Video shokuese, tjetër rast dhune ndaj një shqiptari në burgjet franceze

Publikuar më 13. 02. 2018 nga Jola Alimemaj

Një video e rëndë ka mbërritur në redaksinë e “JOQ.al”, nga disa të rinj shqiptarë, që kanë arritur të filmojnë brenda një burgu në Francë, masakrën që i është bërë një bashkatdhetari të tyre. Në video mund të shikohet qartë djali i cili shtrihet për tokë, ndërsa në shumicën e kohës një polic që i vërsulet ashpër. Të rinjtë që kanë dërguar videon theksojnë se: “Djali është masakruar, i kanë thyer krahun dhe e kanë lënë në ambientet e jashtme të burgut. Policët ose kanë dorë, ose nuk u plas për ne, se vetëm ashpër sillen”.

Në sfond dëgjohen të sharat e të rinjve kundrejt policëve, që siç duket nuk kanë shmangur ngjarjen dhe sigurisht, nuk mungojnë as të sharat ndaj shtetit shqiptar dhe kryeministrit Edi Rama. Djali që është edhe personazhi i dhunës në atë ambient të jashtëm herë pas here duket se kërcënohet nga tre punonjës policie të veshur me veshje të ndryshme. Edhe pse personi që e ka filmuar dhunën dhe kërcënimin, është duke kryer filmimin pas kurrizit të policëve, nga frika se mund edhe të kuptoheshin, duket që djali i shtrirë në dysheme është me dorë të thyer e të lidhur. Madje është e dukshme dora e djathtë ndërsa me të majtën tenton të mbahet në një stol druri që gjendet aty.

Ai disa herë bie në dysheme dhe sërish kërkon të ngrihet ndërsa policët ndërrojnë radhë duke e kërcënuar dhe qëlluar. Nuk dihet se kush është personi që është në atë video dhe as nëse bëhet fjalë për burg në Francë por dallohet qartas se personat që kryejnë filmimin janë shtetas shqiptarë, madje njëri nga personat që edhe këmbëngul që të filmohet gjithë dhuna flet me dialekt shkodran. Ky i fundit i kërkon me çdo kusht një shqiptari tjetër që të realizojë mirë filmimin për shkak se nuk dallohej qartë personi që po dhunohet.

Pra dukshëm është një i njohuri i tyre që gjendet i shtrirë në atë vend ku tre punonjës të policisë që duket se është polici franceze e qëllojnë edhe pse ai gjendet me krah të thyer para dhunës së tyre. Pak kohë më parë në Francë humbi jetën një 23 vjeçar, po nga Shkodra i cili ishte dhunuar në burg dhe më pas ishte dërguar në spital.

Edhe pse u pretendua nga shteti shqiptar se Franca ka marrë përsipër të hetonte atë masakër ndaj një djali vetëm 23vjeç asnjë e dhënë nuk ka ardhur deri më tani në Shqipëri për të mësuar se cila ishte e vërteta e asaj vdekjeje. U tha se ishte dhunuar nga policia por më pas policia e burgjeve e mohoi këtë fakt duke bërë me dije se djali kishte tentuar të vetëvritej në ambientet e burgut. Por ishin shokët e tij që gjendeshin në të njëjtin vend vuajtjeje dënimi që treguan se çfarë kishte ndodhur po askush nuk mundi të vërtetonte shkaqet dhe autorët e asaj ngjarjeje të rëndë dhe të paprecedentë për një shtet si Franca.