Vilma Hodo: Unë pre e ngacmimeve verbale, heshtja thjesht fuqizon dhunuesin!

Nga Valeria Dedaj

Ndonëse, heshtja thjesht fuqizon dhunuesin dhe hap rrugën që ai të abuzoj sërish, duhet të kesh shumë forcë dhe mbështetje për të luftuar fenomenin e ngacmimit seksual, nëse ke qenë viktimë. Aktorja Vilma Hodo për “Shekulli”-n tregon se është gjendur vetëm përballë ngacmimeve verbale dhe fatmirësisht dhe është kundërpërgjigjur, duke i treguar fuqinë e saj psikofizike. “Ajo që s’duhet harruar asnjë çast është që dhunuesi duhet dënuar, sepse ai që dhunon njëherë do të dhunoj sërish! Dhunuesit nuk meriton një shans të dytë! Kurrë!”

Vilma, rastet e fundit për ngacmimet seksuale, që kemi dëgjuar nga Hollivudi, personazhet kanë qenë të shumtë dhe janë ndarë, pro dhe kundër. Si e mendoni juve a po abuzohet me këtë temë me pikësynimin për të rritur famën?

Mendoj që kjo temë është tmerrësisht sensitive dhe e komplikuar prandaj dhe qëndron në errësirë për vite me radhë, nëse denoncohet është vetëm për të çliruar konfliktin dhe dhimbjen që ka shkaktuar! Ka miliona mënyra për famë në një industri gjigante si Hollivudi! Nuk është kjo teknikë e zgjuar për famë kurrsesi! Është imazhi yt në lojë!

Cili është mendimi juaj për ngacmimet seksuale gjatë punës, por jo vetëm?

Ngacmimet seksuale në vendin e punës është një temë e komplikuar, sepse është e kombinuar me të tjera elemente! Pushteti që drejtuesi mendon se ka mbi punëmarrësin, steriotipet gjinore, niveli kulturor dhe çrregullimet psiko-emocionale të individëve që iniciojnë ngacmimin seksual! Duhet të kesh shumë forcë dhe mbështetje për të luftuar me këtë fenomen nëse ke qenë viktimë! Pastaj mentaliteti i gëlqerëzuar e bën edhe më të vështirë!Nuk është rastësi që çështje të tilla qëndrojnë të varrosura për vite të tëra dhe rrezikojnë mos dalin kurrë në dritë! Por vjen një moment kur çështje si ngacmimi seksual shndërrohen në konflikt të rrezikshëm për shëndetin emocionalo-seksual të individit viktimë prandaj ato publikohen dhe denoncohen! Denoncimi i tyre është guxim i vërtetë!

Gjatë, krijimtarisë suaj, a keni dëgjuar raste, të tilla, pa dëshirë, që kanë shkatërruar moralisht një individ?

Të ndodh shpesh të dëgjosh, shpesh informacioni që dëgjon vjen i deformuar tek ty prandaj duhet të hetosh, analizosh, komunikosh me njerëzit për të kuptuar më shumë! Shumica e njerëzve nuk dinë si të veprojnë me këto raste. Shumica turpërojnë dhe poshtërojnë! Të fuqizosh individin që ka pësuar ngacmimin seksual dhe mbështesësh ata në luftën kundër dhunuesit! Heshtja thjesht fuqizon dhunuesin dhe hap rrugën që ai të abuzoj sërish!

Juve vet jeni gjendur në një situatë të tillë. Qoftë edhe ngacmim verbal? Nëse po, si keni vepruar?

Në rrethet artistike janë më të shpeshta mendoj, sepse profesioni ynë përfshin shumë emocionet! Jam gjendur vetëm në ngacmime verbale fatmirësisht dhe jam kundërpërgjigjur, duke i treguar fuqinë time psikofizike për të zeruar dhe denoncuar ngacmimin verbal! Investoj çdo ditë në fizikun tim me stërvitje dhe sport dhe një grushtim i menjëhershëm mund të ishte zgjidhje e shkurtër, por jam kundra dhunës në çdo formë të saj…!

Sipas jush, përse personazhet e hollivudit kanë rrëfyer për ngacmimet që kanë pasur shumë vonë, kur gra të thjeshta të abuzuara, kanë gjetur guximin të denoncojnë që në fillim. Përse frika e personazheve të hollivudit është më e madhe?

Sepse në Hollivud janë në loje shumë gjëra! Pushteti, fama, imazhi publik, paratë, e ardhmja jote në industri, me pak fjalë gjithë jeta jote! Aktorët që kanë arritur të jenë pjesë e Hollivudit kanë sakrifikuar dhe investuar jetën për të qenë aty ku janë dhe rrezikimi i saj shkakton panik të madh! Në vetvete industria e Hollivudit është gjigante dhe me një influencë marramendëse! Nuk është e lehte! Nuk është e lehtë për këdo, nuk është e lehtë për një aktore femër të denoncojë një producent të fuqishëm! Denoncimi është vetëm një fjalë, është një fuqizim i tërë që duhet të ndodh deri sa ti të kesh kurajën të veprosh!

Mendoni se një shqiptare (artiste apo në çdo profesion tjetër), mundet që ta bëjë lehtësisht një denoncim publik një ngacmim të tillë, apo ne ende vazhdojmë, të mos flasim, për diçka që opinioni fajin mund t’ja vë femrës?

Është ende tmerrësisht e vështirë, sepse shoqëria jonë ende ka shumë punë për të bërë drejt të qenit e vërtetë me veten! Sigurisht për shoqërinë tonë “Goca e ka fajin vet” dhe kjo është thjeshtësisht fakt i viteve dritë prapa…, nuk është e lehtë të përballosh fuqinë negative të injorancës prandaj shumë të rinj vendosin të largohen, injoranca vret, shoqëria vret. Ajo që mund të bësh është të tregosh më shembullin tënd dhe veprimet e tua, se mund të jesh e suksesshme vetëm me talentin tënd…

Denoncimi, a është një formë e vlefshme, që duhet bërë që në fillim apo kur situata degradon deri në shantazh? Apo frika se mos viktima humbet punën, e bën të vështirë këtë pjesë dhe edhe  bën kompromis për të pranuar diçka të tillë me vetëdije?

Frikërat janë të shumta, të të gjitha llojeve! Edhe receta s’ka, çdo rast është unik! Duhet këshillim dhe mbështetje nga këshillues, psikologë dhe organizma që mbështesin! Ajo që s’duhet harruar asnjë çast është që dhunuesi duhet dënuar, sepse ai që dhunon njëherë do të dhunoj sërish! Dhunuesit nuk meriton një shans të dytë! Kurrë!

Dhe së fundmi, kush janë të parët që duhet të ngrenë zërin për mbrojtjen e këtyre “viktimave”, të cilat shpeshherë as në familje nuk kanë përkrahjen e duhur?

Gjithkush që është viktimë e këtij fenomeni, së pari duhet të flasë me dikë të besuar,  sepse viktimat fillimisht kanë tendencë mos të komunikojnë, ta fshehin, ta harrojnë! Më pas të elaborohen zgjidhje! Këshillues, organizata që mbrojnë këto çështje, policë të besuar, njerëz me pushtet dhe të ndershëm jo maskarenj me pushtet.

Të tjera

Abissnet