumë shqiptarë që luanin me dhe kundër njëri-tjetrit, si për shembull vëllezërit Xhaka, ishte diçka që rrallë ndodh. Ndërsa si gazetare, do të veçoja raportimin nga Parisi, në finalen e Europianit, në 11 Korrik 2016, ndeshja mes Portugalisë dhe Francës, ku Portugalia e Cristiano Ronaldos u shpall për herë të parë Kampione e Europës.

Keni nostalgji për kohën kur ishit gazetare e një profili tjetër?

Po kam nostalgji, pasi kanë qenë 5 vitet e mia të para të punës, si gazetare kulture. Nga ajo periudhë kujtoj përballjen e parë me televizionin, figurat e njohura të kohës dhe artistët e mëdhenj për të cilët unë isha gazetarja e re. Jam përpjekur shumë të bëja më të mirën, me personazhet që intervistoja, por dhe kam shijuar teatrin, pikturën, baletin etj.