Veseli i përgjigjet Thaçit: S’ka mandatar të ri për qeverinë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i ka kthyer përgjigje Presidentit të Republikës, Hashim Thaçit, në letrën që ky i dyti i dërgoi sot për t’i kërkuar nëse ka propozim tjetër për mandatar të Qeverisë.

Veseli ka publikuar një deklaratë në Facebook, përmes së cilës njofton se nuk do të ketë mandatar të ri. Ai, po ashtu, njofton se në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit e ka thirrur mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit për të hënën e në të cilën do të diskutohet për shpërndarjen e Kuvendit.

“Kam thënë dhe e përsëris: zgjedhjet janë te pashmangshme dhe janë në interes të Republikës së Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës, si gjithmonë, edhe tash, e në të ardhmen, i beson fuqishëm legjitimitetit qytetar”, ka deklaruar Veseli.

Ai ka shtuar se qytetarët e Kosovës meritojnë një qeverisje të re, që punon për zhvillim të hovshëm ekonomik, që e lufton korrupsionin pa kompromis, që u ofron perspektivë të rinjve në Kosovë, që garanton mundësi të barabarta për të gjithë dhe që sjell më shumë të reja e të rinj, ndërmarrës e intelektualë, në lidershipin institucional, për ndryshimet e mëdha që janë të domosdoshme, raporton RTK.

Deklarata e plotë e Veselit:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, kam vendosur që të hënën, më 5 gusht 2019, të thërras një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, bashkë me Kryetarët e Grupeve Parlamentare, në funksion të veprimeve të cilat duhet t’i ndërmarrim në ditët në vazhdim, konkretisht për të diskutuar për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për shpërndarjen e legjislaturës aktuale të Kuvendit të Kosovës.

Kjo mbledhje ka për qëllim të saktësojë në mënyrë zyrtare dhe institucionale qëndrimet e çdo grupi parlamentar në lidhje me situatën e krijuar pas rënies së Qeverisë së Kosovës, si dhe konkretizimin e hapave për përcaktimin sa më të shpejtë të datës së zgjedhjeve të parakohshme.

Ndërkohë, si udhëheqës i koalicionit PAN, i kam kthyer përgjigje Presidentit të Republikës së Kosovës dhe e kam njoftuar se nuk do të ketë mandatar tjetër.

Kam thënë dhe e përsëris: zgjedhjet janë te pashmangshme dhe janë në interes të Republikës së Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës, si gjithmonë, edhe tash, e në të ardhmen, i beson fuqishëm legjitimitetit qytetar.

Qytetarët e Kosovës meritojnë një qeverisje të re, që punon për zhvillim të hovshëm ekonomik, që e lufton korrupsionin pa kompromis, që u ofron perspektivë të rinjve tanë këtu, në Kosovë, që garanton mundësi të barabarta për të gjithë dhe që sjell më shumë të reja e të rinj, ndërmarrës e intelektualë, në lidershipin institucional, për ndryshimet e mëdha që janë të domosdoshme.

Të dashur qytetarë,

Kuvendi i Kosovës është i obliguar edhe nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Rregullorja e Punës së Kuvendit që të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore për tejkalimin legal dhe institucional të situatës aktuale.

Shteti nuk guxon të mbetet në vakum institucional dhe pa vendimmarrje legjitime. Është në interesin e qytetarëve dhe të shtetit që të lëvizim shpejt në drejtim të legjitimimit të ri të institucioneve. Dhe kjo mund të arrihet vetëm përmes zgjedhjeve demokratike.

Si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, do të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme që vendi sa më shpejtë të zhvillojë zgjedhje të lira dhe demokratike.

Republika e Kosovës ndodhet para sfidave të mëdha, përballja me të cilat del e suksesshme vetëm duke pasur institucione legjitime dhe Qeveri të zgjedhur nga vota e lirë qytetare.

Andaj, nuk duhet të humbim kohë!

Ju siguroj se vendi ynë ka të gjitha kapacitetet e nevojshme institucionale dhe përvojën e dëshmuar për të organizuar një proces zgjedhor në përputhje të plotë me standardet më të larta demokratike.

Është koha për të dëgjuar vullnetin e sovranit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Vija fatale e Ballkanit

Blerim Latifi Gjatë historisë, njerëzit në Ballkan kanë vuajtur nga një lloj fataliteti gjeopolitik. Ky fatalitet ka të bëjë me…

Abissnet