Vetingu në gijotinën e bipartitizmit

Publikuar më 31. 10. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Fran Kamshi

Skandali “Tahiri”, sipari i të cilit u çel, falë përgjimet e antimafies italiane ndaj trafikantëve shqiptarë të familjes mafioze Habilaj, evidentoi krizën e thellë të politikës shqiptare dhe nxorën zbuluar e në dritë të diellit rrethimin bipartiak të reformës së pretenduar në drejtësi. Njëra palë, e djathta u bë gjykatëse e një çështje ende të pa zbardhur plotësisht e që vetëm pushteti gjyqësor mund t’ia verë pikat mbi “i”:, pala tjetër, mazhoranca socialiste u bë avokate e Tahirit, duke dëshmuar se sa paradoksale tingëllon përbetimi i Ramës dhe i të tijëve për vetingun dhe reformën në drejtësi. Elita e korruptuar politike, nën flamurin e ç’ ngjyrosur të bipartitizmit, spërkatur me nuance opozitarizmi të LSI-së, po vazhdon me një ritëm të shfrenuar garën e mashtrimeve, manipulimeve, llangosjeve e baltosjeve, stivosjeve e lustrimit të fitoreve, ndërkohë që shqiptarët po ecin dy hapa para e tre hapa prapa në rrugën e një demokracie tranzitive problemore.

Nuk ka veç tre muaj që kanë mbaruar zgjedhjet parlamentare dhe sërish çfarë nuk po na dëgjojnë veshët. Përgjime, përgojime, skandale, oferta korruptive, ministra të përfolur e të akuzuar, ministra të kapur nga mafia dhe krimi i organizuar, një kryeministër që ditë e natë shet dëngla morali dhe na ofron “dijet” e tij për gjithçka, që nga shtypi dhe mediat e lira deri tek “supermacia” e koncesioneve etj.

Çështja “Tahiri” i vuri vulë faktit kokëfortë se kjo politikë bipartiake, e lodhur nga një elitë e vëtëshpallur dhe që e mban me dhunë e shantazh pozicionin e vet të ngrirë në krye të partive kryesore politike, keqpërdorimi i pushteteve, nga korrupsioni, hajdutëria, cinizmi dhe ligësia, nuk mund të bëj as veting dhe as reformë në drejtësi.

Dy partitë kryesore PS dhe PD janë gijotina e vetingut dhe e reformës së pretenduar në drejtësi dhe këtë e tregoi edhe një herë mënyra se si iu turrën këto dy forca politike drejtësisë, duke i bërë presion dhe shantazhuar për ta mbajtur atë nën kontroll. Me “gërshërët e ligjit” në dorë, me shpata e heshta të mprehura dhe me “duar të pastra”, pas mbulimit e fshehjes së pisllëkut të tyre, po shfaqen emisarët e majtë e të djathtë fshatrave e qyteteve kudo, ata që ia kanë ndjerë lezetin pushtetit, për gjoja luftën me “tolerancë zero” kundër baronëve që grabisin djersën dhe gjakun e shqiptarëve… dhe realisht, asgjë për hajër. Asgjë për mbrapshtinë e këtij sistemi të montuar kaq djallëzisht, asgjë për rrënjët që gjenerojnë pa pushim, ekzema e depresion masiv.

Të lumtur janë ata të paktë, që nuk e dinë se rrënjët e këtij shteti janë në ajër, ose më mirë me thënë në baltë e llucë korrupsioni, kontrabandë, krim e gënjeshtra, mashtrim dhe në gjithë aliazhet e pista të shoqërisë së konsumit dhe shumë pak, madje aspak pastërti e siguri, që i duhen themelit të një ndërtese për të qëndruar në këmbë.

Dhe vjen një moment, kur shpresa e të gjithë atyre që i mbanin dhe i mbajnë shpresat tek reforma në drejtësi, tek vetingu, tek mundësia që të ndryshojë një herë e përgjithmonë raporti i qytetarit të këtij vendi me shtetin e të drejtës, gjithçka shkërmoqet nga babëzia bipartiake, nga fakti kokëfortë se këta politikanë që kemi në krye nuk mund të bëjnë reformë në drejtësi. Reforma në fakt duhet nisur nga politika, pasi ajo po i gjeneron të gjitha llojet e krizave shqiptare dhe po kthehet në një boomerang për gjithë kursin e zhvillimit dhe të progresit shqiptar.

Në kushte të tilla, edhe sikur kjo reform e shpallur dhe reklamuar me bujë të realizohet e plotë e pa hile nga forcat politike në drejtim, dy partitë tona nuk do të munden ta bëjnë ndërtesën shtetërore të drejtësisë të qëndrojë si duhet në themelet e veta. Aq më pak do të ndodhë kjo, kur këta “reformistë” e njerëz të “ndryshimit” janë pikërisht ato forca politike, që gjithçka në fjalë e kanë ngritur vetë dhe me qëllim, mbi themele korrupsioni e krimi, nga ku kanë pasur e do të kenë mundësi të realizojnë objektivat e dallaveres së tyre, pa të cilat ato do të shpërbëheshin si subjekte politike.

Tashmë janë bërë shumica ata që mendojnë se shkaktarët e vërtetë të mjerimit shpirtëror dhe ekonomik nuk janë budallenj, as edhe të paaftë profesionalisht a mendërisht, apo se, ata nuk marrin vesh nga zanati i tyre! Ata e njohin shumë mirë zanatin dhe misionin e tyre prej oktapodi, për të shfrytëzuar e përvetësuar pasuritë, që i përkasin popullit. Ata nuk çojnë ujë në mullirin e progresit tonë ekonomik e të shumëçkashëm sepse mbrojnë interesat e Klanit Grabitës, kurse interesat tona si popull ia kanë shiturvetë djallit! Qeveritarët dhe opozitarët “tanë” mbrojnë interesat e Klanit Grabitës dhe jo interesat e popullit! Lufta mes tyre nuk është për alternativa, rrugë e kahje zhvillimi, por për zona ndikimi politik dhe shanse për të tejmbushur xhepat, për të grabitur me “duar të pastra” gjithçka që ende nuk është grabitur! Dy dekada e gjysmë kapërcyen nga dita kur në vendin tonë u vendos sistemi i ekonomisë së tregut, alla kapitalizmi popullor, i cili shpalli objektivin kryesor: Ndërtimin e shtetit ligjor, shtetit demokratik të së drejtës.

Po cili ishte rezultati?! Jo vetëm shteti ligjor e i së drejtës nuk është ngritur, por akoma më keq, është deformuar në mendjet e qytetarëve kuptimi për shtetin dhe qeverisjen, duke e konsideruar këtë të fundit jo një institucion të domosdoshëm, që rregullon marrëdhëniet e shtetasve, por një kundërshtar e armik të këtyre të fundit.  Pjesa dërmuese e qytetarëve shqiptarë, përjashtuar një pakicë tepër e vogël, e lidhur drejtpërsëdrejti me pushtetarët aktualë, po të pyeten për shtetin tonë të sotëm, që e kaloi moshën njëzetë e pesë vjeçare, do të thonë: Njëzetë e pesë vite janë të mjaftueshme për të provuar një sistem shoqëror, që ndonëse zbukurohet me ngjyra e retushe, shtyllat e themeli mbajtës janë të kalbura dhe nuk mbajnë dot as veten e jo më hallet dertet tona.

Me reforma gjysmake e hileqare si ajo e Kodit Zgjedhor; me heqje imunitetesh kur nuk të hyn më në punë, apo duke e përdorur atë për gjueti shtrigash; me ndryshim ligjesh e nenesh të Kushtetutës sa herë nuk u del hesapi, duke e shndërruar në një rreckë, që vetëm Kushtetutë nuk mund të quhet, me “vetingun”, që po nuk u nis nga politika dhe politikanët nuk mund të ketë kurrëfarë rezultati.

Dhe vulën ia vuri “çështja Tahiri” që me sa duket është vetëm maja e aizbergut të një oktapodi gjigand të lidhjes së politikës me krimin e organizuar dhe mafien, kur dy partitë kryesore politike ngulmuan t’i mbanin peng institucionet e drejtësisë për hir të interesave të tyre të ngushta: njëra, mazhoranca e akuzuar për afera gjigande kriminiale, për ta mbajtur pushtetin me çdo kusht, tjetra, opozita, me dosje të rënda korrupsioni të pazbardhura nga drejtësia, për ta fituar pushtetin me çdo kusht. Dhe, për sa kohë do të mungojë një reagim i fortë popullor, për sa kohë populli nuk do ta kontrollojë këtë bipartitizëm frentik dhe nuk do të shfaqë reagimin e tij uragan dhe me votën e tij për të shprehur ndryshimin, bipartitizmi do të jetë një gijotinë jo vetëm për vetingun dhe reformën në drejtësi por për vetë të ardhmen evropiane të shqiptarëve në BE!