
Vetëflijimi i familjes Josifi në Kombinat. Psikiatri Gentian Çala thotë për “Shekulli”-n se referuar gjithë ngjarjes, dyshohet se vajzat dhe nëna vuanin nga Psikoza e Induktuar. Si shfaqet kjo sëmundje, pasojat dhe rastet të tjera të ngjashme në shoqërinë shqiptare
Enida Vërça
Blerta Josifi, e mbijetuara e vetme e ngjarjes në Kombinat është shtruar në pavijonin e grave në Urgjencën e Spitalit Psikiatrik nr. 5 në Tiranë. Nga burime të sigurta, mësohet se 34-vjeçarja vuan nga Psikozë e Induktuar. Psikiatri, Gentian Çala thotë se psikoza e Induktuar ndodh kur një anëtar i familjes i imponon mendimet dhe sjelljet tek anëtarët e tjerë.
“Te një psikozë e induktuar mund të kemi ndërtimin e një besimi patologjik, fillimisht te një individ që konsiderohet primar, zakonisht ky ka një lidhje të fortë me individët që indukton (sekondarët), që mund të jenë një ose disa. Zakonisht ky individ ka ndikim te të tjerët dhe ata mund të fillojnë të besojnë të njëjtën gjë. Në këtë rast duket se primare mund të ketë qenë vajza e vdekur ose nëna”– bën me dije ai.
Besimi
Çala thotë se familja ka patur një besim i cili është përcjellë nga njëri prej anëtarëve te të tjerët. “Me gjasë nëna duhet të ketë qenë primare dhe të ketë ndikuar te vajzat, por nuk përjashtohet mundësia që kjo t’i ketë ndodhur njërës prej vajzave dhe të jetë induktuar te nëna dhe motra. Ky është një çrregullim që ndodh më shpesh te gjinia femërore. ‘Të pushtuara’ nga besimi deluzional ato ndërmorën aktin e vetëflijimit, i cili rezultoi fatal për njërën nga vajzat dhe nënën.
Për nga ngjashmëria, mund të përmend rastin e vdekjes së familjes Burari në New Delhi në Indi, ku 11 anëtarë të saj (7 femra dhe 4 meshkuj) kryen vetëvrasje ritualistike në vitin 2018. Pas hetimeve nga policia u zbulua që kjo kishte ndodhur pas vdekjes së kryefamiljarit, ku anëtari më i ri e kishte kaluar më me vështirësi humbjen. Ai e shihte shpesh në ëndrra të atin dhe ndihej i “pushtuar” prej tij. Madje në shënimet e lëna shkruante se ai mund ta shihte dhe ta dëgjonte atë. Familja ishte përfshirë në rituale okulte prej shumë viteve dhe në përpjekje për të takuar babain e vdekur kishin shkuar drejt vetëflijimit në masë”.
Identifikimi
Psikiatri Çala thotë se nëse rasti i tyre do të identifikohej në kohë, kjo tragjedi do të ishte shmangur. “Mendoj se nëse kjo do të ishte identifikuar me kohë, rastet mund të trajtoheshin dhe kjo ngjarje mund të parandalohej”,- thotë ai.
Në fjalën e tij, mjeku thotë se përmirësimi i gjendjes shëndetësore të Blertës, e vetmja e mbijetuar nga tragjedia, lidhet nga shumë faktorë. “Gjasat për përmirësim varen nga shumë faktorë, të cilat ne i marrim parasysh për të ndërtuar skenarët prognostikë. Besoj se vajza është në vlerësim dhe në trajtimin e duhur. Nëse ndjek arsyetimin tim se ajo ishte sekondare, gjasat për rikuperim mund të jenë të mira”.
Sektet
I pyetur nëse ka luajtur rol frekuentimi i sekteve fetare në çrregullimin e tyre dhe në aktin e vetëflijimit, mjeku thotë se ngjarja është e ndikuar nga disa faktorë. “Mendoj se bota është e mbushur përplot besimtarë, njerëzit janë të lirë të besojnë atë që duan, ashtu siç ka edhe sharlatanë e mashtrues. Besimet duhet të tregojnë kujdes që të përcjellin mesazhet e duhura dhe qartazi, pa nënkuptime. Ata duhet të theksojnë se vlera e jetës nuk mund të këmbehet më asgjë. Besimet e kanë për detyrë kujdesin ndaj besimtarëve apo kërkimin e ndihmës në rastet kur vihet re një gjë e pazakontë. Besimtarët gjithashtu duhet të raportojnë për parregullsitë që venë re në komunitetet e tyre. Shteti duhet të ketë kontroll mbi keqpërdorimet apo sharlatanët. Të kërkosh t’i vesh fajin për një dramë të caktuar një institucioni apo një doktrine fetare, më duket gjeneralizuese dhe aspak reale. Ky rast fatkeq duhet të na mësojë se akte të tilla mund të ndodhin edhe në të ardhmen. Këta njerëz nuk i vret vetëm sëmundja, por edhe indiferenca jonë qytetare apo institucionale”,– saktëson Çala.
Raste të ngjashme
Mjeku ndan me “Shekulli”-n edhe disa raste të ngjashme në përvojën e tij 20-vjeçare si psikiatër, ku shpesh është arritur që të jepet ndihmë.
“Në të dyja rastet kanë qenë fëmijët e sëmurë (në moshë madhore), në këto raste primarë dhe kam evidentuar deluzione të ngjashme te nënat (sekondare). Këto janë raste në 5-6 vitet e fundit. Përmirësimi i gjendjes së primarëve është shoqëruar me përmirësim edhe te nënat, së paku në njërin rast”, ka treguar psikiatri Gentian Çala.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply